Eduard Halimi: Për Partinë Demokratike, Familjen tonë fantastike dhe pak fjalë për Lulzim Bashën!

189
Sigal

Eduard Halimi

Këshilltar ligjor i së drejtës ndërkombëtare private 

 Zbulohet biseda telefonike me ish-kreun e PD, para dorëheqjes: Bëri aktin politik që një drejtues i organizatës do duhej ta bënte

Kurrë nuk do votoja një lider, që u thotë anëtarëve: Le mos vijmë kurrë në pushtet, të rrijë sa të dojë kundërshtari ynë politik, por mjafton të nxjerrim jashtë shtëpisë ata, që nuk duam, apo kemi inate.

Partia Demokratike u bë familja ime e dytë që prej ditës kur votova 30 vjet më parë në Godinën 7-8 të Qytetit Studenti dhe vrapuam me Shpëtimin, Xhelalin dhe Bledin (shokët e dhomës) drejt sheshit Skëndërbej! Ajo ishte dita më e bukur e Shqipërisë. Ajo ishte dita më e bukur e familjes sonë politike. Ajo ishte dita kur familja jonë ishte aq e madhe. Dita kur ndihesha kaq krenar që doja aq shumë të përqafoja gjithkënd, që ndodhej aty edhe pse nuk arrija t‘i afrohesha podiumit, por ngela aty pas kullës së Sahatit duke parë, dëgjuar e brohoritur! Në këto 30 vjet si në çdo shtëpi, edhe ne kemi patur ditët e mira e të këqija. Mua më është dhënë mundësia t‘i afrohem podiumit, të ngjitem në të, të zbres sërish vetë e ta shoh sërish nga jashtë. Të shoh grindjet, të dëgjoj sherret brenda saj, shkarkimet, largimet, dorëheqjet, skenat dhe prapaskenat. Të dëgjoj ata që e donin apo ata që e shanin deri tek lista e shtëpisë, por kurrë në asnjë moment të jetës sime nuk më keni dëgjuar të flas keq për familjen time politike. Nuk kam folur kurrë jashtë për atë që ndodh brenda dhe sërish nuk dua të flas. Nuk di nëse ma kanë mësuar apo kështu jam rritur. Atje brenda edhe unë kam ditët e mia të mira, të këqija, të humbjeve, fitoreve, mërzive, mërive, debateve. Por kurrë nuk i kam nxjerrë jashtë, sepse një forcë politike e mban të bashkuar përkushtimi ndaj saj, dëshira për ta parë më mirë, të bashkuar, konkuruese, fituese, dhe padyshim e mbajnë të bashkuar mekanizmat që prodhon lidershipi i saj. Prej 4 vjetësh unë drejtoj një kompani ligjore me ekipin fantastik, që kam patur në krah në këta 25vjet të jetës profesionale. I jam përkushtuar asaj që di të bëj mirë, profesionit tim.  Nuk kam folur në publik për politikën dhe atë që ndodh brenda nesh për shkak të profesionit dhe sërish nesër e në vijim nuk do flas më, por sot dua të flas pak për të gjithë miqtë e mi të organizatës politike, anëtarë, me funksione, pa funksione, brenda godinës, jashtë saj, të përjashtuar, pezulluar, e mbi të gjithë për ata që janë mërzitur kaq shumë njëlloj si unë në gjithë këto muajt e fundit. Kam qëndruar më shumë me ata, që kanë qenë të mërzitur dhe kam folur më pak ose aspak me ata që kanë mërzitur pjesën tjetër. Të dashur miq, anëtarë të thjeshtë të familjes sonë politike, ju që keni mbushur sheshet, që  sakrifikoni gjithshka në këto 30 vjet! Ju qe jeni mërzitur, kaq shumë me atë që po ndodh brenda nesh! Sot Partia jonë e 22 marsit 2022 nuk është ajo e para 30 viteve. Bota ndryshon, edhe ne ndryshojmë (atëherë isha 20 tani po mbush 50), por dashuria për forcën tonë ngelet padyshim e njëjtë.

