Eriol Braimllari: Departamenti Amerikan i Shtetit denoncoi qartë kapjen e shtetit nga Rilindja

633
Sigal

Intervista e Sekretarit për Politikën e Jashtme në LSI, Eriol Braimllari për televizionin Fax News

Ditën e sotme ka një raport të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili është dorëzuar sot në Kongresin Amerikan. Si e keni lexuar ju këtë raport?

Sot me thënë të drejtën kemi dy mesazhe shumë të rëndësishme që vijnë nga matanë oqeanit, por edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Është mbi të gjitha raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili vë duart në kokë për të gjitha problemet që ne si opozitë kemi qëndruar fort përballë kësaj qeverie, ku mbi të gjitha flitet për një lidhje mes shtetit dhe krimit të organizuar. Pra DASH nënvizon se problematikat e shqiptarëve kanë të bëjnë pikërisht me këtë kapje të shtetit nga krimi i organizuar. Kemi të bëjmë me Shqipërinë që është një pikë kufitare e kalimit të drogërave të forta, një vend bazë i të gjitha grupeve kriminale që operojnë si në perëndim, ashtu edhe në lindje. Gjithashtu nënvizohet shumë çështja  e pastrimit të parave në ekonominë shqiptare, ku opozita e ka ngritur çështjen e PPP-ve apo të skemave të ndërtimit si një skemë e pastrimit të parave të pista, një skemë e pastrimit të atyre veprave kriminale që kjo qeveri ka bërë me grupet e errëta , të cilat i ndihmuan të fitonin votat në 2017.

Mesazhi tjetër shumë i rëndësishëm që vjen nga një vend më i afërt, që është Hollanda, një vend i cili do të ketë një vendimmarrje shumë të rëndësishme për sa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Bashkimin Europian. Një problem që ne e kemi ngritur dhe e kemi thënë që me këtë qeveri nuk ka hapje negociatash. Pikërisht Hollanda sot i ka dhënë një mesazh të gjithë shqiptarëve, që me këtë qeveri, me këtë nivel të krimit, me këtë nivel të korrupsionit, me këtë nivel të përkeqësimit të standardeve demokratike në Shqipëri, ata po mendojnë seriozisht për të rikthyer regjimin e vizave.

Rikthehet tani kjo çështje, është folur edhe njëherë teksa opozita ishte në Parlament, rikthimi i vizave. Po mendohet përsëri, është mesazh?

Kjo është zyrtare. Tre parti holandeze i kanë dërguar mesazhe zyrtare shtetit të tyre për të parë nga afër çështjen e rikthimit të regjimit të vizave me qytetarët shqiptarë. Kjo për shkak se, grupet kriminale shqiptare që operojnë në Hollandë, janë kthyer në rrezik për jetën dhe për demokracinë e qytetarëve hollandezë. Dhe ata mendojnë se këto grupe kriminale, ashtu siç thotë edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, gjejnë mbështetje pikërisht në Shqipëri. Gjejnë mbështetje pikërisht nga strukturat e shtetit shqiptar, të cilat  bashkëpunojnë me njëra tjetrën dhe në këtë mënyrë kanë një mbrojtje më të madhe sesa një grup i thjeshtë kriminal, i cili duhet të ketë frikë shtetin dhe jo të jetë partner me të. Këto janë mesazhet e rëndësishme që na vijnë ne nga partnerët ndërkombëtarë dhe thonë shumë për të ardhmen e Shqipërisë, e cila nëse vazhdon në këtë rrugë, absolutisht nuk ka jo të ardhme evropiane, apo të ardhme euroatlantike, duke qenë se sot jemi në një ceremoni shumë të madhe për sa i përket bashkëpunimit të Shqipërisë me vendet anëtare të NATO-s. Nuk do të ketë më këtë të ardhme Shqipëria nëse vazhdojmë me këtë qeveri, më këto lloj sjelljesh dhe me këto lloj lidhjesh me botën e errët të krimit, dhe jo me interesin qytetar.

