Epidemia e fruthit, akuza qeverisë për mosveprim

570
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, akuzoi sërish kryeministrin Rama për heshtje ndaj rikthimit të epidemisë së fruthit në Shqipëri. “Kryeministri ka qepur gojën dhe s’flet për epideminë e fruthit. Po mendon budallallëkun e radhës se si do dalë si triumfator nëpër podiume, kur epidemia të jetë ndalur dhe do tregojë broçkulla pa fund për suksesin e tij. Edhe media përcjell lloj-lloj dënglash që qytetarëve nuk iu duhen hiç dhe këtë ngjarje e ka nga të fundit, se më vlerë kanë batutat e trasha të një kryeministri të trashë”, u shpreh Vasili. Sipas tij, epidemia e fruthit vazhdon, ka raste të reja, ka pasur viktima, ka komplikacione serioze dhe qeveria nuk ka ngritur akoma institucionet që ligji ia detyron për menaxhimin e tij. “Do kujtohen të gjithë vetëm kur ta shohin fruthin te dera e tyre. Atëherë po, po, do bërtasin fort. Sa qesharake…..por edhe tragjike…”, u shpreh Vasili. Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton një katërfishim të rasteve me fruth në rajonin evropian, ku sëmundja ka prekur përreth 21,315 persona dhe ka shkaktuar 35 vdekje në vitin 2017 dhe po këtë vit epidemi të mëdha fruthi kanë prekur 1 në 4 vende evropiane. Me zgjerimin e hartës së qarkullimit të fruthit edhe në vendet kufitare me Shqipërinë si, në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Itali e më tej në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Rumani etj, rreziku i importimit u shtua. Në Janar të këtij viti u identifikua rasti i parë në Shqipëri dhe sot janë 162 raste të konfirmuar me fruth. Në këtë situatë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar masat për parandalimin, kontrollin dhe eliminimin e shpërthimit epidemik të fruthit, bazuar edhe në Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave më date 24 shtator 2010. Aktualisht po kryhet kontrolli në çdo qendër shëndetësore për evidentimin e të gjitha rasteve të dyshuara, kontrollin e imunizimit, kryesisht i vaksinës ndaj fruthit, zinxhirit ftohës, evidentimin e fëmijëve të prapambetur në kryerjen e vaksinimit, shkaqet e moskryerjes së vaksinimit dhe po nxitet nëpërmjet personelit përgjegjës, procesi i vaksinimit.
Sigal