Elona Guri, guximtarja që premton ndryshimin për Durrësin

250
Sigal

Në prag të zgjedhjeve, numri një i LSI-së për qytetin bregdetar rrëfen për revistën “WHO” zgjedhjet e veta politike dhe private

E veshur me një hoodie në ditën kur e kemi lënë që të bëjmë servisin fotografik, Elona Guri nuk duket kandidatja tipike për deputete. Por nëse do të na dilte përpara me ndonjë kostum me gjatësinë deri tek gjuri apo me mëndafsh dhe me perla, me siguri që ajo nuk do të kishte qenë Elona që njohin të gjithë: një nga njerëzit më aktivë të LSI-së që në ditët e para e që këtë vit ka kaluar nga backstage në vijën e parë të protagonizmit në fushatë elektorale, në qytetin më të madh pas kryeqytetit, në Durrës, ku kryeson dhe listën e partisë. Biseda me të ndërpritet shpeshherë nga celulari, vetëm pesë ditë përpara zgjedhjeve Elona është më aktive se kurrë. Por megjithëse biseda zhvillohet mes ndërprerjeve, ajo asnjëherë nuk e humbet fillin e saj dhe gjithçka në intervistë ka tone të buta femërore, një prekje të butë gruaje dhe shumë ide të bukura për qytetin me të cilin atë e lidhin shumë e shumë gjëra dhe për të cilin pritet të bëjë shumë gjëra të dobishme në parlamentin e ri. 

Elona, cila është lidhja juaj me qytetin e Durrësit, ku jeni dhe kryesuese e kadidatëve të “LSI”-së?

Me Durrësin më lidh një pjesë e familjes time që jeton në këtë qytet. Më lidhin miqësitë dhe energjia pozitive e durrsakëve, gjë që e dëshmuan që në ditët e para që erdha në këtë qytet për të shfaqur programin e “LSI”-së për zgjedhjet e 25 prillit. Me Durrësin më lidh dëshira për të zhvilluar një qytet që meriton zhvillimin dhe shkëputjen nga kthetrat e të keqes.

Si ka shkuar fushata deri tani? A mund të thuhet se jeni e kënaqur?

Jam shumë e lumtur, sepse çdo familje durrsake më ka pritur me dashuri, më kanë pritur me krahë hapur si të isha pjesë e tyre.

Zgjodha të bëj një fushatë pa zhurmë, konkrete, bazuar tek nevojat dhe dëshirat e qytetarëve. Një shtrëngim duarsh, një kafe, një përqafim me njerëzit që pushteti aktual i ka gënjyer dhe shfrytëzuar. Kam dhënë fjalën time, fjalën e “LSI”-së, partisë tonë që dihet botërisht që e mban fjalën.

Portreti juaj deri pak kohë më parë nuk ka qenë shumë i njohur në publikun e gjerë, por shumë i njohur brenda “LSI”, ku mos gaboj jeni që në vitet e para dhe anëtare e kryesisë. Si erdhi vendimi për të mos qëndruar vetëm me punët organizative të “LSI”-së, por për të kandiduar dhe për të qenë drejtuese politike e fushatës në Durrës?

Nuk ishte vendim i mirëfillftë, sepse duket si fjalë zyrtare që tregon se tjetërkush vendos. Në “LSI” jam prej shumë vitesh dhe ky kandidim ishte hapi i radhës, një gjë e natyrshme që më jep fatin t’i ndihmoj njerëzve me votën time në Parlament. Të bëhem pjesë e hartimit të ligjeve që integrojnë Shqipërinë në BE dhe t’i jap mundësinë shqiptarëve të rrinë në vendin e tyre, duke jetuar, punuar dhe rritur fëmijët e tyre me dinjitet. Hyrja ime në këtë garë si numri një i “Lëvizjes Socialiste për Integrim”, është besim nga partia dhe frymëzim për të punuar me zemër. 

Cilat janë pikët tuaja të forta në këtë qytet?