Me gjithë çka ndodhi brenda nesh, PD ngelet familja jonë, ajo që na mban aty brenda, pavarësisht momenteve kritike, ditës dhe natës, punëve, që merremi jashtë politikës aktive, apo brenda saj, jashtë vendimarrjes apo brenda saj, ajo që na rrit na çon tek fitorja

Ne kemi një familje politike fantastike. Nuk jemi si partitë e tjera! Jemi pjesë e organizatës më të bukur politike në Europë, familjes së Partive Popullore Europiane. Dhe unë do ta dua PD çdo ditë e më shumë sa më shumë t‘i ngjajë PPE. Kjo ishte ajo që na bënte aq shumë në 22 marsin e 1992, ta bënim organizatën tonë politike pjesë të familjes Europiane. Unë e di që të gjithë ne jemi të mërzitur me atë që po ndodh aty brenda. Këto kanë qenë momentet më kritikë. Jam mërzitur padyshim dhe unë çdo herë që Partia jonë është bërë më e vogël. Kur kam qenë në vendimarrje kurrë nuk kam votuar për të larguar dikë, pavarësisht nëse e kam dashur ose jo. Kam shpenzuar më shumë kohë me ata që ishin të mërzitur se nuk ishin pjesë e forumeve në 2013 apo 2017. Do doja të ishim më shumë në 2021.

U mërzita edhe më shumë me gjithshka që ndodhi gjatë 2021 me vendimet që lidershipi mori. Fola me ta, dëgjova, u mundova të bëja diçka dhe padyshim që u trishtova teksa shihja se si familja ime po thërmohej çdo ditë e më shumë. Dëgjova dhe lexova kaq shumë fyerje, sharje, urrejtje, energji negative, por nuk fola në publik. Nuk u përfshiva kurrë me ata që shanin më shumë antarët e shtëpisë së tyre se kundërshtarët politikë, që shanin fëmijët, gratë, nënat e motrat e njerëzve të organizatës sonë politike! Bëra atë që di të bëj më mirë, avokatin. I thashe se jam pranë tyre në momentet kritike, dhe i qëndrova më pranë atyre që kishin nevojë më shumë, sepse dikush tjetër i përjashtoi, shau, shtyu e pështyu. Dorëheqjet e kryetarit të Partisë kanë qenë ditë jo të mira për mua në këto 30 vjet. E telefonova vone në darkë Lulzim Bashën për t‘i thënë se është vendimi i duhur. Sepse jam i bindur se pavarësisht emocionit kjo është ajo që e bën familjen tonë të madhe, të bashkuar, larg gjuhës së përçarjes, dhunës verbale, inateve e sharjeve. Kjo ka ndodhur edhe në partitë si motra, në Austri, Gjermani, Francë, Itali, në të djathtën britanike e në çdo parti si motër europiane. Ato kanë kaluar momente edhe më dramatike se ky i yni në proceset e largimit të kryetarëve. Kështu ka ndodhur dhe atje, pas momenteve dramatike janë ngritur për t’u bërë edhe më të mëdha dhe për të udhëhequr Europën siç po bën edhe sot duke treguar se vijojnë të ngelen forca më e madhe dhe më fantastike politike. Lulzim Basha ka qenë dhe mbetet miku im, shoku im brenda forcës sonë politike, me të mirat dhe të këqijat e vendimeve të veta në këto 8 vjet. Dje nuk ishte një ditë e mirë për Lulzim Bashën. Disa nga ata që i qëndruan më pranë deri dje e nxitën, përgëzuan, lavdëruan, deliruan, në “vendimin e jetës” siç e quan vetë ai, u munduan të hedhin gurin e fundit.

Kjo ka ndodhur edhe në partitë si motra, në Austri, Gjermani, Francë, Itali, në të djathtën britanike e në çdo parti si motër europiane. Ato kanë kaluar momente edhe më dramatike se ky i yni në proceset e largimit të kryetarëve.

