Emigracioni trondit Policinë: 80% kanë aplikuan për lotari

476
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Emigracioni trondit Policinë e Shtetit, 80% e saj ka aplikuar lotari për t’u larguar nga Shqipëria

183 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në një nga vendet e BE-së, gjysma në Gjermani

Në vitet 2015-2017 mbi 300 mijë shqiptarë u larguan nga Shqipëria, për të kërkuar azil ekonomik në vendet e Evropës, kryesisht në Gjermani, Francë, për shkak të kushteve të mjerueshme ekonomike. Ky ishte eksodi i dytë më i madh, që ndodhte në Shqipëri, pas viteve 1991, ku shqiptarët, masivisht, braktisën fshatra të tëra, kryesisht në zonat veriore dhe juglindore të vendit…

Eksodi i tretë i shqiptarëve…

Nga të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se 167 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet anëtare të Bashkimit Evropian për periudhën 2011-2017. Ndërsa vetëm për 11 mujorin e vitit 2018 janë shtuar edhe 16 mijë aplikime të tjera, duke e çuar numrin total të aplikantëve në 183 mijë. Më shumë se gjysma e individëve që kanë emigruar për periudhën 2011-2017 kanë aplikuar për azil. Azilantët përbënin 53% të të larguarve. Referuar shteteve, pjesa më e madhe e kërkesave për azil gjatë periudhës 2011-2017 janë përqendruar në Gjermani. Sipas të dhënave për Eurostat ka pasur 90,335 kërkesa nga shqiptarët, ose 54% e kërkesave totale. Përveç individëve që kanë aplikuar për azil është rritur edhe numri i të larguarve me kontrata pune drejt Gjermanisë. Aktualisht Gjermania është një destinacion i preferuar për profesionet e mjekëve dhe infermierëve. Së fundmi, qeveria gjermane ka prezantuar një legjislacion më në favor të emigrantëve për pajisjen e tyre me leje qëndrimi. Vendi i dytë me numrin më të lartë të azilantëve është Franca, me rreth 40.6 mijë aplikime, ose 24%. Vitet e fundit Franca zinte vendin e parë për numrin më të lartë të aplikimeve të shqiptarëve, duke qenë se Gjermania ndoqi politika më shtrënguese për pranimin e kërkesës duke qenë se iu dha prioritet aplikimeve të individëve që largoheshin nga konfliktet.

80% e policëve kanë aplikuar lotari për t’u larguar

Kushtet e vështira të punës, pagat e ulëta, mosmarrja e shpërblimeve të premtuara, mosrritja e pagës në 4 vitet e fundit, kanë bërë që shumica e policëve të Policisë së Shtetit të mos duan më të qëndrojnë në detyrë, por kërkojnë që edhe këta të braktisin Shqipërinë dhe të kërkojnë një punë të çfarëdoshme në emigrim. Sindikata e Policisë së Shtetit në mënyrë të vazhdueshme e ka ngritur pranë qeverisë, pranë ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit shqetësimet ekonomike të policëve, që janë në kushte të mjerueshme, por, siç ndodh kudo, qeveria ka heshtur, duke i injoruar shpërfillshëm këto kërkesa të sindikatës së policëve.

Letra e policëve drejtuar kryeministrit për kërkesa ekonomike

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Rama, që mban datën 18 dhjetor, sindikata e policisë kërkojnë plotësimin e 11 pikave. Ndër më kryesoret janë paga e 13 dhe pagesa e orëve shtesë. Shkresa u dërgua në emër të 7 mijë efektivëve, sipas te cilëve kushtet e vështira në punë janë bërë të papërballueshme për ata dhe familjet e tyre. Efektivët e policisë pretendojnë se janë më pak të paguar në krahasim me homologët Evropianë, ndërsa prej vitit 2014 paga e tyre nuk ka pësuar rritje. Sindikata e policisë vëren se 80% e efektivëve kanë aplikuar për lotarinë Amerikane, ndërkohë që 70% familjeve të policëve jetojnë janë nën minimumin jetik – thuhet në shkresë. Punonjësit kërkojnë pagesën e Dietave të prapambetura nga 2017. Por situata është edhe më alarmante për punonjësit e policisë së Tiranës. Orët suplementare nuk janë paguar nga viti 2016 për disa nga komisariatet. Një pikë tjetër në kërkesat e sindikatës së policisë drejtuar shefit të qeverisë është edhe sigurimi i jetës në rast aksidenti në punë dhe përfitimi i banesave falas për familjarët e policëve që kanë humbur jetën ne krye të detyrës. Në pikën e fundit, kërkesa e përhershme e punonjësit e policisë: Uniforma blu të sigurohet falas dhe zëvendësimi i saj të bëhet pa pagesë, gjë që nuk ka ndodhur deri tani.

Ikin specialistët dhe të kualifikuarit nga Shqipëria

Rrugën e kurbetit e kanë marrë të gjithë shqiptarët e kualifikuar, kryesisht ato profesione që kërkohen në Gjermani dhe Itali. Kështu, Gjermania ka nevoja të mëdha për fuqi punëtore për infermierë, mjekë, kujdestarë të çerdheve, hidraulikë, ndërtues, elektricistë, marangozë, ndërsa në Itali kanë emigruar edhe berberët, edhe rrobaqepësit. Gjithashtu, nga Shqipëria ikin të gjithë studentët dhe të diplomuarit, të të gjitha fushave të shkencës, për të kërkuar një fat më të mirë në jetë, pasi në Shqipëri, u është vrarë edhe shpresa e së nesërmes. Nuk është e largët dita, që në Shqipëri të mbeten vetëm punonjësit e administratës publike dhe pensionistët, si edhe …deputetët.