Prandaj edhe opozita është sot në këtë fazë, në këtë situatë ekstreme, ku mesazhet janë nga mediat ndërkombëtare, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nga partitë e Hollandës, të cilat thonë që Shqipëria ose duhet të zgjidhë problemet e veta, ose nuk ka të ardhme në botën perëndimore.

Një ditë më parë ka pasur një vizitë të ministrit holandez të drejtësisë në Tiranë. Ka dalë në një konferencë shtypi së bashku edhe me homologen shqiptare. Mendoni se ka lidhje me kërkesën që kanë bërë atje tre partitë në Hollandë?

E ndoqa deklaratën e ministrit të Hollandës. Ai në një gjuhë absolutisht shumë herë më diplomatike nënvizoi dhe vendosi disa pika mbi “i” në çështje shumë kuçiale. Por kini parasysh që një ministër i jashtëm kur vjen në Shqipëri, tenton që gjithmonë të jetë brenda një gjuhe diplomatike të pranueshme. Por unë ju siguroj, dhe këtë na e tregojnë edhe faktet, që partitë holandeze atje po ngrenë alarmin për Shqipërinë. Situata në kancelaritë e huaja dhe në politikën e jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Europian është alarmante, për sa i përket standardeve demokratike të Shqipërisë, duke filluar nga krimi, duke filluar nga kapja e shtetit. Por partnerët tanë që kanë investuar kaq shumë për Shqipërinë, janë të interesuar si po shkon Reforma në Drejtësi, janë të interesuar si po shkon Reforma në Administratën Publike, që sot kjo qeveri, që prej vitit 2017 i ka krijuar një borxh publik dhe një dëm shumë të madh human administratës publike me largimet e paligjshme nga puna, për të futur militantët e tyre, për të futur njerëzit e tyre në punë e të tjera me radhë.

Pra kemi një ndarje shumë të qartë. Kemi një qeveri e cila e ka kapur shtetin, i ka kapur të tri pushtetet. Është aty për t’i shërbyer krimit dhe njerëzve që e kanë ndihmuar të futen dhe të marrin atë karrige të vetën. Dhe kemi të gjithë botën perëndimore, që nga mediat e tyre, që ju besoj e dini shumë mirë që ka mbi 2 muaj që mediat e huaja ngrenë problematika të mëdha publike për sa i përket çështjes së demokracisë në Shqipëri. Dhe kemi pastaj edhe kancelaritë e tyre, të cilat janë shumë të shqetësuara dhe mendojnë se çfarë do bëjnë me Shqipërinë dhe raportet tona me të, nëse vazhdon kjo qeveri ende. Ky është problemi që edhe opozita ngre për të gjithë qytetarët tanë. Sepse ne nuk duam që qytetarët tanë të shkojnë azil kërkues në Francë, Hollandë e Gjermani. Ne si LSI themi që Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve. Pra hajde ta përmirësojmë, hajde ta ndryshojmë. Me këta njerëz që janë sot dhe kanë kapur sot shtetin nuk ka zgjidhje. Ne themi që duhet një zgjidhje, dhe duhet një zgjidhje alarmante. Kështu duhet t’i lexojmë ne mesazhet që na vijnë nga  partnerët tanë ndërkombëtarë, siç është edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit që është publikuar sot.

A është ky raport i reflektuar edhe në qëndrimet e diplomacive të huaja në Tiranë? Në qëndrimet që kanë mbajtur për situatën politike edhe për krimin e organizuar gjithashtu? Si mendoni?

