Edi Rama në Davos: Shqipëria gati për të hapur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

630
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Ditën e djeshme Kryeministri Rama u takua me homologun belg Charles Michel, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet mes dy vendeve. Kryeministri Rama nënvizoi vullnetin e qeverisë për të hapur negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërkohë që e njohu Kryeministrin belg me hapat e ndërmarra në përmbushje të prioriteteve kyçe e në veçanti me ecurinë e reformës në drejtësi dhe Vetingun. Kryeministri Michel përgëzoi kreun e qeverisë shqiptare për arritjet dhe rezultatin në zgjedhje dhe ofroi mbështetjen e vendit të tij për aspiratën evropiane të Shqipërisë. Sakaq Kryeministri Rama zhvilloi në Davos, edhe një takim dypalësh me Mbretin e Jordanisë Abdullah II, me të cilin bisedoi mbi sfidat e përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kryeministri Rama e informoi Mbretin Abdullah në lidhje me Qendrën Rajonale Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, e cila është gati për të nisur aktivitetin e saj në Shqipëri. Mbreti Abdullah e falënderoi Kryeministrin Rama për mbështetjen dhe të gjitha përpjekjet e bëra në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, si dhe ofroi të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e Mbretërisë së Jordanisë për Qendrën Rajonale në Tiranë. Në fokus të bashkëbisedimit miqësor ishte organizimi në pranverë në Shqipëri, i një takimi ndërkombëtar shumëpalësh mbi sigurinë rajonale dhe ndërveprimin kundër ekstremizmit të dhunshëm (në kuadër të iniciativës globale të Akaba-s, nisëm e Madhërisë së Tij)
Sigal