Ekskluzive/ E pandodhur më parë, Qeveria nuk konfirmon takimin me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias

341
Sigal

Gazeta MAPO, ka mësuar se Komisioni i Venecias ka kërkuar takim me përfaqësues të Qeverisë dhe Opozitës në datën 16 Nëntor, në kuadër të përgatitjes së Opinionit mbi ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, pas shkresës që ka dërguar atje, Presidenti Meta.

Një vonesë e pajustifikuar e autoriteteve shqiptare, ka bërë që Komisioni i Venecias ta shtyjë takimin për në datat 23-24 Nëntor. Për këtë qëllim, të gjitha institucionet kanë marrë një kërkesë për takime në datat 23-24 Nëntor, përfshirë edhe Kuvendin dhe Kryeministrin. Por dhe këtu Komisioni i Venecias është gjetur përpara një surprise.

Ndërsa Presidenca, Opozita (PD dhe LSI), KQZ dhe shoqëria civile janë dakordësuar për takimet për në datat e propozuara nga Komisioni i Venecias, Kuvendi dhe Kryeministri Edi Rama duket se ende nuk kanë konfirmuar, duke kërkuar përsëri shtyrje të tyre. Ndodhur përpara kësaj situate, ngjan se Komisioni i Venecias ka kuptuar që Qeveria është duke bërë një lojë, për të shtyrë dhe pamundësuar dhënien e Opinionit në mes të Dhjetorit, ashtu siç kishte konfirmuar më parë vetë Presidenti i këtij Organizmi. Për këtë arsye, Venecia ka përgatitur një axhendë takimesh vetëm me autoritetet që kanë konfirmuar.

Kështu gjatë ditës së sotme dhe nesër, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë bisedime (takime) online, sipas kësaj axhende: Datë 23 Nëntor 2020: 9:30 – Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe 11:00 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Datë 24 Nëntor 2020: 11:00 – Partia Demokratike e Shqipërisë; 12:15 – Lëvizja Socialiste për Integrim dhe 14:15 – Përfaqësues të OJF-ve

Lexo edhe :  Mediu: Situata e rëndë e pandemisë, duhet transparencë dhe përgjegjësi

Në 20 Nëntor, Komisioni i Venecias i ka dërguar paraprakisht autoriteteve shqiptare edhe pyetjet për të cilat pret të diskutojë me to, si më poshtë:

-A ka relacion shoqërues për ndryshimet kushtetuese dhe në Kodin Zgjedhor, që argumentojnë arsyet dhe impaktin e këtyre ndryshimeve?

-Lidhur me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut dhe ndryshimet e 5 tetorit në Kodin Zgjedhor: Kush u konsultua? Partitë politike, përfshirë ato kryesore jashtëparlamentare, qoftë edhe përmes Këshillit Politik? Shoqeria civile? Ekspertët ligjorë? A ka pasur një konsultim publik për këto ndryshime? Si u morën parasysh mendimet e shprehura?

-(Pyetje veçanërisht për Presidentin e Republikës) A konsideroni se është shkelur procedura për rishikimin e Kushtetutës / Kodit Zgjedhor, dhe, pse?

-A janë bërë simulime me sistemin e ri zgjedhor (pra, pa koalicione, prag më i ulët)? Cilat ishin rezultatet?

-Cilat janë arsyet për ndryshimet në sistemin zgjedhor – përfshirë futjen e votimit preferencial; të drejtat e veçanta të kandidimit për kryetarë të partive politike; kërkesa për një parti udhëheqëse në listat e përbashkëta?

-Cili është ndikimi i ndryshimit kushtetues në lidhje me caktimin e zonave elektorale?

Kjo është hera e parë në 30 vite ku Qeveria dhe Kuvendi përpiqen të vonojnë Opinionin e Komisionit të Venecias, duke nxjerr pengesa për realizimin e procedurës së konsultimit të autoriteteve me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias. Ky komision, ka pasur gjithnjë konsensus të të gjithë palëve, dhe ka qënë në këto dekada, i pakontestueshëm.