Shkolla e re “Luan Hajdaraga”, në zonën e Freskut, mirëpriti 650 nxënës në fillim të këtij viti shkollor. Ajo është pjesë e projektit me 40 shkolla të reja që i janë shtuar Tiranës vitet e fundit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Arsimit, Evis Kushi dhe kreun e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, dhe deputetin e PS, Xhemal Qefalia, vizituan mjediset e shkollës. Veliaj tha se kjo shkollë ka qenë një kërkesë e kahershme e banorëve, një nga zonat më në rritje të Tiranës. “Këtu kemi bërë një punë me shumë dashuri, si kjo ditë e bukur me shumë dritë, njësoj si drita që duam të ndezim në këto klasa dhe në këtë hapësirë fantastike, që mban emrin e një profesori të nderuar, mikut dhe vëllait tonë, Luan Hajdaraga. Kur hyjmë e dalim në këtë mëhallë, së bashku me Xhemalin, e mbajmë kokën lart, sepse premtuam që do të ndërtonim një shkollë dhe e bëmë. Për punë ditësh, do të hapim edhe shkollën tjetër “Klodian Tanushi”, që mban emrin e një oficeri të nderuar, i cili humbi jetën në detyrë, teksa shërbente në misionin paqëruajtës të NATO-s. Ndërkaq, me rindërtimin e shkollës “17 shkurti”, e cila përkujton ditën e Pavarësisë së Kosovës, krijojmë një gjerdan me tre shkolla model, që zgjidhin përfundimisht çështjen e arsimit me dy turne në këtë komunitet.”, tha ai.






