Ka  disa reflektime, por duhet të keni parasysh që diplomatët flasin gjuhë diplomatike, politikanët gjuhë politike. Ndërsa shteti, pra Departamenti Amerikan i Shtetit flet me fakte. Flet me një gjuhë më të fortë. Dhe për mua është Departamenti Amerikan i Shtetit, ai i cili i ka nënvizuar dhe i ka theksuar të gjitha problemet e të gjitha çështjet dhe thotë gjeni zgjidhje për këto gjëra. Gjeni zgjidhje për këtë situatë ku demokracia është në pikëpyetje. Sepse sot shtetin e kemi të kapur. Ne sot nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese. Nuk kemi as Gjykatë të Lartë. Gjykatat e Shkallës së parë dhe të Apelit janë totalisht nën presionin e Vetting-ut. Dhe sot është e pakonceptueshme në asnjë vend të Bashkimit Europian, që një vend si Shqipëria që ka ratifikuar Konventën Europiane për të drejtat e njeriut, shqiptarëve u mohohet e drejta për të shkuar në Gjykatën Evropiane të të drejtave të njeriut. Është e pa konceptueshme kjo. Unë kam folur me kolegë tanë ndërkombëtarë që kanë ardhur në Shqipëri me delegacione të huaja, nuk e konceptojnë dot ata këtë gjë.

Mund të mos e konceptojnë dot, por zbatimi i Reformës në Drejtësi ka disa afate PëR implementimin e saj, çfarë ka shkuar gabim mendoni?

Afatet janë shkelur në shumicën e rasteve, por keni parasysh që në korrik të 2016, unë personalisht por dhe LSI-ja, e kam mirëpritur atë votë me 140 deputetë në Parlament pro reformës në drejtësi. Pra ne si LSI- kemi bërë çmos që reforma në drejtësi të gjente konsensus të gjerë nga të gjitha palët politike, në mënyrë që ky konsensus ta drejtonte të gjithë procesin më vonë dhe të mos kishte mundësi për tu deformuar gjatë rrugës. Çfarë ndodhi më pas ishte që ky konsensus pas prishjes së zgjedhjeve të 2017, pas marrjes në kontroll të Parlamentit, të qeverisë dhe të gjitha mekanizmave, absolutisht që ky proces ka pësuar deformime, ka pësuar kapje, ka pësuar prishje të frymës së 21-22 korrikut 2016 nga PS-ja, e cila ka bërë shumë aspekte të reformës të jenë të dyshueshme për integritetin e saj. Këtë gjë nuk e thotë LSI-ja, këtë e thotë edhe  operacioni ndërkombëtar i monitorimit, një organizëm të cilën ne si asnjë vend tjetër e kemi futur në Kushtetutën tonë. Pikërisht operacioni ndërkombëtar i monitorimit thotë se shumica e të zgjedhurve në organet e drejtësisë kanë probleme me integritetin. Këtë gjë thonë edhe ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët duan të shohin ecje dhe reforma reale, jo reforma në fjalë. Sepse për qeverinë e sotme edhe shëndetësia është falas, por në të vërtetë është falas? Nuk është falas. Për ta është bërë shumë edhe për studentët, por nuk është bërë. Për ta këtu ka vende pune, por vende pune nuk ka. Në të vërtetë shqiptarët janë larguar dhe po ikin nga Shqipëria, kërkojnë azil në vendet e BE-së, të gjejnë punë atje. Këtu nuk ka punë, nuk ka shpresë, nuk ka shëndetësi, nuk ka siguri.

Pra dua të them që ne kemi një panoramë diametralisht të kundërt ndërmjet qëndrimeve të qeverisë dhe mesazheve të ndërkombëtarëve dhe mesazheve të opozitës. Ne themi hajde të vendosim gishtin në plagë tek problemet reale të vendit popullit. Hajde ta lexojmë raportin e DASH, ashtu siç është dhe ta zgjidhim problemin. Këtë thotë opozita, sepse vetëm zgjidhja e problemeve mund të sigurojë një Shqipëri më të mirë për shqiptarët. Në të kundërt nëse vazhdojmë me këtë qeveri, që thotë këtu ka punësim, këtu ka shëndetësi, këtu ka siguri, këtu kemi rroga, këtu nuk i kemi rritur taksat thonë ata, nuk i kemi bërë këto gjëra. Pra është një realitet fallco.

