Sigal

Intervista e anëtares së LSI në Këshillin Bashiak të Tiranës, në televizionin FAX NEWS

Përse e bojkotuat mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak?

Ne shkuam me gjithë vullnetin e mirë për të mos e bojkotuar për një çështje shumë sensitive dhe për një çështje antikushtetuese, në të cilën ndodhet momentalisht Këshilli Bashkiak për çështjen e Teatrit. Nëqoftëse flasim profesionalisht si jurist, do të thoja që është shkelur neni 113 i Kushtetutës, i cili parashikon që Këshillat Bashkiak ushtrojnë të drejtën e pronës, çka do të thotë që janë këshillat bashkiak që vendosin për tjetërsimin e pronës, dhënien me qera dhurimin apo shitjen e një trualli. Ndërkohë ligji për vetëqeverisjen vendore gjithashtu parashikon në nenin 54 kompetencat e këshillit bashkiak. Ne jemi një organ kushtetues, ndërkohë kemi dhe një ligj në harmoni me Kushtetutën, i cili ka dalë dhe parashikon qartësisht që është detyrë dhe kompetencë e Këshillit Bashkiak të miratojë dhe të vendosi për tjetërsimin e një prone, e cila ndodhet në Bashkinë e Tiranës. Në këtë vendimmarrje ajo kalon me 3/5 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Këshillit bashkiak dhe kemi një pronë e cila është 2100 metra katrorë që i përket Bashkisë së Tiranës dhe kjo vendimmarrje nuk ka kaluar as për diskutim, as për vendimmarrje në këshillin bashkiak të Tiranës. Në frymën që flitet, në Konventën e Autonomisë Vendore, gjithmonë po synohet drejt decentralizimit, drejt balancimit të pushteteve dhe vendimmarrjet lokale, duhet të kalojnë edhe në Referendume për mendimin tim, kur janë kaq sensitive dhe jo më të anashkalohet Këshilli Bashkiak i Tiranës, sepse në fund të ditës çfarë është e drejta? Është procedurë. Pra në këtë rast kemi një shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit, ku Kryetari i Bashkisë ka depozituar kërkesën e privatit për të shitur pronën direkt ministrit përkatës, Këshilli i Ministrave e ka kaluar në Kuvend, duke anashkaluar komplet Këshillin Bashkiak të Tiranës, i cili duhet ta diskutonte dhe ta miratonte atë me 3/5 e votave. Kjo u bë e ditur sot në Këshillin Bashkiak edhe mazhorancës, duke i shprehur me shumë vullnet të mirë: hajde ti bëjmë një kërkesë Kuvendit që të na kthejë kompetencën dhe të gjithë procedurën dhe ta fusim të gjithë procesin në hullitë kushtetutes dhe institucional. Dhe nuk flasim nëse më pëlqen apo nuk më pëlqen ky projekt, nuk po futemi në diskutimet e projektit, por po flasim për llogjikën e procedurës, e cila nuk ka kaluar dhe në këtë mënyrë është shkelur Kushtetuta. Ne kërkuam shumë qetësisht që të bëjmë një kërkesë si Këshill Bashkiak, aty ka shumë juristë, ka shumë profesionistë, që e dinë shumë mirë që jemi në kushte antikushtetuetshmërie në mënyrë që të rivendosim Kushtetuetshmërinë. Kjo nuk u pranua nga mazhoranca. Përkundrazi u trajtua me shumë arrogancë dhe padyshim nuk mund të jemi pjesë e një këshilli që lejon shkeljen e integritetit të tij dhe të funksioneve, kompetencave dhe detyrave që na ka dhënë Kushtetuta. Për këtë arsye, ne si opozitë, si front opozitar u larguam nga mbledhja e Këshillit Bashkiak. Vlen të theksohet që Teatri është një çështje shumë sensitive. Ka prekur shumë aktorë. Aktorët e teatrit, shoqërinë civile, pra nuk flasim për një çështje të rëndomtë, flitet për një pronë të Bashkisë së Tiranës dhe ne si të zgjedhur vendorë kemi detyrimin për ti kërkuar Kryetarit të Këshillit Bashkiak, Kryetarit të Bashkisë që të mos na anashkalojë në ushtrimin e të drejtës sonë kushtetuese.

A ka një mundësi që ligji për teatrin dhe shqyrtimi i truallit të Teatrit Kombëtar të rikthehet edhe njëherë për diskutim dhe më pas edhe për votim në Këshillin Bashkiak?

