Edmond Panariti: Rama bën të njëjtin premtim si në 2013 për bujqësinë

227
Sigal

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ishte i ftuari i mbrëmjes në SYRI TV përballë gazetares Juli Krisafi.

Ai komentoi premtimin e kryeministrit Edi Rama për heqjen e akcizës së naftës për bujqësinë. Panariti tha se ky është një premtim që bëhet sërish nga Rama, pasi është bërë edhe në vitin 2013.

“Kemi shtatë vite në pushtet ku nuk është bërë asnjë përçapje për të lehtësuar fermerin nga barra e rëndë. Sot e kësaj dite, kur kjo qeveri ndodhet në skadencë të mandatit, fermeri e blen naftën sa e blen një qytetar në Zvicër apo Gjermani.

Pastaj ka edhe konfuzion, herë thuhet naftë falas, herë thuhet naftë pa akcizë, herë thuhet pa taksë karboni. Këtu ngarkohet fermeri me taksë qarkullimi, qarkullon traktori?!” tha ai.

Panariti tha se kjo është një nismë elektorale, e cila nuk do të zbatohet. Sipas tij, nëse qeveria e ka seriozisht, të japë paratë në duart e fermerëve.

“Sepse nafta mund të rishitet në tregun e zi. Nismat populiste që do marrësh naftën me ngjyrë, janë nisma antitreg. Qeveria nuk është distributore nafte. Duke bërë aplikime online, diferencime etj, këto janë strategji për të bërë sikur jep, kur nuk jep asgjë.

Nuk do realizohet kjo nismë sepse nuk ka më kohë. Kjo është qeveri që e ka afatin e ezauruar,” tha Panariti.

Sipas tij, bujqësia u la pa asnjë mbështetje nga paketat e ndihmës për pandeminë.

“Bujku ka nevojë urgjente për subvencione direkte, jo për subvencione indirekte.

Kemi një rritje të frikshme të importeve dhe ulje të prodhimit vendas. Kurse blegtoria ka një rënie të paparë prej shumë vitesh. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, për katër-pesë vite nuk do ketë me ferma blegtorale në Shqipëri.

Është për të vënë kujën që në supermarketet shqiptare tani sheh qumësht importi. Ai shitet me 90 lekë, kurse qumështi shqiptar shitet me 120 lekë. Ne japim 0 lekë ndihmë. Prandaj qumështi shqiptar del jashtë loje,” tha Panariti.