Elbasani, qendër e heroinës së Ballkanit

564
Përparim HALILI

Elbasani, qendër e “administrimit” të heroinës së Ballkanit
Çdo segment kontrollues e ligj-zbatues ka heshtur, në shkëmbim të mbështetjes së krimit për biznese dhe vota pushteti
Shpërtheu përballja shtet-krim në Elbasan, nisur nga një incident gjatë një kontrolli policor i cili nuk mundi të përcillej si aksion rutinë, duke marrë përmasa të mëdha, me interes edhe prej shërbimeve të hetimit ndërkombëtar, të cilët në 4 vitet e fundit kishin dhënë “sinjale” të shumta e konkrete për policinë shqiptare, prej së cilës nuk ka pasur asnjë reagim, jo se nuk kanë dashur drejtuesit policorë të saj, por sepse ua ka “lidhur duart” dhe ua ka “mbyllur gojën” kupola politike e lidhur me krimin. Sipas burimeve ndërkombëtare dhe siç po zbulohet prej informacioneve të shumta, rezulton se Elbasani është kthyer në “depo magazinimi” dhe qendër të trafikut të heroinës së Ballkanit. Në këtë qytet është krijuar një grup i strukturuar me gjithë infrastrukturën njerëzore e financiare që trafikon, magazinon e shpërndan heroinën brenda Shqipërisë dhe në pikat dalëse kufitare për në vendet e rajonit. Gjithçka garantohet nga grupe kriminale, të cilët kanë si “mburojë” klanet politike e shtetërore lokale dhe qendrore, të cilët u kanë garantuar paprekshmëri dhe informacion për çdo lëvizje që shteti mund të bëjë kundër aktivitetit të tyre. Njësitë e specializuara të hetimit ndërkombëtar, prej kohësh partnerë të strukturave të antikrimit shqiptar, kanë informuar për këto grupe kriminale me qendër në Elbasan, të cilët ushtrojnë veprimtari dhe kanë fije të forta me grupet e trafikantëve në Ballkan. Këto grupe rajonale, të gjendur së fundi përballë goditjes së shtetit në vendet e tyre, kanë mundur të krijojnë në Elbasan, bazën e tyre të trafikut të heroinës. Në Elbasan, ata kanë gjetur qetësinë dhe sigurinë e plotë për të zhvilluar aktivitetin e trafikut të heroinës, duke e kthyer këtë qytet në qendër të drogës. Ndërhyrja e fundit e policisë në këtë qytet, nga makinat luksoze kaloi në zbulimin dhe goditjen e bazës së heroinës, e cila kontrollohet nga “duar” që “shtrëngohen” me eksponentë të lartë të politikës. Në Elbasan, janë ndërlidhur shumë rrjete e qarqe krimi të çdo lloji, por dominues dhe potencial e komandues është grupi i “administrimit” ballkanik të heroinës. Tashmë shteti ka “trokitur” në “portën” e kësaj baze heroine, që deri 3 ditë më parë ishte një “bunker”, të cilin e kishte tmerr, jo për fuqinë e grupit të trafikut, por për kontrollin që ky grup ka pasur e vazhdon të ketë mbi shtetin. Çdo segment shtetëror kontrollues, zbulues, ligj-zbatues dhe ndërveprues në strukturën vertikale e horizontale në “aksin” politik-shtetëror Elbasan-Tiranë ka heshtur, ka neglizhuar, ka mbyllur sytë, nuk ka vepruar, në shkëmbim të mbështetjes së krimit për vota pushteti, për koncesione mafioze, për investime të dhunshme anti-komunitare, për sundim publik, për kontroll pushteti! Tashmë që zullumi u bë shqetësim për ndërkombëtarët, shteti shqiptar u zgjua dhe ka nisur goditjet, duke e nisur pikërisht nga Elbasani, qyteti që, duhet thënë se, është marrë peng nga bandat e krimit dhe mafia e trafikut rajonal të drogës.
Sigal