Sigal

Prononcimi i deputetit të LSI-së, Endrit Braimllari nga protesta e Unazës së Re

Në fakt ato çka tha Klevisi janë të gjitha të vërteta, sepse vetëm ditën e enjte në seancë plenare, nuk na u dha e drejta e fjalës për të dhënë mendimin tonë për të folur si deputetë për aferat korruptive të kësaj qeverie. Edi Rama dhe gjithë Rilindja e tij kanë frikë të përballen me deputetët e opozitës. Kanë frikë të përballen sepse janë të mbytur në skandale. Janë të mbytur në korrupsion dhe i ka dalë sheshit mashtrimi i tij përballë qytetarëve të këtij vendi. E mbani mend shumë mirë se çfarë thoshte Edi Rama: që do pastrojmë administratën publike, që do emërojmë njerëz të aftë në administratën publike, që do vendosim njerëz që do t’i shërbejnë qytetarëve, që nuk do ketë më punësime partiake.

Por çfarë u vërtetua? Nga përgjimet e dosjes së famshme 339, përveç shitblerjes së votës, manipulimit të votuesve, deformimit të vullnetit me krimin e organizuar, u vërtetua qartazi që Edi Rama dhe deputetët e tij ndërhynë për të bërë emërime politike në administratë publike. Pra kjo vërteton që Edi Rama është një mashtrues. Që Edi Rama ka mashtruar opinionin publik, por mbi të gjitha ka dhunuar rëndë ligjin e nëpunësit civil. Këtë ua thashë për të kuptuar çdo shqiptar se çdo fjalë që Edi Rama thotë, çdo gjë që Edi Rama bën ka nga pas një vepër korruptive ose kriminale. E tillë është edhe afera e Unazës së Re. Është një vepër korruptive.

Edi Rama iu tha juve këtu që paratë e Unazës së Re për dëmshpërblim do i çojë për shkolla, çerdhe e spitale. Por në fakt u vërtetua që ato para nuk shkonin për kopshte, çerdhe dhe spitale, por shkonin drejtpërdrejtë në xhepin e Edi Ramës, Damian Gjiknurit dhe Afrim Qëndros. Sot kjo Rilindje po tallet hapur me shqiptarët. Por dëgjoni me vëmendje, ministra që i lenë detyrën ministrave të tjerë, hajdutë që kanë rrjepur qytetarët e këtij vendi i thonë ministrave pasardhës që vazhdoni me projektet tona. Me kë projekt të vazhdojnë, me projektin e hajdutërisë, me projektin e vjedhjes së çdo qindarke të qytetareve të këtij vendi. Ndaj sot ka ardhur koha që të gjithë së bashku të vazhdojmë protestat. Protesta e Unazës së Re është e veçantë sepse janë mbi 76 ditë ku banorët protestojnë. Dhe ju i keni dhënë një mesazh shumë të qartë, jo vetëm Edi Ramës, jo vetëm kësaj qeverie por me ju janë sensibilizuar të gjithë shqiptarët anë e mbanë vendit. Sepse ju protestoni për një të drejtë legjitime, për pronën që është gjëja më e shtrenjtë. Nuk mundet Edi Rama të dhunojë pronën, nuk mundet të marrë pronën tuaj dhe të shqiptarëve që e keni ndërtuar me djersë dhe gjak  këto vite. Sepse Edi Rama nuk kupto  sakrificat e shqiptareve, nuk kupton mundin e shqiptarëve për të edukuar fëmijët e tyre. Nuk kupton që prindërit paguajnë taksa shumë të larta, nuk kupton që prindërit paguajnë tarifa shumë të larta universiteti për shkak të politikave klienteliste të Edi Ramës. Edi Rama nuk kupton që në këtë vend nuk ka më mundësi punësimi. Më thoni, a keni dëgjuar ndonjë ministër të Edi Ramës të flasë për vende të reja pune. Nuk ka mundësi punësimi sepse nuk ka alternativë. Sepse alternativa e Edi Ramës është oligarkia dhe krimi i organizuar. Kemi përballë një qeveri arrogante, kemi përballë një qeveri që nuk i do qytetarët e vendit. Kemi përballë një qeveri që nuk ka dalë me votat e shqiptarëve por me kriminelët duke dhunuar dhe deformuar vullnetin e shqiptarëve. Ndaj ju bëj thirrje, për të gjitha këto arsye, të bëhemi të gjithë bashkë të vazhdojmë protestën e Unazës se re sepse kësaj proteste do ti bashkohen shumë qytetarë të tjerë sepse fundi i Edi Ramës është i afërt dhe i shpejtë. Sepse Edi Rama ka rënduar mbi qytetarët e këtij vendi dhe shqiptarët nuk do tia falin këtë fatkeqësi kombëtare që Edi Rama ka vendosur në këtë vend. Ndaj ju vazhdoni protestën fort por të jeni të bindur që me ju dot ë jetë e gjithë Shqipëria dhe Edi Rama do të ketë një fund tyë hidhur. Fundi i tij do të jetë tipik siç është fundi i diktatorëve.