Edi Rama i Përgjigjet Ilir Metës

448
Sigal

Edi Rama:  “Ti votojmë 3 ligjet dhe të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve!”

Kryetari i PS-së, Edi Rama, mbrëmë ka deklaruar se, PS-ja është gati t’i votojë 3 ligjet e mbetura për të plotësuar 12 prioritetet e BE-së për marrjen e statusit kandidat, por me kushtin që këto të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve dhe me funksionimin e Kuvendit të ri. Duke qenë se, PS-ja tani është dakord që të votohen tre ligje, ka shumë mundësi që ditën e hënë, më 6 maj, Kuvendi të miratojë, më në fund, 3 ligjet. Edi Rama, dha edhe shpjegimin përse PS-ja dhe ai vetë ndryshoi qëndrimin pro votimit të tre ligjeve. Duke komentuar çështjen e tre ligjeve, Rama tha se, Ilir Meta nuk i ka kërkuar asnjëherë si kusht për bashkimin aleancë parazgjedhore për votimin e tre ligjeve. “Sot kreu i LSI-së ka bërë një propozim për një kompromis për kalimin e dy ligjeve. Të votohen dhe të hynë në fuqi me Parlamentin e ri. Nuk ka pse gjithë periudha e verës të përdoret kur jemi në një tranzicion pushteti. Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi kësaj ftese për kompromis dhe të votojmë nëse pranohet opsioni që këto ligje të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve dhe kur të fillojë parlamenti i ri. Është një paketë që sot e kam marrë nga zyra e shtypit si propozim i kreut të LSI-së. Nuk e kishim diskutuar por është konform principit që mund ta respektojmë”, theksoi Rama.

3 ligjet, peng i Qarkut të Fierit

Siç dihet, 3 projekt/ligjet, “Për Gjykatën e Lartë”, “Për Reformën Parlamentare” dhe “Për Nëpunësin Civil”, kërkonin shumicën e cilësuar, pra 84 vota, që të miratoheshin në Kuvend dhe ishin pjesë e 12 prioriteteve për marrjen e statusit kandidat. Mirëpo, PS-ja nuk pranoi që t’i miratonte, duke marrë shkak nga moszgjidhja e çështjes për kryetarin e Qarkut të Fierit. PS-ja e përligji mosvotimin e 3 ligjeve të procesit të marrjes së statusit kandidat, me moszbatimin e vendimeve të gjykatave të shkallëve të ndryshme, përsa i përket se cili është Kryetari i Qarkut të Fierit. Mosvotimi i 3 ligjeve, u bë shkak që Këshilli i Ministrave të BE-së, të japë notë negative në dhjetor të 2012-s përsa i përket progresit të reformave në Shqipëri që kanë të bëjnë me plotësimin e kritereve për marrjes e statusit kandidat.  Edhe pse, shumë herë komisionerët e BE-së, madje edhe zoti Fyle, si komisioneri për zgjerimin e BE-së, erdhi shumë herë në Tiranë, për të biseduar me palët politike, në mënyrë të tillë që të gjendej një gjuhë e përbashkët e kompromisit dhe e konsensusit politik, për të miratuar 3 ligjet, prapëseprapë, PD-ja dhe PS-ja nuk lëshuan asnjë hap nga istikamet e kundërshtive politike.

LSI-ja, ishte katalizatori për “Pro”-në e PS-së

Mirëpo, bashkimi i LSI-së në një koalicion parazgjedhor me PS-së, krijoi natyrshëm kushte të reja politike, të favorshme edhe për klimën politike të votimit të 3 ligjeve të marrjes së statusit kandidat. LSI-ja, qysh në fillim, u kishte bërë thirrje PD-PS që të gjenin gjuhën e kompromisit, për hir të procesit të integrimit. Kësisoj, Edi Rama, dha dakordësinë e tij, që 3 ligjet të votohen nga ky Kuvend dhe, ka shumë mundësi, që ditën e hënë, më 6 maj, të votohen 3 ligjet, duke i hapur rrugën perspektivës, që brenda vitit 2013 Shqipëria të marrë statusin kandidat. Nuk është rastësi, që Rama pranoi të japë votën për miratimin e 3 ligjeve, duke patur parasysh, që PS-LSI kanë premtuar që në 8 vjetët e qeverisjes së tyre, Shqipëria do të pranohet si anëtare me të drejta të barabarta në Bashkimin Europian.