Si mund të ndikojë opozita pas vendimit që ka marrë për të dorëzuar mandatet Parlamentare, si mendoni tani që është bërë thirrja për të qëndruar në Parlament dhe për të diskutuar si garant i demokracisë, tashmë që opozita është jashtë mendoni se e ka forcën për të prekur në plagë siç thatë ju?

Opozita absolutisht që e ka forcën dhe prandaj ne duhet të kemi në Shqipëri zgjedhje të reja dhe zgjedhje të parakohshme Parlamentare që të jenë të lira dhe të ndershme që të çlirohet shteti nga kapja e tij dhe këtë gjë thotë edhe raporti i DASH, këtë gjë e thonë edhe raporte të tjera ndërkombëtare sepse në të kundërt nëse ne vazhdojmë kështu do të kemi atë që thotë Holanda, do të na heqin edhe liberalizimin e vizave. Do na kthejnë një vend ku qytetarët shqiptar për të dalë jashtë kufirit, për të shkuar në vendet Shengen do të duhet prapë të kalojnë në radhët e gjata të vizave që ju e mbani mirë se si ishin dhe nuk do të kemi më standarde, do të mbyllen kufijtë nëse vazhdojmë me këtë qeveri. Këtë gjë e thotë Holanda nuk e themi ne si opozitë, nuk e thotë LSI-ja, nuk e them unë personalisht. Janë 3 parti që zyrtarisht kanë kërkuar që të shikohet, edhe unë mund t’ju them me bindje se e njëjta gjë ndodh në Francë për azilkërkuesit, ku jemi kthyer numri 1 në rajonin tonë  për azilkërkuesit, e njëjta gjë ndodh në Gjermani për probleme të tjera. Por vendet anëtare kanë problem edhe për zbatimin e marrëveshjes së stabilizim asocimit,  ku ju duhet ta mbani mend jo pak kohë më parë deputetët e tjerë të Parlamentit Europian kanë ngritur pyetjen e skemave PPP. Atyre skemave që ne kemi thënë janë thjeshtë skema korruptive për të marrë paratë nga xhepat e shqiptarëve për t’ia kaluar pesë oligarkëve dhe në këtë mënyrë për të pasuruar pesë veta, ndërkohë që mbi 500 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria dhe nuk i dihet e ardhmja e tyre sesi do shkojë.

Ndërkohë mendoni ju se në situatën politike që jemi duhet të reagojë Presidenti si një garantues edhe i Kushtetutës teksa nuk ka një Gjykatë Kushtetuese dhe si mund të ishte një lëvizje e Presidentit për të zgjidhur situatën politike?

Unë i kam ndjekur deklaratat e Presidentit dhe absolutisht nuk jam në gjendje që të komentoj mbi to pasi mendoj ai i ka të gjithë aftësitë e duhura për këtë gjë. Por ne si opozitë kemi qenë të qartë, prandaj kemi djegur mandatet, kemi thënë kjo çështje, kjo kapje e shtetit zgjidhet përmes rivendosjes të normalitetit. Si rivendoset normaliteti? Normaliteti vendoset me zgjedhje të lira edhe të ndershme. Normaliteti vendoset duke dëgjuar zërin e qytetarëve  dhe duke e çuar në Parlament sërish, nuk zgjidhet ky normalitet duke justifikuar qeverinë. Ne kemi vendosur si opozitë mos ta justifikojmë qeverinë,ta vendosim gishtin në plagë dhe të themi, kush janë problemet reale pse qytetarët shqiptarë sot janë pa punë. Pse qytetarët shqiptarë po largohen nga Shqipëria? Pse të rinjtë sot po largohen nga Shqipëria? Po ikin dita ditës po ikin se këtu nuk ka shpresë, nuk ka vizion për të zhvilluar vendin, këtu ka vizion vetëm për të kapur shtetin për të pasuruar pesë veta. Të tjerët vuajnë nga taksat. Vetëm këtu pranë tek kjo kodra këtu afër do ndërtohet një bllok i madh pallatesh, pra është një kodër e madhe e cila do mbushet me pallate, ajo sot është frymëmarrje për qytetin do mbushet me pallate, pse do mbushet me pallate thoni ju?

