Edi Rama: “Rilindja do trokasë përmes numrit 29”

845
Sigal

PS mbyll fushatën  elektorale , duke organizuar mitingje paralele në Vlorë e Shkodër, ku Rama shkon me helikopter në Vlorë

Pak orë përpara mbylljes së fushatës elektorale, Partia Socialiste zhvilloi në të njëjtën kohë dy mitngje përmbyllëse në qytetin e Vlorës dhe në Shkodër. Risia është se kryetari i PS-së, sapo u mbyll mitingu në Shkodër, shkon me helikopter në Vlorë, për të marrë pjesë edhe aty.  Kryesuesit e listave të kandidatëve në qarqe, iu drejtuan njëkohësisht mbështetësve të mbledhur në Shkodër dhe Vlorë, përmes ekraneve gjigande të vendosura në sheshe. Fillimisht, kryetari i PS-së, Edi Rama ishte në Shkodër, ku theksoi se era e Rilindjes po fryn fort në kryeqendrën e veriut. Kryesocialisti ftoi shkodranët të votojnë në datën 23 Qershor, Rilindjen, dhe t’i japin fund ndasive të vjetra. Lideri i socialistëve u shpreh i lumtur që fushata zgjedhore përmbyllet në dy qendra të rëndësishme të vendit, të cilat i cilësoi si qytetet e krenarisë së shqiptarëve. Pas fjalimit në Shkodër, Rama u nis drejt “Sheshit të Flamurit” në Vlorë, prej ku theksoi zotimin e socialistëve për të rilindur Shqipërinë. Sipas Ramës, fryma e rilindjes do të trokasë përmes numrin 29. “Sot shqiptarët janë të thirrur të provojnë atë që thoshte Mit’hat Frashëri, në liri lufta jonë është puna. Një frymë e re e bën një komb të marrë një shpirt të ri. Këto fjalë të një burri të mençur të këtij dheu i sjell këtu era e rilindjes dhe fryma e re e rilindjes që po vjen dhe do të trokasë përmes numrit 29. Në 23 Qershor do t’i sjellë këtij kombi punësim do ta flakë barrën e taksës së sheshtë dhe do të ngrihet të hënën e ardhshme duke marrë frymë lirisht.

Rama: Shkodra voto 29, çlirohu nga e shkuara!

“Kemi ardhur me historinë për ti dhënë qeverisjes së këtij vendi erë, dije urti dhe burrëni, këtë do të bëjmë me votën që i kërkojmë Shkodrës dhe Vlorës në 23 Qershor. Zgjidhni numrin 29 që të çliroheni nga e shkuara. Ndëshkojeni me votën për numrin 29 marrëzinë e përçarjes. Batakçillëku e ka varfëruar Shqipërinë në ekonomi dhe aspirata dhe sot një hije e vjetër dhe e lodhur po endet nëpër Shqipëri për ti ngopur njerëzit me lugën bosh. Mbështesni Rilindjen për të pasur një qeveri që shërben dhe jo një çetë plak që rrëmben. Rrena dhe tradhtia e rraskapitën këtë popull të mbytur në varfëri. Këtu në Shkodër lindi gjyshja që i dha fëmijërisë sime jehonën e kambanave të kishës dhe aromën e librave të shenjtë, ndërsa në Vlorë, lindi nëna ime që më mësoi pse nderi dhe dija janë më të mira se batakçillëku. Këtu në Shkodër unë përjetova fare i ri rilindjen e fesë, ndërsa në orë unë pashë shpirtin rebel të shqiptarëve që ngriti krye ndaj regjimit të ri të Tiranës që u premtoi shqiptarëve parajsën dhe I përvëloi në ferrin e piramidave”, u shpreh Rama. “Më i pari amanet nga ata që s’janë më , dhe më i pari borxh për ata që ende s’kanë ardhur, është një atdhe që të jetë i bashkuar, që të jetë një, jug dhe veri.” Kështu u shpreh nga Shkodra, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Rama i ftoi në dialektin e tyre shkodranët që ti japin fund, siç tha ai, të shkumës që e ka mbajtur peng Shkodrën për më shumë se 20 vjet.

META DHE RAMA: GARANT PËR MBROJTJEN E VOTËS, PRESIM 80 MANDATE

Dy aleatët e majtë Edi Rama dhe Ilir Meta kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp ku kanë garantuar mbrojtjen e votës për një fitore të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Në fjalën e tij, kryesocialisti Rama theksoi se, do të jetë pikërisht boshti PS-LSI i cili do garantojë fitoren e madhe të zgjedhjeve të 23 Qershorit.  Në fjalën e tij, Kryesocialisti Rama i bëri thirrje votuesve të marrin me vete edhe një tjetër në kutinë e votimit për të dyfishuar votën. “Na intereson të fitojmë me dinjitet, ne jemi aleanca për Shqipërinë Europiane dhe bashkë me LSI përfaqësojmë opozitën në komisione dhe grupe numërimi, jemi të vendosur të mbrojmë votën e çdo zgjedhësi. Do ia dalim të nxjerrim nga kutitë rezultatin që presim 77 deri në 80 mandate, ditën e dielën ky rezultat duhet të dalë i paprekur nga kutitë”, tha Rama. Ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta ndërsa ka vlerësuar aleancën me PS-në ka garantuar se kjo aleancë është e fortë dhe e qëndrueshme. I pyetur nëse do të ketë një bashkim me PD-në pas zgjedhjeve, kreu i LSI-së theksoi se ai kapitull është i mbyllur përgjithmonë. “Cilido të jetë rezultati jemi në një aleancë para e paszgjedhore, edhe pse fitorja është në duart tona nuk e lëmë të na ikë nga dora, por do të jetë një fitore për gjithë vendin. Aleanca do të jetë edhe më e gjerë se këtë e garanton fryma e tolerancës dhe gjithpërfshirjes, do të thotë një mentalitet i ri i qeverisjes në vend dhe i raportit me qytetarin, shoqërinë civile, grupet e interesit, shumë më gjerë se çështje partish”,- tha Meta.