Ky qytet meriton të udhëhiqet me dashamirësi. Meriton zhvillim, punë, turizëm, bujqësi, peshkim dhe arsimim për brezin që po rrit. Pikët e forta janë programi i “LSI”-së dhe misioni për ta realizuar këtë program.

E ku ka pikë më të fortë për një kandidat kur durrsakët guxojnë dhe afrohen tek unë dhe stafi im për të dhënë kontributin e tyre?! Them guxojnë, sepse dihen presionet që Rilindja i bën qytetarëve duke i kërcënuar me vendin e punës, gjoba bizneseve dhe provokime të ulëta. Kjo ka zgjuar revoltën popullore dhe jam krenare që jam në krye të shqiptarëve patriotë, të ndershëm dhe përparuar. Pikë e fortë është se durrsakët nuk presin të zhvillohen nga ky pushtet që i ka shkatërruar.

Cilat kanë qenë deri tani takimet më të bukura dhe ç‘do mbash mend më shumë nga kjo fushatë?

Secili takim ka qenë një emocion i fortë, në çdo zonë jam ndjerë si në shtëpinë time. Kam bërë vetëm miq, kam premtuar ato që do të realizoj. Kam takuar çdo moshë, çdo profesion, kam prekur Durrësin nga fillimi në fund. Jam vajzë Skrapari, por tani në zemër kam edhe Durrësin. Të gjithë durrsakët që më kanë bërë të ndihem kampione.

Partia juaj është e vetmja në Shqipëri që drejtohet nga një një grua. Dhe shumë nga aktivistet, sidomos në forumet rinore janë gra dhe vajza. A mund të quhet ky ndikimi i Monika Kryemadhit?

Kjo është e ditur dhe me siguri një veçanti fituese. Në “LSI” vajzat e gratë janë një realitet që prej vitesh ka treguar se punon, mendon dhe zhvillohen si lidere që sjellin zhvillim dhe paqe. Me Monika Kryemadhin jetojmë, punojmë, luftojmë dhe ndajmë emocione njerëzore krah për krah.

Në ‘Google’ me emrin tuaj dalin vetëm deklarata, qëndrime dhe aksione politike. Ndaj le të njohim Elonën e vërtetë, familjen e saj.

Jam bashkëshorte, jam nënë e dy vajzave, jam një familjare që bëj një jetë normale. Dashuria e vajzave dhe bashkëshortit dhe mbështetja e tyre janë energjia ime që më jep forcë.

Si ndodhi që u përfshitë në politikë? Nëse nuk do ishit aktivizuar, çfarë mund të ishit bërë në një jetë paralele?

Erdhi natyrshëm, kam qenë gjithmonë natyrë aktive, e shoqërueshme dhe luftarake. Jam edukuar në një familje që në vend të parë ka dëshirën për të ndihmuar të tjerët, për të dashur vendin tim dhe njerëzit pa dallim shtresash. Ndoshta jashtë politikës do isha një diplomate në karrierë, degë për të cilën jam diplomuar.

Çfarë ju pëlqen jashtë politikës? Cilat janë pasionet tuaja? A keni miq jashtë “LSI”-së?

Unë kam vetëm miq. Për këtë jam krenare. Pasioni im janë udhëtimet edhe pse janë të kufizuara për shkak të përgjegjësive politike që kam.

Si mendoni se do të jetë parlamenti i ardhshëm? A do të ketë më shumë gra e vajza? Listat ku votohen dhe kandidatët a janë një mundësi më e mirë për vajzat dhe gratë që të marrin më shumë vota, apo kutitë bëhen “pazare burrash”?

Nuk më pëlqen fjala pazar, nuk i përket rrugës time politike dhe as forcës që përfaqësoj. Ndarjet femër-mashkull, duhen zhdukur dhe në vend të tyre dallimi duhet të jetë i aftë dhe i paaftë, i ndershëm dhe i korruptuar.

Femrat e “LSI”-së kanë shans që pas fitores së 25 prillit nga parlamenti të bëhen frymëzuese për të gjitha femrat shqiptare.

Cilat janë gratë në politikën e sotme që vlerëson më shumë?

Sigurisht dhe sinqerisht Monika Kryemadhi