Engjëll Musai: Politikani bëhet burrë shteti kur mendon për brezat dhe jo zgjedhjet e ardhshme

457
Sigal

Winston Churçilli: Politikani bëhet burrë shteti kur fillon të mendojë për brezat e ardhshëm e jo për zgjedhjet e ardhshme

Viti 2020, ardht i mbarë dhe plot begati për mbarë Kombin Shqiptar

Engjëll Musai

 Ky vit  që sapo lëmë pas nuk është si gjithë vitet e tjera. Madje, muajt e fundit të 2019-s do të mbahen mend dhe gjatë në memorien e çdo shqiptari dhe padyshim që që fundviti do të zërë vend në historinë dhe enciklopedinë shqiptare. Sigurisht jo në aspektin politik, as atë  social, ekonomiko- financiar dhe të varfërisë që duhet pranuar se është ulur këmbëkryq.  Në aspektin pluralist  jo dhe jo, as atë të Shtetit të së Drejtësë, pasi nuk është koha, vendi dhe momenti për kritika, sado të merituara që ato mund të jenë. Ky vit që po ikën, fatkeqësisht nuk mund të quhet vit gëzimi, sikurse ndodh kudo.

Për  Atdheun tonë  të dashur me emrin Shqipëri, këto janë ditë të vështira. Për të gjithë shqiptarët  kudo gjenden, por veçanërisht, për viktimat e këtij tërmeti dhe familjet e tyre në Durrës, Tiranë, Thumanë, Laç, Shijak,Vorë, Korcë dhe në zonat e tjera, ky fundviti solli plagë të mëdha të shoqëruara me pasoja të rënda, humbje njerëzore, dëmtime të banesave, pronës dhe pasurisë. Por kjo nuk do të thotë që ne shqiptarët, kudo që ndodhemi, të humbasim shpresën. Kombi ynë ka mbijetuar edhe në ditë më të tmerrshme të terrorit dhe ekzistencës së tij. Burrat dhe patriotët e vërtetë të Kombit  dallohen në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira, ata as nuk dëshpërohen dhe as nuk dorëzohen, por reflektojnë! Ndaj, këto nuk duhet të shikohen si ditë dëshpërimi, por duhet që, patjetër, të jenë ditë reflektimi, nga të parët e këtij Kombit sot dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi. Ky tërmet ka shkundur themelet e shumë ndërtesave, duke shkaktuar dhjetëra viktima, qindra të plagosur dhe ka lënë pa strehë qindra familje shqiptare. Por Kombi ynë është i pamposhtur, qytetarët janë njerëz vital dhe plot energji që dinë të ringrihen. Dhe këtë më mirë se kush na e tregon “Historia e popullit tonë në shekuj”. Këtë postulat dikur e shikonim, dëgjonim dhe e trajtonim si një shprehje të zakonshme dhe rutinë. Koha po tregon se të tilla vlera sot me shumë se kurrë i kemi domosdoshmëri. Mësimet më të mira i kemi trashëgimi nga  historia dhe për këtë mjafton të rendisim: Trimërinë dhe zgjuarsinë  e Heroit Kombëtar  Gjergj  Kastrioti Skënderbeu, rezistencën 500-vjeçare të okupimit otoman, Kongresin e Manastirit për  Gjuhën Shqipe, 28 Nëntorin e lavdishëm të Pavarsisë Kombëtare dhe vlerat e bashkimit të ideuara me qetësi dhe mënçuri nga Ismail Qemali, Luftën e Vlorës së 1920-s, padrejtësitë e Konferencës së Londrës, Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, nxjerrjen e vendit nga prapambetja mesjetare të shoqëruar me betejën për Liri -Demokraci dhe Fjalën e Lirë që nisi në sistemin njëpartiak,  por që u kurorëzua pas viteve ’90. Dhe të gjitha këto beteja kanë një protagonist i cili është Populli Shqiptar i cili ka ditur që në ditë të vështira dhe të rënda për fatet e Atdheut tonë të dashur me emrin Shqipëri ka evidentuar cilësitë e larta morale ku nënës i ka thënë NËNË, ujit i ka thirrur UJË dhe gjakut për mbrojtjen e vatanit i ka thënë GJAK.

Në emër të  gazetës “Telegraf” ju uroj gëzuar Viti e Ri 2020 ! Le të jetë ky vitë plot begati, lumturi dhe prosperitet për mbarë shqiptarët kudo që ndodhen, në Shqipëri apo jashtë saj për një jëtë dhe një të ardhme më të mirë. Jetojeni  mirë dhe me ndershmëri jetën, që kur të kujtoni  të shkuarën, të ndiheni  mirë për herë të dytë. Ndërsa për politikën shqiptare në mbarë trevat e saj urimit tonë do t’i shkonin për shtat fjalët e udhëheqësit të madh të Luftës së Dytë Botrore Winston Churçilli:  “ Politikani bëhet burrë shteti kur fillon të mendojë për brezat e ardhshëm e jo për zgjedhjet e ardhshme”.