Nëqoftëse ka vullnet, pa dyshim që po. Nëse ne si Këshill i bëjmë një kërkesë Kuvendit, duke argumentuar në mënyrë ligjore dhe jo fjalë boshe, në mënyrë institucionale se janë 1,2,3 nene të Kushtetutës, të ligjit të qeverisjes vendore që janë shkelur dhe që janë anashkaluar atëherë padyshim ajo do të mund të kthehet në vullnet të mirë. Nuk po kërkojmë asgjë më shumë, thjesht të zbatohet Kushtetuta. Por shohim që parimi i shkeljes së Kushtetutës është bërë normë për këtë mazhorancë. Është shumë e trishtë kjo gjë. Duke qenë edhe pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, gjëja e parë që u mësojmë studentëve është që të respektojmë Kushtetutën, ligjet, flasim për anëtarësim në Bashkimin Europian, kalim në standarde shumë të larta nga sa jemi sot, dhe të parët që shkelin Kushtetutën janë pikërisht ata që drejtojnë vendin sot. Dhe këtë padyshim që nuk mund ta pranojë, as si juriste as si pedagoge dhe as si qytetare e këtij vendi.

Do ta depozitoni kërkesën tuaj në Kuvend për hapin që thatë për çështjen e Teatrit?

Ideja jonë ishte që i gjithë këshilli të ishte në unision në këtë hap. Sepse nuk është cenuar vetëm e drejta e këshilltarëve të opozitës, por edhe të mazhorancës për tu shprehur për ligjin e Teatrit dhe ka shumë njerëz me integritet që e kuptojnë këtë gjë. Ne do ta shohim as pas hapi, padyshim që do të doja që sot të kishim një lajm të mirë dhe që procedura për teatrin të kalonte në Këshill. Nuk po kërkojmë asgjë, thjesht të diskutojmë dhe të kalojmë vendimmarrjen në Këshill. Ligji i teatrit, aq sensitiv për qytetarët dhe ku ne jemi të zgjedhur vendor për këtë çështje.

Ndërkohë me amendimin e ligjit, pasi riktheu Presidenti i Republikës, u bënë disa ndryshime, pati një reflektim nga socialistët është hapur gara. Me amendimet e reja, a mendoni se nga ana juridike ka mundësi këshilli bashkiak ta shqyrtojë edhe njëherë mundësinë e truallit të Teatrit?

Momentalisht nuk ka mundësi, sepse ajo ka kaluar në Kuvend dhe në seancë. Momenti kur diskuton Këshilli është momenti kur Kryetari i Bashkisë në moment që ka një interesim nga privati e kalon për diskutim nga kryetari i bashkisë pra kalon për diskutim në këshill dhe këshilli më pas e depoziton në ministrinë përkatëse, në këshillin e Ministrave e më pas kalon në Kuvend në seancë plenare, nëpër komisione e të gjithë me rradhë. Këtu është shkelur që në fillim procedura. Prandaj dhe ne kërkuam si Këshill Bashkiak që ti drejtoheshim Kuvendit, i cili ka kaluar një hallkë të procesit të miratimit të këtij ligji, ti drejtoheshim dhe ti thoshim që në respektim të Kushtetutës dhe ligjit përkatës të kalojë për diskutim dhe vendimmarrje, sepse ligji e përcakton që është Këshilli Bashkiak që vendos për tjetërsimin e pronës.

Pra po thoni që amendimi i ligjit nuk ja u jep këtë mundësi?

Është shumë e kufizuar. Ne prandaj e kërkuam këtë gjë. I gjithë procesi është antikushtetues. Nesër, pasnesër nëqoftëse do të kemi një Gjykatë Kushtetuese, që sot nuk e kemi faktikisht, ky ligj nëse do të kishim një Gjykatë Kushtetuese do të apelohej atje, por në rrethanat absurde në të cilat ndodhet vendi, ku nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, padyshim që kjo i lë hapësirë abuzive mazhorancës që të veprojë në antikushtetueshmëri totale. Por nesër ai mund të apelohet dhe të kthehet mbrapsht.

Ditën e sotme ka qenë në rend dite propozimi për dhënien e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, hapja e qendrës sociale Gonxhe Bojaxhi, kompensimi i energjisë elektrike për kategoritë përfituese dhe një sërë projektligjesh të tjera për kulturën dhe transportin publik në Tiranë. Me largimin tuaj nuk mendoni se keni shmangur edhe përgjegjësitë për këto çështje publike?

Ne e thamë dhe publikisht që vota jonë është Pro të gjitha çështjeve që ju përmendët, edhe e kemi thënë në çdo mbledhje që vota jonë është pro të gjitha pikave të rendit të ditës që kanë të bëjnë me kategoritë në nevojë, qendrat sociale, rimbursimin e energjisë etj, pra të gjitha atyre çështje që janë në dobi të qytetarëve. Jemi pro dhe do të votojmë gjithmonë pro për këto vendime, por nuk mund të pajtohemi me antikushtetuetshmërinë.