Kam debatuar edhe unë me Lulin, por dje nuk ishte dita për të kujtuar asgjë nga ato. Ai dje bëri aktin politik që një drejtues i organizatës do duhej ta bënte. Bëri atë që duhej dhe ndodh në partitë tona si motra, anembanë Europës. Unë e di që shumë nga ne, jashtë dhe brenda, do thonin se duhej ta kishte bërë jo dje, por pardje, para një muaji, gjashtë, 10 etj. Por vendimet personale në politikë bëjnë diferencën për një lider. Në atë post, që ai mbajti për 8 vjet ka marrë shumë vendime. Vendimi është padyshim ajo që bën diferencën për një lider. Dhe ai kishte mundësinë dhe fatin e jashtëzakonshëm të drejtonte dhe merrte vendime në emër të forcës më të madhe të opozitës. Ia kam thënë këtë para 8 viteve në një ditë jo të mirë për të, kur ishim vetëm, që ai ma kujtoi para një viti pak para zgjedhjeve.

Por të gjitheë ne duam që lideri të marrë vendime që ta çojnë PD drejt fitores. Nuk i zija besë syve tek lexoja para disa muajsh një deklaratë të dikujt ulur në karigen pranë tij, që i thoshte : “nuk ka rëndësi nëse PD, do bëhej më e madhe, do bëhej më e fortë, do bëhej më fituese, por e rëndësishme ishte që Basha të mbahej mend se kishte marrë vendime historike përjashtuese!!” Ajo që lexova, ajo mendësi e ekipit të tij nuk ishte vetëm tronditëse. Pastaj qëndrimi i javës së kaluar nga i njejti për dorëheqje e Lulzim Bashës nuk ishte fare i çuditshëm për mua. Atëhere i shkrova Lulzim Bashës.

Por nuk fola në publik. Nuk e shava, as atë dhe askënd, sepse isha dhe jam i bindur se deklarata të tilla janë thikë pas shpine Partisë Demokratike, dhe anëtarëve të saj. Kurrë nuk do votoja një lider që u thotë anëtarëve: le mos vijmë kurrë në pushtet, të rrijë sa të dojë kundërshtari ynë politik, por mjafton të nxjerrim jashtë shtëpisë ata që nuk duam ,apo kemi inate. Unë nuk ua heq dot helmin që disa kanë në stomak, por di të them se nxjerrja e tij nuk e ndihmon kurrë PD. Të dashur miq, 30 vjet më parë, familja jonë ishte aq e madhe, sepse ajo aspironte të ëehej vetë dhe po ashtu të bënte pjesë gjithë Shqipërinë në familjen e madhe Europiane. Prej muajsh PD është në momente kritike. Ajo që po ndodh tek ne këtu në Shqipëri, ka ndodhur edhe tek partitë tona si motra. Shembujt janë të shumtë në këto 30 vjet edhe për ta. Për t’ia dalë edhe ne si ata, duhet të shohim përtej gardhit tonë të urrejtjes dhe përjashtimit, por të ndjekim modelet e tyre të ringritjes dhe bashkimit. Nëse ne ndjekim modelet e tyre ne mund t‘ia dalim! Me të gjithë çka ndodhi brenda nesh, PD ngelet familja jonë, ajo që na mban aty brenda, pavarësisht momenteve kritike, ditës dhe natës, punëve që merremi jashtë politikës aktive, apo brenda saj, jashtë vendimarrjes apo brenda saj, ajo që na rrit na çon tek fitorja nuk është urrejtja, helmi, sharja, por është bashkimi dhe lidershipi, që na inspiron nëpërmjet një procesi demokratik, njëlloj si partitë motra të PPE pa përjashtuar asnjë: as Palokën, as Flamurin, as Gazin e as Joridën, dhe sigurisht as Bashën dhe as Berishën. (True leaders don’t create only folloëers, THEY CREATE MORE LEADERS). Sot është një ditë e rëndësishme për PD, dita kur ajo ishte familja me e madhe dhe me fantastike! Unë nuk kam folur për politikë këto 4 vjet dhe sërish nesër nuk do flas duke vijuar me profesionin tim që kam zgjedhur me vullnet dhe pasion, por doja të përcillja këtë mesazh në këtë ditë të rëndësishme të 22 marsit, për t’ju kërkuar të ndalim sa më shpejt, sulmet, urrejtjen përçarjen brenda nesh dhe të përpiqemi ta bëjm PD të madhe sërish, duke zgjedhur liderin që do e bëjë sërish po aq të madhe!