EMËRIME KLIENTELISTE NË KLINIKAT UNIVERSITARE

511
Sigal

Super-skandal në përzgjedhjen e shefave të Klinikave Universitare të vendit!

Denoncimi i ish-kryeministrit Berisha: Spitalet mbushen me militantë partie dhe jo me specialistë

Ish-kryeministri Berisha thotë se përzgjedhja e shefave të klinikave Universitare të vendit po bëhet nga militantët partiakë dhe jo nga profesionistë të mjekësisë. Berisha shkruan se në komisionin përzgjedhës nga 5 anëtarë, 4 nuk janë fare mjekë. Ai u bën thirrje pedagogëve, mjekëve, studentëve të mjekësisë të refuzojnë me guxim këtë praktikë me pasoja katastrofale për mjekësinë shqiptare, sipas tij. “E gjithë kjo farsë dështake i shërben vetëm emërimeve të paracaktuara sipas interesave politike apo mediokre të drejtuesve të shëndetësisë”, shkruan Berisha.

Denoncimi

Në komisionin përzgjedhës nga 5 anëtarë 4 nuk janë fare mjekë! Të dashur miq, Kallam Deshtaku ka vendosur në një akt skandaloz, njëlloj si në kohën më të zezë të diktaturës hoxhiste, që përzgjedhjen e shefave të klinikave, vendimmarrësve numër një për jetën e të sëmurëve në klinikat e spitaleve tona, ta bëjë jo me profesionistët më të mirë të mjekësisë, por me militantë partiake jo mjekë. Për këtë qëllim ai ndryshoi vendimin e mëparshëm të qeverisë, i cili parashikonte pjesëmarrjen në këtë përzgjedhje jo vetë të akademikëve më të mirë të mjekësisë shqiptare, por edhe të asaj ndërkombëtare. Me këtë rast ju bëj thirrje pedagogëve, mjekëve, studentëve të mjekësisë të refuzojnë me guxim këtë praktikë me pasoja katastrofale për mjekësinë shqiptare, jetën e qindra e mijëra të sëmurëve në Shqipëri. sb

Ja komisioni jo mjekësor që do vlerësojë …mjekët

Përbërja e komisionit i cili:

– do të vlerësojë kandidatët aplikantë ( VKM nr 488 dt 31.7.2018 pika 10),

– do të shqyrtojë dhe vlerësojë projektin për zhvillimin dhe drejtimin e shërbimit (VKM Nr. 424, datë 10.5.2017 pika 9)

-si dhe do të bëjë renditjen e tyre (VKM Nr. 424, datë 10.5.2017 pika 11).

Si mundet që një komision me këtë përbërje (E. Joti- inxhinier, E. Hoxha – ekonomiste, E. Tola –juriste, E. Vasha –jo mjeke dhe vetëm prof Xh. Draçini –mjek) të gjykojë dhe vlerësojë projektet për zhvillimin dhe drejtimin e 41 shërbimeve aq të specializuara dhe të veçanta për gjithë shërbimin kombëtar shëndetësor. Kriteret e mirëfillta shkencore profesionale, organizative, drejtuese, shkruese dhe referuese të domosdoshme për një drejtim modern dhe eficient të shërbimeve reference, disa prej të cilave unike për gjithë shëndetësinë shqiptare u hoqën me (VKM nr 488 dt 31.7.2018 pika 10) duke u reduktuar vetëm në pasjen e titullit shkencor, përvojë mbi 10 vjet të punës në specialitet dhe në kohëzgjatjen si pedagog i brendshëm, apo i jashtëm. Në një kohë, kur strukturat universitare kanë qenë të ngurta në zgjedhjen e pedagogëve të brendshëm, shumë të rinj me ide, projekte të qarta dhe shkencore zhvillimi mbeten jashtë konkurrimit vetëm, sepse nuk kanë numër të caktuar të viteve si pedagogë, apo kanë më pak se 10 vite pune në specialitet, ndonëse kanë punuar në shërbime respektive prestigjioze jashtë. Sistemi i pikëzimit qesharak dhe absurd në argument: p.sh nëse një kandidat me titullin profesor (15) merr pikët maksimale në projekt (53) dhe si aftësi profesionale dhe organizative (14) përmbush në total 82 pikë. Ndërkohë, kur nuk gjejmë një sistem analog ndërkombëtar pikëzimi me maksimale 82. E gjithë kjo farsë dështake i shërben vetëm emërimeve të paracaktuara, sipas interesave politike, apo mediokre të drejtuesve të shëndetësisë.