Por nuk mund të pajtohemi me antikushtetushmërinë, në të cilën ndodhet Këshilli Bashkiak sot. Është e patolerueshme që si qytetar si profesionist të rrimë dhe të heshtim përpara kësaj situate dhe prandaj dhe në këshill ne folëm me nene konkrete dhe me ligj konkret, nuk folëm as me thashetheme as me llafe boshe.

Ndërkohë ka pasur dhe një debat tjetër që janë përfshirë palët, është bileta për fëmijët në transportin publik në Tiranë. Cili është qëndrimi juaj?

Është një shqetësim i kohëve të fundit, ka ndodhur që për fëmijët që vijnë kryesisht nga periferitë e Tiranës, që ndjekin shkollën  apo kanë aktivitete të ndryshme, është dhënë një njoftim që ata do të paguajnë biletën mbi moshën 6 vjeç dhe kjo padyshim ka krijuar një shqetësim shumë të madh tek prindërit. I dimë shumë mirë kushtet ekonomike në të cilat ndodhet vendi, sidomos familjet që jetojnë në periferi të Tiranës dhe ti heqësh të drejtën e transportit se normalisht ti vendosësh një tarifë të papërballueshme i heq të drejtën e transportit personit përkatës. Ne padyshim do të kërkojmë reflektim nga Bashkia e Tiranës, në mënyrë që edhe në qoftë se është bërë një gabim ai të riparohet sepse kjo është në dobi të familjeve shqiptare.

Në fakt Kryebashkiaku ka thënë sot se do të humbasë mundësinë opozita për të votuar projektligje të rëndësishme për qytetarët e Tiranës ndërkohë e ka cilësuar ligji i Lulit kërkon bilëtën për fëmijë. Në opozitë ka një dakordësi për çështjen e biletës apo ka ndryshuar qëndrimi për këtë masë?

Unë po flas këtu si këshilltare e LSI. Mund të pyesni PD për këtë çështje por besoj se do të jenë në unison me ne. Kjo nuk është çështje as e LSI-së, as e PD-së , as e PS-së, këtu flasim për fëmijë mbi 6 vjeç, I dimë shumë mirë kushtet ekonomike në të cilat ndodhet vendi, janë fëmijë të cilët duhet  të shkojnë në shkollë, duhet të kenë një aktivitet social në qendër të Tiranës dhe nuk mund të lëvizin nga periferia në qendër. Ky vendim që është bërë të anullohet është shumë e thjeshtë për Bashkinë.

Dua ti referohem përsëri fjalës së Kryebashkiakut që thotë, nuk është mbledhur Këshilli Bashkiak dhe përsa i përket Teatrit të Metropolit, procedurë tjetër e cila është e ngjashme me këtë të Teatrit Kombëtar. A mendoni se mund të anashkalohen procedurat duke marrë për bazë raste të ngjashme që janë bërë më herët, apo procedura që janë ndjekur?

Nuk e di rastin konkret të jem e sinqertë nuk e kam shqyrtuar, duhet të thellohem që të jem më e saktë dhe objektive. Di të them që Kushtetuta dhe ligji është shumë i qartë dhe asnjë shkelje e antikushtetutshmërisë që është bërë në të shkuarën nuk mund të shërbejë si precedent. Precedent shërben një procedurë e re e cila ka qenë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën. Pse flasim për të shkuarën, kemi një rast konkret. Rasti konkret është që Këshilli Bashkiak është mënjanuar, anashkaluar nga vendimmarrja. Jemi në një situatë ku është shkelur Kushtetuta, sepse ne jemi një organ Kushtetues, jemi të përcaktuar në Kushtetutë, Këshilli Bashkiak dhe qeverisja vendore dhe kemi një ligj të vetëqeverisjes vendore i cili është shkelur. Në këto kondita jemi. Në qoftë se është normë shkelja e Kushtetutës dhe e ligjit është tjetër gjë.

A ka këshilltarë të PS në Bashkinë e Tiranës të cilët kanë reflektuar për çështjen e Teatrit dhe do të jenë në anën tuaj nëse do ta shqyrtoni dhe njëherë çështjen e truallit të Teatrit?

Mbrapa mediave ka shumë njerëz që na aprovojnë në qëndrimin tonë. Madje ke pasur raste që dhe ministra janë larguar nga seanca plenare se kanë qenë kundër teatrit. Ju e dini mirë dhe i keni reklamuar.

