Ekonomi: Mirëmbajtja është domosdoshmëri

526
Ish-ministrja e Ekonomisë, deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi theksoi se mirëmbajtja e sistemit rrugor në vend është domosdoshmëri për të shtuar masën tregtare dhe lëvizjen e produkteve për një kohë sa më të shkurtër nga një pikë në një pikë tjetër. Kjo, sipas saj u mbështet edhe nga komuniteti i biznesit, i cili e ka të qartë se sa i rëndësishëm është ky proces. Në një intervistë për mediat, Ekonomi tha se me koncesionarin do të negociohet për ato kompani që kanë një fluks të lartë lëvizjeje përgjatë këtij aksi, ndërsa banorët e zonës do të pajisen me abone. “Për ata që banojnë në zonën përqark, ata që janë përdorues të shpeshtë të rrugës dhe ata që për një kusht të caktuar social kanë nevojë të lëvizin drejt Tiranës, apo qyteteve të tjera të vendit, kompania do t’i japë 120 mijë euro bashkisë, e cila do të hartojë një skemë për mbështetjen e këtyre kategorive”, deklaroi Ekonomi. Për të sëmurët, theksoi Ekonomi, kryesisht ata që i nënshtrohen dializës, apo shërbimeve të tjera mjekësore është menduar edhe më parë nga strukturat e qeverisë, si në rastin e transportit drejt qendrave shëndetësore. “Në këtë rast do të negociohet që transporti të jetë plotësisht i mbështetur nga shteti”, deklaroi Ekonomi.
Sigal