Erisa Xhixho: Buxheti që qeveria ka parashikuar për shëndetësinë vitin e ardhshëm nuk adreson asnjë nga problemet emergjente

Buxheti që qeveria ka parashikuar për shëndetësinë vitin e ardhshëm nuk adreson asnjë nga problemet emergjente që prekin sot çdo familje shqiptare. Me vetëm 2.9% të PBB-së, buxheti i shëndetësisë është më i vogli në rajon.
Spitali Onkologjik është shembulli më dramatik i dështimit. Çdo vit, ka mbi 7 mijë raste të reja me kancer. Çdo ditë, në Spitalin Onkologjik hyjnë të paktën 100 pacientë me këtë sëmundje, me shpresën për të marrë trajtim. Spitali shtetëror ofron vetëm 19 poltrona për kimioterapi, ndërsa Kosovë me gjysmën e buxhetit ka 100 të tilla. Pacientët detyrohen ta bëjnë kimion në karrige, në mënyrë çnjerëzore. Mungojnë barna jetike: 46% e barnave të kancerit nuk kanë hyrë kurrë në vend sipas raportit KLSH. Një pjesë e barnave janë të skaduara, pajisjet nuk funksionojnë, brakiterapia është jashtë shërbimi, nuk ka PET-Scan, ndërsa pacientët detyrohen të presin me muaj për skaner e rezonancë. Ndërkohë, në vend që të ndërtohet me urgjencë një spitali i ri onkologjik, në QSUT po ndërtohet një hotel. Qeveria shpenzon qindra miliona euro për PPP e koncesione, por jo për pacientët. Sot shqiptarët paguajnë 60% të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi, niveli më i lartë në Europë, ndërsa familjet mezi mbyllin muajin. Ky buxhet nuk është për qytetarët – është instrument grabitjeje i taksave tona. Shëndetësia është e drejtë kushtetuese, jo pronë e abuzimeve të qeverisë.

NOA