Engjëll Musai: Parlamenti 100-vjeçar, deputetët e sotmë një shekull prapa!

585
Sigal

Nga Engjëll Musai

Drejtor i gazetës “Telegraf”

 

Si sot 100 vite më parë burrat e Kombit shqiptar, duke parë situatën kaotike dhe ujërat moçalore në të cilën ishte zhytur Shqipëria vendosën të mblidhen në Lushnje, në atë që tashmë njihet si Kongresi i Lushnjes. Dhe historia ka treguar se sa herë vendi ka lënguar, burrat e mençur dhe trimat nuk i kanë munguar vatanit. Ata janë mbledhur pa dallime fetare dhe krahinore duke lënë mënjanë pakënaqësitë e çastit, pasi për ta Shqipëria dhe Atdheu janë mbi gjithçka. Ajo që binte në sy në këtë Kongres, përveç mikpritjes dhe kujdesit për delegatët kishte të bënte me faktin domethënës se në sallën ku do të mblidheshin delegatët u vendosën fotot e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe ajo e Flamurtarit të Pavarësisë Ismail Qemal bej Vlora.

Ky Kuvend për nga rëndësia kritike në të cilën po kalonte Shqipëria u bë një barrikadë e pakapërcyeshme për armiqtë e Kombit dhe u tregoi Shteteve të Mëdha, që deshën ta copëtonin Shqipërinë midis shteteve fqinj, se ky vend ka burra që i dalin për zot dhe se shqiptarët janë pasardhësit e Gjergj Kastriotit që për vatan nuk kanë kursyer kurrë gjakun dhe për Liri, kanë shkrirë jetë dhe pasuri. Sikur të mos mjaftonte “Pakti i Fshehtë i Londrës”, i 26 Prillit 1915, i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë edhe në Dhjetor 1919, Fuqitë e Mëdha ishin marrë vesh që Italisë t’i jepnin Vlorën dhe Greqisë krahinën e Gjirokastrës si hap i parë drejt aneksimit të Jugut të Shqipërisë. Kongresi u angazhua nëpërmjet delegatëve të pranishëm që të nisnin protestat dhe të organizohej ushtria popullore për mbrojtjen dhe shpëtimin kombëtar, për t’u treguar Fuqive të Mëdha që ky vend nuk lejon më të luhet me të dhe që trungut mëmë ‘ti priten këmbët dhe krahët. Kjo bëri që ushtarët italianë të largohen nga Vlora dhe Gjirokastra t’i mbetej Shqipërisë. Në seancën e pasdites së 31 Janarit 1920 Kongresi zgjodhi anëtarët e Senatit. Dhe mori një vendim të rëndësishëm ku Tirana do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Kongresi zgjodhi Këshillin Kombëtar, i cili do të luante rolin e Parlamentit. Si dhe u zgjodh qeveria, me Kryeministër Sulejman Delvina.

Organizatori i këtij Kongresi Kryetari i Bashkisë Besim Nuri, më 17 mars 1920 i dërgon një letër Presidentit Amerikan Wilson, Presidenti i SHBA-ve, në të cilën ai në emër të shqiptarëve e falënderonte për mbështetjen që Amerika dha në mbrojtjen e territoreve dhe shpëtimin e atdheut të tyre. Madje Besim Nuri nuk nguronte të deklaronte se SHBA-të janë shpresa dhe garancia e vetme për Kombin Shqiptar dhe për këtë shqiptarët do tu jenë përjetësisht besnik Amerikës. Kjo ishte arsyeja që në shtator, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Ai mori në shqyrtim planet e Konferencës së Paqes së Parisit në lidhje me Shqipërinë, duke i quajtur ato të papranueshme. Kongresi zgjodhi gjithashtu një Këshill Kombëtar, i cili do të luante rolin e parlamentit. U zgjodh edhe qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina Kryeministër. I përmenda këto fakte historike për të treguar vlerat e padiskutueshme të atyre që quhen Burra Shteti.

Dhe të gjithë delegatët e Kongresit të Lushnjes ishin Burra Shteti, pasi nuk menduan për vete por menduan për të ardhmen e Kombit, ashtu sikurse do të theksonte më vonë Wiston Çurçill: “Politikani bëhet burrë shteti kur fillon të mendojë për brezat e ardhshëm e jo për zgjedhjet e ardhshme”. Ndaj në këtë 100-vjetor të parlamentarizmit shqiptar, pyetja në të cilën të shkon mëndja vetvetiu është: A janë politikanët shqiptarë dhe, sidomos parlamentarët që do fillojnë sot seancën në Kuvendin 100-vjeçar të Shqipërisë “Burra dhe Gra – Shteti”?!.

Fatkeqësisht, Jo. Shumica dërrmuese e atyre që sot do shkojnë të riulen në tempullin e Demokracisë, Pavarësisë dhe Lirisë së Kombit janë mediokër, analfabetë funksional dhe një pjesë tjetër të lidhur më bandat ,krimin dhe babëzinë. Sot në Kuvendin e Shqipërisë duhej të ulej “Ajka e Kombi” dhe populli e di mirë që ajka del nga tërësia e qumështit, i bardhë, i shëndetshëm dhe plot ushqim për këtë vend, që më shumë se kurrë është zhytur në varfëri, mjerim dhe fatkeqësi.

Nëse Burrat e Kongresit të Lushnjes vendosën t’i bëjnë thirrje popullit të çohen me armë në dorë të mbrojnë Shqipërinë nga copëtimi, këta PUSHT-ETARË të sotëm kanë bërë që Shqiptarët të arratisen nga sytë këmbët nëpër botë prej mjerimit dhe krimit. Sot inteligjenca që na përfaqëson në Kuvendin e Shqipërisë është rreth 1 shekull prapa, 20 Janarit të 1920. ….

Një pjesë e deputetëve të sotëm nuk dinë të lexojnë asnjë rresht, pale t’i pyesësh për tabelën e shumëzimit dhe pjesëtimit. Korrupsioni politik i tejzgjatur zëvendësoi burrat e Shtetit të Kongresit të Lushnjes me “sojin dhe sorollopin” që kanë gjetur strehë në godinën e Kuvendit, duke zëvendësuar: vesin me virtytin, moralin me amoralin, ndërtuesin me rrënuesin, shërbyesin me rrëmbyesin, sojliun me sojsëzin, njeriun e besës me të pabesin, vrasësin me viktimën, fatkeqin me të keqin, engjëllin me djallin. Burrat e Shtetit që organizuan Kongresin e Lushnjes mbi gjithçcka vunë arsyen, ndaj do t’i takojnë përjetësisht, Kombit shqiptar dhe qytetrimit modern.