Eduard Halimi: Gjykata Kushtetuese nuk ngrihet as në janar

589
Sigal

Ish -Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi: Kushti i Gjermanisë për Gjykatën Kushtetuese është i pamundur para Janarit

Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë nuk kanë asnjë shans të vihen në funksionim në janar, me ritmet që po ecën përzgjedhja e kandidatëve. Ish-Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, apelon për marrjen e masave emergjente nga parlamenti dhe qeveria për të shtuar forcat te komisionet e vettingut.

Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi: Që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale duhet të ketë minimalisht 6 anëtarë. Në situatën ku jemi të vetmit që mund të zgjedhin janë Presidenti dhe Parlamenti. Këta 6 anëtarë që do të zgjidhen, duhet të ketë secili tre kandidatë. Çdo vend në Gjykatën Kushtetuese që do të zgjedhë Presidenti duhet të ketë tre kandidatë. I bie të jenë 18 kandidatë, të cilët sipas Kushtetutës duhet doemos të kenë kaluar të dy fazat e vettingut. Duhet rritur numrin e komisionerëve të vettingut apo dhe personelit ndihmës, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i shqyrtimit të kandidaturave. Pra, të hapen njëherë kandidaturat, të kemi një “pishinë” më të madhe të njerëzve nga e cila do të përzgjedhë KED, Presidenti dhe Parlamenti dhe pastaj këta kandidatë të shqyrtohen sa më shpejt nga KPK dhe KPA.

Një tjetër rekomandim i ish-ministrit të Drejtësisë është edhe shtimi i numrit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, pasi me 19 gjyqtarë do të jetë e pamundur shqyrtimi i numrit të lartë të dosjeve që janë në pritje.

Halimi: kërkohet një shtim të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë për një afat 5-vjeçar derisa të evadohen këto 35 mijë dosje që ndodhen në Gjykatën e Lartë. Të jetë një numër 25-35 për pesë vjet, me mandate zëvendësuese si Gjykata Kushtetuese. Ish-ministri i Drejtësisë thotë se vonesa në ngritjen e institucioneve të reja BKH dhe SPAK dhe Gjykatave Anti-korrupsion rrezikon të djegë edhe shumë fonde, të dhëna nga Bashkimi Evropian për ngritjen e tyre.