Emigrimi, kuçedra që po gllabëron çdo vit nga 1 qytet

118
Sigal

KRIZA/ Vetëm në 2022-in, rreth 50 mijë shqiptar ikën në emigrim, duke boshatisur vendin çdo vit me 1 qytet. Shqipëria po pakësohet dhe plaket më tej, ku gjysma e popullsisë është mbi 38.8 vjeç nga 25 vjeç që ishte në 1992. Vit pas viti, fenomeni i emigracionit po merr përmasa alarmante duke përfshirë studentët dhe të rinjtë. Sipas sondazhit në Universitetet e Tiranës në çdo 55 student vetëm 7 duan të qëndrojnë në Shqipëri pas mbarimit të fakultetit. Kjo është drama më e madhe në historinë e Kombit shqiptar.

Popullsia e Shqipërisë ka shënuar rënien më të lartë në tre vjet, që nga periudha e pandemisë, duke u tkurrur me 1.1%, ose 318 mijë persona më pak. Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2023 rezulton 2.761.785 banorë, duke pësuar rënie me 1,1%, krahasuar me 1 janar 2022. Rënia ka ardhur si rrjedhojë e ikjes së një pjese të popullsisë në emigracion, ndërsa u kthyen më pak persona. Nga ana tjetër, popullsia nuk po shtohet në mënyrë natyrore, pasi numri i vdekjeve është pothuajse i njëjtë me atë të lindjeve. Gjatë vitit 2022, shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) regjistroi 690 lindje më shumë se sa vdekje, që është niveli më i ulët historik, me përjashtim të periudhës së pandemisë. Numri i emigrantëve ishte 46.460 persona: 10,5% më shumë, krahasuar me vitin 2021. Nuk ka vetëm të ikur, pasi rezulton të jenë rritur dhe personat që kthehen në vend. Numri i imigrantëve në vitin 2022 ishte 13.963 persona: 51,9% më shumë, krahasuar me një vit më parë. Sipas INSTAT, migracioni neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve) shënoi një përmirësim të lehtë, krahasuar me një vit më parë: nga -32.853 në -32.497 banorë në 2022.

Shqipëria plaket më tej, gjysma e popullsisë mbi 38.8 vjeç

Ikja e popullsisë në emigracion, kryesisht në moshë të re dhe rënia e lindjeve po sjellin një rritje të moshës mediane, që është mosha që e ndan popullsinë përgjysmë. Sipas INSTAT, Në 1 janar 2023 mosha medianë e popullsisë rezulton 38,8 vjeç nga 38,2 që ishte më 1 janar 2022, që nënkupton që gjysma e popullsisë në vend është nën 38.8 vjeç dhe gjysma mbi këtë moshë. Në 1 janar 2023 raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua, krahasuar me 1 janar 2022: nga 24,0 % në 23,8%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit: nga 23,1% në 24,4% gjatë të njëjtës periudhë. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej më 1 janar 2023 ka pësuar rënie, në krahasim me 1 janar 2022: nga 98,6 në 98,0 meshkuj për 100 femra. Raporti gjinor në lindje pësoi rënie të lehtë, duke shënuar vlerën 107,4 në vitin 2022, nga 107,6 që ishte në vitin 2021. Gjatë vitit 2022 lindën 24.688 foshnja, duke pësuar një rënie prej 9,3%, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2022 ishte 23.998 persona, duke pësuar një rënie prej 21,3%, krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2022 numri i emigrantëve ishte 46.460 persona: 10,5% më shumë, krahasuar me vitin 2021. Numri i imigrantëve ishte 13.963 persona: 51,9% më shumë, krahasuar me një vit më parë.

Tirana, Durrësi dhe Fieri kanë peshën më të lartë në popullsinë gjithsej.

Më 1 janar 2023 Tirana zë rreth 33,5% të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10,5% dhe 9,8% përkatësisht. Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre zënë respektivisht nga 1,9% deri 4,1% të popullsisë gjithsej.

Studentët e viteve të fundit të Politeknikut priren të emigrojnë më shumë

 Vit pas viti, fenomeni i emigracionit po merr përmasa alarmante, duke përfshirë segmente të shoqërisë me aftësi si studentët e Universitetit Politeknik.

