Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut i dhanë jetë nismës së tyre të njohur deri sot si Shengeni Ballkanik e nga sot si ”Open Balkan”, duke firmosur sot në Shkup marrëveshjet për lehtësimin e import-eksporteve që eleminojnë barrierat doganore mes vendeve.
Analisti Enver Bytyçi dhe politologu Demush Shasha, shprehen se Kosova bëri gjënë më të duhur që refuzoi pjesëmarrjen në Samitin e Shkupit. Për Bytyçin ndryshimi i emrin nga Minishengen në ”Open Balkan” është një maskë që kërkon t’i japë një dimension tjetër minisheshegit, por nuk ndryshon asgjë nga projeksionet e mëparshme.
Për mediat, Bytyçi tha se iniciativa e Minishengenit bie në kundërshtim me procesin e Berlin, strategjinë dhe parimet e BE dhe i hap rrugën prezencës së fuqive të tjera si Kina dhe Rusia. Për analistin kjo iniciativë i shërben Serbisë, është mjet për ta izoluar Kosovë dhe qëndrimi i kryeministrit Edi Rama pro Beogradit dhe kundër Kosovës është i paprecedentë.
Politologu Demush Shasha, thotë se Forumi ishte një shembull i radhës për një ndarje të madhe në politikën e jashtme mes Shqipërisë dhe Kosovës. Objektivi i tre vendeve të para që iniciuan “Open Balkan” është që brenda vitit të ardhshëm, gjithë sistemi i qarkullimit të jetë i njësuar me atë të BE-së.