Emërimet, “kalojnë” në Konferencën e Kryetarëve, PS: Duhen disa rregullime

495
Sigal

Konferenca e Kryetarëve shqyrton kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për ligjshmërinë e emërimeve në administratën publike.

 Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, Konferenca e Kryetarëve u mblodh sot me praninë e Zëvendëskryetarëve të Kuvendit dhe krerëve të grupeve parlamentare e komisioneve kuvendore për të diskutuar mbi kërkesën e paraqitur nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, për ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë, gjatë periudhës 15 shtator 2013-31 maj 2014 në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore.

Kërkesa u paraqit nga nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, z. Eduard Halimi, i cili vuri në dukje se kërkesa e paraqitur mbështetet në Kushtetutën e Republikës, në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Opozita, ju e keni parë se ka bërë disa gjetje, disa deklarime lidhur me emërime në detyra në administratën shtetërore, që janë të bazuara jo në meritë, por janë të bazuara në të tjera motive dhe që këta persona ose kanë patur rekorde kriminale ose kanë qenë të dyshuar për lidhje me narkotrafikun,” tha z. Halimi.

Më tej, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD-së tha se ky hetim është në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë, ndërsa kujtoi se ka edhe një precedent parlamentar të shënuar në vitin 2005 kur me kërkesë të opozitës në atë kohë është ngritur një komision hetimor parlamentar për largimet nga administrate publike.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Gramoz Ruçi u shpreh dakord në parim për ngritjen e një komisioni të tillë, por ai paraqiti disa sugjerime në planin formal, si dhe lidhur me afatin dhe objektin e kërkesës. “Ky nuk është një fenomen i ri , nuk është i kohëve të fundit dhe që të arrihet në një konkluzion është shumë mirë që pozita dhe opozita të arrijnë në një konkluzion dhe të bëjnë një punë të përbashkët. Lidhur me afatin e shtrirjes së hetimit parlamentar të fillojë nga 2009-ta dhe të përfundojë në 2014-n. Pra të shtrihet në pesë vitet e fundit. Sugjerimi i dytë lidhur me objektin, mendoj se duhet rikompozuar pa ndryshuar thelbin e objektit. Zbatimi i ligjshmërisë në emërime, absolutisht jemi dakord me këtë. Por bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mënyra sesi është kompozuar që në objekt ka paragjykim për çështjen. Le t’ia lëmë përfundimet hetimit, mjafton që çështja është e qartë: zbatimi i ligjshërmisë për emërimet në administratën publike dhe entet shtetërore,” tha z. Ruçi.

Duke u ndalur në çështjen e mandatit të komisionit, z. Ruçi tha se do të ishte më mirë që komisioni të punonte për një periudhë dy-mujore dhe të përfundonte punën brenda këtij sesioni.

Lidhur me propozimet për objektin dhe terminologjinë z. Halimi u shpreh se kjo është një çështje që mund të diskutohet dhe për të cilën mund të bihet dakord në seancë plenare. Ndërkaq, mandati i komisionit sipas tij mund të zgjidhet duke rënë dakord që komisioni të fillojë punën në shtator. Por, përsa i përket propozimit për shtrirjen e afatit të hetimit duke filluar prej vitit 2009, z. Halimi tha se kontrolli parlamentar është një instrument në duart e opozitës për të kontrolluar qeverinë dhe për rrjedhojë opozita nuk mund të hetojë për periudhën kur vetë ka qenë në qeverisje dhe nga ana tjetër as mazhoranca nuk mund të hetojë qeverinë.

Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, z. Spartak Braho tha se kërkesa e paraqitur kërkon ngritjen e një komisioni hetimor që nuk është i opozitës por i Kuvendit. “Opozita bashkë me mazhorancën ngrenë një komision parlamentar për të hetuar një fenomen të caktuar që lidhet me shkeljet e ligjshmërisë në emërimin e personave. Objekti nuk është domen i opozitës. Gjykata Kushtetuese thotë se mazhoranca dhe opozita duhet të merren vesh mes tyre për objektin. Ngritja është e domosdoshme, por objektin ne do ta diskutojmë së pari këtu në Konferencën e Kryetarëve dhe pastaj në seancë plenare. Ne do të verifikojmë tërë problematikën e emërimeve qoftë edhe në 2007-ën, qoftë edhe në 2005-ën, qoftë edhe në 2009-ën, siç propozoi z. Ruçi. Të evidentojmë problemin e madh që sa herë ndryshojnë mazhorancat ndryshon edhe administrata. Ky është qëllimi,” tha z. Braho, duke sugjeruar rregullime në objektin, afatin kohor të hetimit dhe qëllimin e ngritjes së komisionit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili u shpreh dakord me propozimet e z. Ruçi. Por sipas z. Vasili diskutimi lidhur me ekskluzivitetin e opozitës për të përcaktuar objektin e hetimit dhe afatin është një diskutim pa përmbajtje. “Ne ngremë komisionin, për të hedhur dritë mbi një fenomen që ka shfaqjet e veta të papërputhshmërisë ligjore dhe të hedhë dritë mbi të dhe ta përmirësojmë. Zgjerimi i objektit pra i afatit na ndihmon pikërisht për këtë gjë dhe themi se është vërtetuar që ka probleme të tilla edhe sot, edhe më parë. Ka qenë shqetësim i raporteve të partnerëve ndërkombëtarë që monitorojnë Shqipërinë dhe të hedhim gjithë dritën e duhur. Në fund të hetimit të çështjes të kemi edhe disa vendime të tjera që do të burojnë, mbase edhe ndryshime legjislative dhe të kemi një përgjigje si Parlament, një pushtet i pavarur, për të bërë më të mirën dhe për të qetësuar këtë politikë lidhur me emërimet,” tha z. Vasili.

Nga ana e tij, kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, z. Erjon Braçe pati vërejtje lidhur me faktin që në objektin e hetimit sipas propozimit të Grupit Parlamentar të PD-së përfshihen edhe emërimet në shoqëritë tregtare shtetërore. Z. Braçe theksoi se ato funksionojnë sipas ligjeve të tjera dhe nuk kanë lidhje me administratën shtetërore, e për rrjedhojë nuk përfshihen në ligjin për administratën shtetërore.

Kreu i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik z. Genc Pollo tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e përcakton komisionin hetimor si një instrument parlamentar që ushtrohet nga opozita ndaj mazhorancës, përkatësisht opozita ndaj qeverisë. “Ky nuk është një koncept i ri. Mesa kam lexuar unë është një koncept bazuar në një kërkim të gjerë dhe të thellë edhe në përvojat e ngjashme të vendeve europiane, edhe në vendime të gjykata kushtetuese të vendeve me traditë të konsoliduar demokratike,” tha z. Pollo.

Përfaqësuesit e grupeve dhe komisioneve kuvendore diskutuan lidhur me interpretimin e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

Ky nuk është një diskutim që bëhet për herë të parë, sipas kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, z. Fatmir Mediu. “Objektin e vendos kërkuesi, ky ka qenë diskutimi. Është kërkuar edhe në sallën e Kuvendit që të kishim një objekt diskutimi më të gjerë dhe nuk është pranuar, sepse është konsideruar atribut i atyre që propozojnë,” tha z. Mediu.

Një propozim alternativ lidhur me objektin e hetimit të komisionit u paraqit nga kreu i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, z. Fatmir Xhafaj. Z. Xhafaj vuri në dukje se objekti i propozuar në kërkesën e Grupit Parlamentar të PD-së dhe mënyra e formulimit cenojnë parimin kushtetues të prezumimit të pafajësisë.

“Sipas këndvështrimit tim një objekt alternativ dhe në përputhje me atë që ka kërkuar opozita, mund të ishte: Objekti i veprimtarisë së komisionit hetimor është verifikimi i zbatimit të legjislacionit në procesin e emërimeve gjatë periudhës 2009-2013 në administratën shtetërore apo entet publike, por pa hetuar apo nxjerrë konkluzione për çështje në hetim, apo për të cilat gjykata nuk është shprehur me vendim të formës së prerë,” propozoi z. Xhafaj.

Pas diskutimeve pro dhe kundër objektit të komisionit hetimor dhe afatit të hetimit, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta propozoi që objekti alternativ i sugjeruar nga përfaqësues të mazhorancës të paraqitej me shkrim dhe të bëhej objekt diskutimi para seancës plenare, por edhe gjatë saj.

“Partia Demokratike e ka bërë të qartë kërkesën e saj. Për propozimet që u bënë nga z. Ruçi dhe Xhafaj dhe që u mbështetën nga përfaqësues të tjerë të mazhorancës, unë mendoj që të paraqiten me shkrim për çështjen e objektit, për rishikimin apo rivlerësimin. Unë mendoj që në çdo rast mazhoranca ka detyrimin të bëjë një propozim me shkrim dhe keni kohë për ta dorëzuar sot ose nesër dhe ta ridiskutojmë të enjten para seancës plenare. Në rast se kjo është e zgjidhshme dhe e kapërcyeshme mund ta miratojmë ngritjen e komisionit që të enjten. Në rast të kundërt do të veprojmë sipas procedurës parlamentare,” tha z. Meta.