“Edi Rama ta harrojë se bën takim”, Kejdi Mehmetaj denoncon incidentin elektoral në Fier

173
Sigal

Një tjetër incident i rëndë elektoral është regjistruar sot ndërkohë që na ndajnë 4 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Bashkia e Fierit ka hequr banerat e LSI-së, megjithëse ka një kontratë të nënshkruar mes palëve.

Mehmetaj së bashku me kandidatë të tjerë janë paraqitur pranë zyrave të Bashkisë së Fierit ku po kërkojnë zgjidhje të këtij problemi.

Policët bashkiakë kanë shkuar për të hequr banderolën e LSI-së, pasi Rama pritet të bëjë një takim pikërisht në vendin ku është vendosur kjo banderolë.

Gjatë përballjes me policët, Mehmetaj ka kërcënuar se Rama nuk do të bëjë takim në rast se heq banderolën.

“Rama ta harrojë se bën takim sot në Fier po nuk vendosën banerin aty”,- tha Kejdi Mehmetaj.

Ajo ka denoncuar në rrjetin e saj social ngjarjen e ndodhur në Fier, ku sot ndodhet edhe kryeministri Edi Rama.

 

“I kanë hequr në mënyrë të paligjshme banerat e LSI-së dhe kanë vendosur të PS-së. Edhe mbrëmë i kemi me prova që i kanë shkulur nga shtyllat banerat tonë. Të gjithë këta do të përgjigjen jo vetëm përpara ligjit, por edhe përpara popullit. Kryetari i Bashkisë ka frikë që të përballet me ne. Ne iu garantojmë se asnjë aktivitet politik nuk do të zhvillohet në Fier nëse nuk vendosen banderolat e LSI-së.

Të gjithë këta burracakë që nuk përballen me të vërtetën, që kanë frikë si një bandë do të vendosen përpara përgjegjësisë me 25 prill. Deri më tani kanë hyrë dhe kanë dalë mbi 17 veta që nuk janë as punonjës të Bashkisë së Fierit. Pse nuk del që të na japë përgjigje këtu? Është turp dhe papërgjegjshmëri totale”,- tha Kejdi Mehmetaj.