Edi Rama, një autokrat. BE-ja të mos habitet nga protestat

437
Sigal

Një ditë pas analizës së revistës më të madhe evropiane”Der Spiegel”, reagojnë mediat zvicerane: “Në rajon ka nisur Pranvera Ballkanike”. Zëdhënësja e KE të mos përkrahë qeveritë e korruptuara, duke kritikuar opozitat. Shpërthen ish-erodeputetja Doris Pack: Më vjen turp nga Knut Fleckenstein!

Media zvicerane “Neue Zuercher Zeitung”: Në rajon ka nisur Pranvera Ballkanike

Edi Rama një autokrat, drejtuesit e BE-s të mos habiten nga protestat

Një ditë pasi revista më e madhe evropiane, “Der Spiegel”, shkroi se në rajonin tonë ka nisur Pranvera Ballkanike, që ka për synim largimin e liderëve autokratë dhe të korruptuar, vijnë edhe dy shkrime të tjera në këtë frymë. Njësoj si shkrimi i “Der Spiegel”, që shënjestronte Brukselin me akuza se po përkrah liderët e korruptuar dhe autokratë, edhe gazeta irlandeze “Irish Times” dhe ajo më e rëndësishmja në Zvicër, NZZ, shkruajnë se në rajon ka nisur Pranvera Ballkanike, edhe pse BE nuk po e pranon. Madje të dyja shkruajnë se Brukseli ka mbetur i trullosur dhe i habitur nga kjo situatë.

Parlamenti është në rënie dhe gjyqësori nuk guxon të jetë i pavarur

“Terreni për këtë frustrim është i ngjashëm në të gjitha vendet. Ai ka një komponent ekonomik dhe një komponent politik. Ekonomia është në stanjacion, papunësia po rritet me ritme të larta dhe punëtorët e kualifikuar po shpërngulen në numër të madh. Sistemi politikisht është vetëm nominalisht demokratik, por i mungojnë mekanizmat e kontrollit që përbëjnë një demokraci liberale. Në vend të kësaj, fuqia e ekzekutivit është vendimtare dhe ajo mishërohet nga autokratët Edi Rama, Aleksandër Vuçiç, Milo Gjukanoviç dhe Milorad Dodik. Parlamenti është në rënie dhe gjyqësori nuk guxon të jetë i pavarur. Pjesa më e madhe e mediave raporton në frymën e qeverisë. Zgjedhjet në këto rrethana janë thjesht plebishite, në të cilat udhëheqësit vetëm sa legjitimojnë pushtetin e tyre periodikisht. Të katër vendet kanë gjithashtu një tipar të përbashkët, janë të gjitha vende kandidate për në BE. Serbia dhe Mali i Zi kanë nisur negociatat e pranimit. Brukseli po sheh krejt i pafuqishëm situatën. Kur zëdhënësja e Komisionit u pyet në fillim të javës, nëse shihte një Pranverë Ballkanike në sfond, ajo e mohoi me forcë. “Protestat kanë karakteristika të ndryshme, tha ajo, ndaj nuk duhen krahasuar”. Dhe si gjithmonë, kur gjërat shkojnë keq në Ballkanin Perëndimor, zëdhënësja e BE e ka gati frazën standarde: “Rajoni ka një perspektivë të qartë evropiane, nëse vazhdon të reformojë vetveten,” shkruan Neue Zuercher Zeitung.