Endrit Braimllari: Afera korruptive e Unazës së Re thirrje për domosdoshmëri e Vettingut në politikë

501
Sigal

Të nderuar kolegë,

Seanca e sotme është e një rëndësie të veçantë, pasi vetë kjo mazhorancë, kjo qeveri e ka future Shqipërinë në këtë siklet të madh sepse kjo që flasim ne sot nuk ka të bëjë vetëm me deputetët që janë në këtë sallë por ka të bëjë me atë çka qytetarët shqiptarë e ndiejnë kudo, anë e mbanë vendit. Sot qytetet e vendit janë në dorë të krimit të organizuar. Dhe këtë e dini shumë mirë, ju që jeni pjesë e mazhorancës,  por e dinë më mirë se ju qytetarët. Pse sot vendi është në duar të krimit të organizuar? Sepse është një lidhje shumë  e fortë e krimit me mazhorancën, një lidhje shumë e fortë e krimit me këtë kryeministër. Dhe këtë nuk e them unë, por e thonë raportet e antimafias. Këtë nuk e them unë por e thonë përgjimet e antimafias italiane. Këtë e thonë përgjimet zyrtare të Prokurorisë shqiptare. Kryebashkiakë të lidhur me krimin e organizuar që bëjnë pazare votash, ku ministra të lidhur me krimin e organizuar,  i thërrisnin deputetët e kësaj mazhorance një nga një në zyrë dhe i ndanin parcelat e hashashit si ndere për ti marrë dhe suportin brenda partisë por dhe si ndere për të blerë votuesit. Ky kryeministër, i cili nuk është sot prezent në sallë hartoi projektin më famëkeq  për Shqipërinë, hartoi projektin politik të tij të kanabizimit të vendit. Kanabizoi vendin, e mbushi Shqipërinë me drogë dhe për rrjedhojë shkatërroi të gjithë jetën sociale dhe në finale inkriminoi gjithë shoqërinë, sepse çdo gjë që ndodh sot, është rezultat i këtij projekti politik të Edi Ramës. Që është drejtuar drejtpërdrejt nga Edi Rama. Nuk është ndonjë kënaqësi e madhe për ne të kërkojmë Vetting për politikanët, sepse Vettingu për politikanët nuk kërkohet në një vend normal por Shqipëria është futur në anormalitet. Është futur në këtë situatë për shkak të Edi Ramës. Keni deklaratën e Prokurorit të Antimafies Italiane, ku thotë shumë qartë që roli i mafies shqiptare është fuqizuar në të gjithë rajonin por dhe në Europë. Sepse mafia shqiptare ka suport politik, ka suportin e Edi Ramës. E mbani mend, nuk flitet më sesi fikeshin radarët që monitoronin pikën kufitare, me urdhër politik të ministrave, të drejtorëve të policisë, por edhe të kryeministrit. E mbani mend si krekoseshin trafikantë anë e mbanë vendit që kishin njerëzit e tyre në pikën e monitorimit të kufirit. Nga ana tjetër Shqipëria, por kryesisht Tirana po përballet me një krim shtetëror. Prej 50 ditësh banorët e Unazës së Re janë në protestë. Janë në protestë për të drejtën e tyre themelore për të mbrojtur pronën private, e cila mbrohet edhe në Kushtetutën e vendit. E mbani mend çfarë tha Edi Rama ditën e parë kur ata banorë filluan protestën? Tha nuk kam para për t’iu dëmshpërblyer, sepse paratë tuaja të dëmshpërblimit do i çoj për kopshte, për çerdhe dhe për spitale. Çfarë u vërtetua? Që Edi Rama, Damian Gjiknuri, Afrim Qëndro, 18 milion euro nuk i çonin për shërbime publike, por i çonin drejtpërdrejtë në xhepin e tyre duke i transferuar në kompani offshore.

E mbani mend kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste që i bënte thirrje banorëve të lironin rrugën sepse një grup i vogël njerëzish po mbajnë peng zhvillimin e Tiranës. Dhe me thënë të drejtën ata banorë janë të gjithë për zhvillimin e Tiranës. Nuk duan ata të pengojnë proceset zhvillimore të qytetit. Por shumë shpejt u vërtetua që këto deputetë, ministra, Arben Ahmetaj e të gjithë me radhë, kryeministri i vendit Edi Rama, do investonin 60 milion euro dhe duke ndryshuar edhe shtratin e lumit Lana me qëllim që nga 180 familje të shkonte në 800 banesa prishja. Pra nuk kanë pasur sikletin e qytetarëve  për zhvillimin, por kanë pasur sikletin dhe hallin e xhepit të tyre.

Ndaj është i rëndësishëm Vettingu në politikë. Ndaj sot ju keni vetëm një rrugë. Nëse doni të shkëputeni nga krimi i organizuar, nëse doni ta largoni këtë nga qeveria, ta shkëpusni dhe ta ndihmoni edhe ju Edi Ramën që të largohet nga telefonat që i vijnë herë pas here nga drejtues anë e mbanë vendit, votoni këto ndryshime me qëllim që të shpëtoni së pari Partinë Socialiste të kapur peng. Por t’i jepni një zgjidhje të gjithë shqiptarëve. Nëse votoi kundër tregon që s’keni vullnet për ta çuar përpara këtë projekt dhe të jeni të bindur që revolta popullore do t’iu godasë jo me shuplakë, por me një grusht shumë të rëndë. Sepse të gjithë ju jeni bërë pjesë e kësaj skeme kriminale.