Elton Metaj: Vrasja e butë e 18 qershorit

627
Bujar Kapexhiu, si regjisor dhe skenarist, e ka mbyllur mjaft bukur një nga veprat e tij më të ndjekura, filmin “Edhe kështu, edhe ashtu”. Momentin kur zbulohen dilemat reale e të stisura të filmit (kandidatët e shumtë për dhëndër të Almës apo mjekimi i sëmundjes së drejtor Sotirit), autori e ka pagëzuar si “Mbrëmja e shpëtimit”. Një mbrëmje të tillë duket se po pret edhe politika shqiptare, e ngërthyer si mos më keq në një lëmsh, ku nuk mjafton një, por duhen disa kombinime zgjidhjesh. Dhe një zgjidhje mjafton vetëm për një arsye, që të shërbejë si nisje e negociatës së vërtetë e të mirëfilltë për të zbërthyer krizën. “Trenat” e qeverisë dhe opozitës po ecin përballë njëri-tjetrit dhe pikëtakimi i dekretuar mes tyre është 18 qershori, nëse dikush nuk do të ndërhyjë për të lëvizur binarët, në mënyrë që furia të mos shkarkohet mbi atë që vjen përballë, por të shfrytëzohet për të pasur shpejtësi për të mbërritur në destinacion. Për ironi të fatit apo për një trik proceduarial duket se do të jetë Agron Duka, miku i të gjithëve, ai që do të lëvizë çelësin e zgjidhjes së parë të krizës. Të asaj zgjidhjeje, që mund të evitojë përplasjen nervoze të “trenave” dhe të ndihmojë që palët të ulen përballë njëra-tjetrës. I mbetur në listën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si një formacion politik i regjistruar, Partia Agrare Ambientaliste ka nisur një betejë ligjore për “asgjësimin” e 18 qershorit. Më saktë, për anulimin e listave të kandidatëve për deputetë të paraqitura nga partitë politike, duke e bërë datën e dekretuar të zgjedhjeve një garë pa garues. Çështja e afateve të shkelura për paraqitjen e kandidatëve për deputetë po gjen gjithnjë e më tepër mbështetje ndër juristët e njohur dhe sytë janë drejtuar nga Kolegji Zgjedhor. Një trupë e Gjykatës së Apelit duhet të vendosë brenda pak ditësh nëse do të ketë ose jo zgjedhje më 18 qershor. Pra fati i zgjedhjeve po kalon pikërisht nga drejtësia, nga ajo që aq shumë e anatemuan me muaj e vite të tërë, por që tashmë i duhet politikës për ta nxjerrë nga bataku ku ndodhet. Edhe nëse rrëzimi i mundshëm i 18 qershorit do të jetë një fitore për opozitën, mbi të gjitha ai duhet parë si një shans për dialog. Një dialog që pastaj do të jetë i detyrueshëm për të mos e lënë vendin pa Parlament, pa qeveri, pa drejtësi dhe ndoshta me këtë ritëm, edhe pa popull. Ndaj 18 qershori duhet vrarë butë, për t’u dhënë një rrugëdalje të gjithëve, për t’u dhënë një mundësi të gjithëve dhe për t’i qetësuar të gjithë. “Mbrëmja e shpëtimit” mund të vijë andej nga nuk pritej, nga një gabim teknik apo një harresë e llogaritarëve të zgjedhjeve, të cilëve këtë herë ju mungoi thjesht një kalendar.
Sigal