Pse është mbushur? Ka një bum ndërtimesh, shqiptarët kanë para për të blerë shtëpi thoni ju? Shqiptarët nuk po paguajnë dot energjinë elektrike, mendoni ju që Shqiptarët kanë nevojë për shtëpi? Shqiptarët po ikin nga Shqipëria se nuk kanë punë.

Si e shpjegoni atëherë?

Ta rikthejë edhe njëherë vëmendjen tek Departamenti Amerikan i Shtetit dhe raporti i tij. Po pastrohen paratë e pista, nga kjo gjë nuk fiton asnjë shqiptar, përfitojnë pesë veta, përfitojnë pesë grupe kriminale, përfiton Kryeministri i vendit dhe asnjë njeri tjetër. Dhe ne si opozitë i themi ta ndalojmë këtë gjë, ta ndalojmë këtë lidhje të qeverisë me krimin. Hajde ta rikthejmë demokracinë në vend, bëjmë zgjedhje të lira edhe të ndershme edhe pastaj vazhdojmë të gjitha reformat që kur të vijnë raportet e tjera të Departamentit Amerikan të Shtetit, por edhe mesazhet nga partnerët tanë në Bashkimin Europian. Të shohim një progres real, jo një fallco, jo një fasadë, jo shëndetësi falas apo vende pune apo mashtrime të tjera të qeverisë apo Kryeministrit të cilat nuk i bëjnë nder as atij vetë, por mbi të gjitha ne hallin e kemi më qytetarët.

E ka LSI-ja dhe opozita në bllok një plan të qartë se çfarë do të ndodhë në vijim me protestat por edhe me një platformë për qytetarët?

Kryetarja e LSI-së e ka bërë të qartë që edhe protestat do të jenë të vazhdueshme, do të jenë të qëndrueshme dhe ne do të vazhdojmë të protestojmë për hallet e qytetarëve. Ajo e ka bërë të qartë që kjo protestë nuk është politike, kjo protestë nuk është as për të zgjedhur Kryeministrin e radhës. Kjo protestë është për t’u ngritur përballë qeverisë fasadë dhe qeverisë të krimit të Edi Ramës, të vendosim problemin e qytetarëve dhe qytetarët të ngrihen, të mos jenë të nënshtruar sepse ne nuk jemi më në komunizëm jemi në demokraci. Në demokraci populli proteston për të drejtat e veta, dhe për sa i përket LSI-së, Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti që gjithmonë është shënjestruar nga mbajtja e fjalës, një parti që mendon për punësimin e qytetarëve, një parti që mendon për rritjen ekonomike dhe për mirëqenien e familjeve shqiptare. Programi jonë është ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë. Dhe si bëhet Shqipëria shtëpia jonë? Bëhet me punë, bëhet më ekonomi, bëhet duke ulur taksat, duke përmirësuar shëndetësinë, duke i mbajtur te rinjtë në Shqipëri. Se sot ti nuk ke mjek, kanë ikur mjekët i ka marrë Gjermania. Ti sot nuk ke profesionistë, pra sot ky vend po kthehet në një vend që thjesht po ndërtohen pallate për të pastruar paratë e krimit. Sistem demokratik nuk ka, shteti është i kapur, praktikisht qytetarët vuajnë, pushtetarët qeveritarët absolutisht janë në rregull sepse nuk kanë asnjë lloj problemi.