Ka një përplasje politike përsa i përket një deklarate të një oficeri të policë, Emiliano Nuhu, ku përfshihet edhe një vajzë e cila ka bërë denoncim për përdhunim, më pas sipas publikimeve në media ka ndërhyrë edhe Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Krujës. Çfarë qëndrimi ka LSI për këtë?

Kjo është ngjarje shumë e rëndë, po flasim për një vajzë, po flasim për një rast përdhunimi. Flasim për një rast ku nuk lihet të veprohet as policia gjyqësore as denoncimi as institucionet shtetërore për një rast të tillë, vetëm se kemi një përfshirje të personit i cili është djali i një deputeti, sipas deklarimeve. Padyshim që kjo sjellje arrogante dhe ky denoncim është shumë i rëndë dhe duhet zbardhur sa më parë. Dhe është një filozofi e kësaj mazhorancë për të uzurpuar institucionet, për të mos njohur Prokurorinë sepse dhe vendosjen e Prokurores së Përgjithshme e kanë bërë me 69 vota dhe ju e dini shumë mirë në kundërshtim me Kushtetutën pa kaluar Vettingun etj. Pra është filozofia e kësaj mazhorancë që gjithmonë e më shumë është jo vetëm arrogante por nuk ka frerë as për Kushtetutë, as për ligje, as për institucione, as për raste ekstreme. Këtu flasim për shkatërrimin e jetës së një personi. Nuk flasim thjesht për abuzime fondesh apo gjëra të tilla që jane bërë normale për këtë mazhorancë. Është një rast që ka tronditur gjithë opinionin publik dhe padyshim nënat dhe vajzat e Shqipërisë. Dhe mbi të gjitha është përfshirja e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS I cili duhet të sqarojë pozicionin e tij dhe gjithë qasjen. Kur Kryetari i Grupit Parlamentar z.Balla kryen një akt të tillë dhe nuk lejon organet të veprojnë me denoncimin përkatës imagjinoni në çfarë kushtesh janë qytetarët e thjeshtë dhe në çfarë kushtesh po jetojmë në Shqipëri.

Ju referuam dhe më herët transportit publik për nxënësit kryesisht. Si ka filluar ky sezon? Ka problematika?

Padyshim që dita e parë e shkollës ka qenë një kaos për Tiranën, besoj dhe ju jeni bërë pjesë e saj e trafikut e te gjitha me radhë. Unë uroj shumë që bileta që i është vënë plus për fëmijët mbi 6 vjeç të hiqet nga Bashkia e Tiranës pra të ketë një reflektim dhe mendoj që ka ende shumë punë për të bërë për të arritur standardet që ne kërkojmë, mos të shohim vetëm show. Por ka shumë shkolla që ne i kemi prekur në periferi të Tiranës që janë në gjendje të degraduar. Kemi denoncuar vazhdimisht sepse në qoftë se nuk investohet shumë për edukimin padyshim që është shumë e rëndë. Por duhet pranuar ka një vullnet nga Bashkia e Tiranës për të investuar nëpër shkolla, nëpër kopshte por kjo duhet të vazhdojë jo thjesht brenda kamerave por të vazhdojë realisht në të gjithë territorin e qytetit. Dhe gjithmonë vota jonë do të jetë pro çdo investimi që do të jetë për shkollë , për kopësht, për kushte më të mira për fëmijët tanë.

Si nënkryetare LSI, çfarë po ndodh me strukturat, ka një takim në bazë, një riorganizim?  

Pa dyshim që LSI është një forcë aktive gjatë gjithë kohës. Jemi në një fazë riorganizimi. Duke parë edhe sfidën e ardhshme që kemi atë të zgjedhjeve vendore por jo vetëm, ky është një komunikim i vazhdueshëm me qytetarët sepse dhe Kuvendi ka humbur peshën e vetë, është kthyer në një teatër ku mazhoranca me arrogancë bën çdo gjë. Në të njëjtën situatë më vjen keq që është infektuar dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës apo Këshilla Bashkiak në Shqipëri. Për këtë arsye komunikimi me qytetarët është e vetmja armë që ka LSI për të  komunikuar me ta, për të dhënë një dimension të ri të politikbërjes dhe padyshim për të përgatitur një platformë shumë konkrete dhe sfiduese për zgjedhjet e ardhshme lokale. Dhe nga ana tjetër për të qenë shumë të saktë edhe në përzgjedhjen e kandidatëve tanë qoftë në Këshillat Bashkiak, qoftë në garimet për Kryetar Bashkie në mënyrë që këta persona të jenë me integritet, të jenë persona që vijnë nga lokalitete përkatëse dhe ti shërbejnë atij lokaliteti dhe atyre njerëzve të cilët zgjidhen.