Universiteti Politeknik i Tiranës organizoi Panairin e Tretë të Punës pranë godinës qendrore, ku morën pjesë më shumë se 50 biznese.

Shumë prej studentëve plotësuan formularët përkatës pranë kompanive, për t’iu nënshtruar më pas intervistave për punë dhe pse jo për t’u punësuar.

Studentët pohojnë se pritshmëritë për panairin u përmbushën disi, pasi kompanitë ishin të gatshme të ofronin mundësi punësimi ose praktika me dhe pa pagesë.

Edhe pse ofertat për studentët e këtij universiteti janë të larta, ata thonë se ende nuk janë të duhurat. Paga dhe mungesa e vizionit nga tregu i punës në Shqipëri janë faktorët kryesorë që i çojnë drejt emigrimit.

Nga 55 studentë të pyetur në panair, vetëm 7 prej tyre donin të qëndronin në Shqipëri pas përfundimit të studimeve. Kjo është një shifër alarmante për vendin tonë, i cili po vuan mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar për të cilën këto biznese kanë shumë nevojë.

Ajo çfarë është më shqetësuese është se shpresa për këta studentë shuhet vit pas viti, 7 studentët që thanë se duan të qëndrojnë në vend janë në vitin e parë ose të dytë, ndërsa pjesa tjetër janë në vitet e fundit të studimeve master ose në vit të tretë në bachelor.

Admir Muçaj, student në vitin e dytë master, thotë se në momentin që do të marrë një ofertë të mirë nga jashtë, do të largohet.

“Dëshiroj shumë të qëndroj në vendin tim dhe pres një mundësi pune këtu, është hera e dytë në panair dhe deri më tani nuk kam gjetur një punë që më përshtatet. Jam i sigurt që tregu europian më ofron mundësi, pagë dhe mjedis më të mirë se këtu, ndaj pasi të mbaroj studimet, dua të largohem”.

Studentë të tjerë të vitit të tretë të inxhinierisë elektrike shprehen se pagesat që ofron tregu janë të barabarta me një punë në një call center, që nuk kërkon ndonjë specializim. Ata pohojnë gjithashtu se një punë praktike është shumë e nevojshme dhe e rëndësishme, pasi praktikat e studimit në universitetet publike në vend nuk janë shumë koherente me tregun.

Prandaj, panairet e punës janë shumë të rëndësishme që ata të gjejnë mundësinë dhe përvojën e duhur për t’i përgatitur për tregun e huaj.

Mërgim Byberi, nga Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme, thotë se kompanive në vend u mungon vizioni, oferta e duhur për të mbajtur fuqinë punëtore të kualifikuar në Shqipëri.

“Çdo vit e më shumë po shohim që studentët kërkojnë të largohen, studentë të ekselencës që janë të aftë dhe të përgatitur më së miri për tregun shqiptar të punës, sepse u mungon oferta. Kur them oferta, nuk them, se nuk ka punë, ka, por jo me ofertat e duhura. Kompanitë në vendin tonë nuk kanë vizion, nuk ofrojnë sigurinë e duhur dhe më e rëndësishmja, pagën që meriton specializimi i këtyre studentëve. Fenomeni është më shqetësues pasi vetëm studentët në vitet e para duan të qëndrojnë në vend, shpresa që studentëve të viteve të fundit duket se u është zbehur pak nga pak pas çdo sezoni.

Eljona Milla, studente në vitin e parë të arkitekturës, thotë se nuk dëshiron të largohet, pasi beson se tregu vendas do t’i plotësojë kërkesat e saj.
“E di që një pjesë e madhe e shoqërisë sime dëshiron të largohet. Megjithatë mendoj se këtu në Shqipëri ka ende mundësi të mira punësimi, nuk dua të largohem në të ardhmen, por kjo do të varet shumë edhe nga studimet dhe specializimet që do të bëj. Mendoj se jam në rrugën e duhur dhe se ky panair më ka ndihmuar të zgjedh disa opsione për të ardhmen”.

Por ka edhe histori suksesi që tregojnë më së miri se sa e rëndësishme është të gjesh mundësinë e duhur.

Mine Bushi, ish-studente në Universitetin Politeknik, thotë se ka arritur të gjejë mundësinë e duhur për të qëndruar në vend dhe nuk do të donte të largohej. Ajo shprehet se pikërisht ky panair një vit më parë e ka ndihmuar atë.