Erisa Xhixho: Shteti duhet të bëjë transparencë për vaksinën e COVID-19

201
Sigal

Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Erisa Xhixho thotë se qytetarët kanë të drejtë të informohen mbi vaksinën e COVID-19 duke i kërkuar qeverisë të bëjë transparencë. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Xhixho shkruan se në rast se nuk ka transparencë nuk ka garanci se si do të bëhet mbrojtja dhe shpërndarja e barabartë për të gjithë popullsinë.

Statusi i plotë i Erisa Xhixhos

Vaksina e Covid 19 është një çështje shëndeti publik me impakt madhor tek jetët e njerëzve, qytetarët kanë të drejtën e informimit dhe qeveria duhet të bëjë trasparencë. Nqs ska trasparence si do garantohet mbrojtja dhe shpërndarja, mbi të gjitha aksesi i barabartë për të gjithë shtresat e popullsisë.

Në një vend mbytur në korrupsion rreziku arbitraritetit dhe favorizimi në akses i njerzve me pushtet është tepër present për të patur marveshje sekrete. E paparë e padëgjuar.

“FLETORE ZYRTARE

E mërkurë, 13 janar 2021, Viti: 2021 – Numri: 5

“Akt Normativ nr. 1, datë 10.1.2021 për miratimin e tekstit të Marrëveshjes, për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet PFIZER EXPORT BV, dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik, dhe Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anti-covid-19 në Republikën e Shqipërisë, si dhe përdorimin e tyre në popullatë”

Neni 4 “Përjashtimi nga detyrimet”

  1. Marrëveshja për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet Pfizer Export BV dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga Pfizer Export BV nuk do të publikohet në asnjë ëebsite të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare.
  2. Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj.

Neni 6 “Hyrja në fuqi”

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. “

Me këtë akt normativ që do hyje në fuqi me dt.28 Janar qeveria shqiptare krijon konfuzion, në një moment shumë të vështirë i cili kërkon domosdoshmërisht komunikim të sinqertë me qytetarët dhe jo fshehje të marrveshjes që rregullon vaksinimin në vend. Nuk kemi dëgjuar asnjë preçedent, që qeveritë në vend tjetër të botës proçedojnë në këtë mënyrë që shton ankthin e popullatës dhe nuk jep asnjë siguri.

Kryeministri dhe qeveria Shqiptare kanë detyrimin dhe përgjegjësinë ti raportojë popullsisë urgjent, sa doza vaksine, kur e si do behet shperndarja, në bazë të cilave kushteve e planeve operacionale.

Sot kërkohet transparenc e plotë, përgjegjshmëri nga drejtuesit e vendit edhe plan konkret për menaxhimin e kësaj situate të rëndë e urgjente. Qeveria nuk duhet ta harrojë se behet fjalë për shëndetin e qytetarëve, shëndetin e familjeve tona, prindërve dhe fëmijëve tanë, të ardhmen e vendit. Nuk bëhet fjalë këtu për propagandën boshe! Është e trishtë e tejmase shqetsuese që në çdo vendimarrje, kjo qeveri vazhdon të konfirmojë papërgjegjshmerine e saj dhe mungesën e profesionalizmit.