Edi Rama: Do të shkallmojmë nga themelet institucionet e korruptuara

512
Sigal

Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje konferencën e tij të parë online si kryetar i qeverisë, ku iu përgjigj një nga një të gjitha pyetjeve që i drejtuan qytetarët në rrjetin social “Tvvitter” dhe “Facebook”. Në përfundim të konferencës on-line Rama shkroi: “Faleminderit. Në opozitë kishte më shumë kohë për të folur… Kaq për sot të dashur miq, me lejen tuaj po kthehem në punë. Bashkë do ia dalim”.

 Rama u përgjigjet pyetjeve

 Po flitet për një projekt të Serbisë së madhe, ku qeveria e Saliut ka marrë pjesë me konsensus në të. Pse nuk reagoni?

Nuk ka asnjë projekt të tillë, qeveria e mëparshme ka plot faje, po jo këtë.

A do të shohim siç nuk i kishim parë dhe institucionet në nivel lokal si shkollat, universitetin?

Programi ynë dhe plani i veprimit i ministres sonë të arsimit janë shumë inkurajues.

Universitetet publike janë kthyer në vatra korrupsioni, si do veproni me “sekserët” e provimeve?

Do të jemi gati për të monitoruar me thellësi e transparencë vërtetësinë e provimeve.

Kur do i vijë fundi kaosit në Tiranë? Ngado parregullsi, kaos dhe plot me policë. Kaq vështirë të jetë rregulli?

10 ditët e para në detyrë të ministrit të Brendshëm premtojnë shumë, jam i bindur se ne do ta kthejmë Policinë e Shtetit në detyrë.

Z. KM, matura shtetërore sivjet= 5 provime + mesatarja= 6.100/6=16.6% vlen mesatarja në fund të 4 viteve. Priten ndryshime?

Matura Shtetërore do të reformohet në funksion të konkurrencës dhe meritës.

Z. Rama, a do të hiqet TVSH-ja për produktet e shportës, si të importuara apo të vendit në fillim te vitit 2014?

Ne do mbajmë zotimet tona dhe do të përgjigjemi për to një për një në fund të mandatit. Si fillim, duhet të ndalim rënien e madhe!

Zoti Rama, si prind fëmije kërkoj të na ktheni dyqanet nëpër shkolla si shërbim shumë i domosdoshëm për fëmijët tanë.

Nëpër shkolla nuk do të ketë aktivitete tregtare. Kanë rezultuar shumë problematike dhe në dëm të cilësisë së shkollës.

Z.Rama Unaza se Re është në varësinë e Njësisë Nr. 6 dhe të Komunës Kashar. A do të kalohet në varësi të Bashkisë Tiranë?

Është një anomali e kudondodhur dhe do ta shërojmë përmes reformës tërësore të administrimit të territorit.

Cilat janë hapat që keni menduar për “çlirimin e Shqipërisë” nga KLD e mafia ekzistuese gjyqësore? Apo 4 vjet pritje?

Shumë shpejt nis punën një grup ekspertësh për të çuar më tej reformën në drejtësi.

Çfarë vendimi do merrni me institucione si TVSH, ATSH..etj?

Do t’ia kthejmë publikut.

Do të shtyni ligjin e nëpunësit civil, një precedent i rrezikshëm, çfarë ju shtyu të merrni këtë risk?

I rrezikshëm është vakuumi, që krijon ligji në fjalë, si i pazbatueshëm për mungesë aktesh nënligjore.

Keni deklaruar se do të zhvillohen konkurse për punësimet në administratë. Ku konsistojnë këto konkurse?

Do të ketë vazhdimisht njoftime publike, sipas ligjit.

A do mund të konkurrojmë ne që humbëm punën, pasi kandiduam për PS, sepse znj.Nikolla tha asnjë mësues s’do largohet?

Mësuesit s’janë të partisë, po të fëmijëve e nxënësve të Shqipërisë! Koha e ngjyrimit politik të mësuesve ka mbaruar.

A mundet të ketë rilindje me 2 bashkëkryetar?

Me siguri do keni parë programin e PD-së dhe keni parasysh PD-në në shumëbashkëkryetarësi:-)

Konkurrenca e paligjshme në biznesin privat. Ç’masa do merren nga qeveria juaj për këtë problem?

Formalizimi i ekonomisë do të jetë objekt i palëvizshëm i përpjekjes sonë.

Pse po shkatërrohen hekurudhat? Në çdo shtet, ku ka demokraci ka hekurudha ka 23 vjet që Shqipërinë po shkatërrojnë…

Sepse shteti ka ikur në drejtim të paditur dhe ne përditë do të punojmë pa u lodhur ta kthejmë në krye të detyrës.

Çfarë do bësh me fëmijët që kanë probleme në pasaporta në Greqi?

Po punojmë për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi të trashëguar nga pakujdesia e qeverisë së mëparshme.

A keni ndonjë program për emigrantët shqiptarë?

Do të jemi më pranë emigrantëve, se qeveritë paraardhëse.

Ndërtimet pa leje në zonën e Golemit kur do t’i hiqni? Sepse ato po ndotin shumë plazhin.

Bregdeti do të jetë në fokusin e vëmendjes sonë.

Mund ta dimë çfarë do bëhet për punësimin e të rinjve dhe si do veprohet për punësimin?

Do të krijojmë hapësira të reja punësimi për të rinjtë, përmes arsimit profesional, investimeve prodhuese, konkurseve reale.

A mendoni se duhet ndërhyrë në sistemin e arsimit në lidhje me librat që ju shpërndahen nxënësve?

Jam absolutisht dakord.

Mbaj premtimin për punësim këtej nga Selenica e Vlorës po vdes populli për bukë, po han akoma ata njerëzit e Salës.

Qeveria s’ka mbushur ende pesëmbëdhjetëditëshin dhe nuk ka asnjë shkop magjik, për t’i ndryshuar gjërat, sa hap e mbyll sytë!

LSI i keni dhënë Pogradecin (emërtimin e drejtorëve: Posta, OSSH, Spital). Ku janë konkurset/meritat? Në vend të ministrive, LSI-së i keni dhënë qytetet (Pogradecin). Ku është ndryshimi nga PD-ja këtu? Po vihen drejtorë të paaftë…

MeLSI-në s’kemi ndarë qytete, po përgjegjësi.

A do ta kontrolloni edhe bujqësinë, farërat, plehrat kimike helmet e ndryshme?

Është zotim i yni. Do të bëjmë për fshatin shumëçka fshatit i është mohuar në këto vite.

Infermierët që punojnë në Fier nëpër spitale fillojnë punë në nënte dhe e lënë në 12:00…

Nuk do vazhdojë gjatë kjo gjendje, shpejt do të shihni përmirësimet.

Meqë e vendose të shkrish Gardën ku u bazove?

Në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Do shkojë ndonjë nga ish-ministrat që ju akuzoni para drejtësisë, apo do i falim dhe kësaj here?

Qeveria as shpall dënime, as jep falje. Lufta jonë me të korruptuarit do jetë frontale.

Premtimet dhe realiteti

 I dashur Edi, sot mora vesh që është emëruar drejtoreshë Tatimesh një person që s’ka fare njohuri për fushën ! Mbi ç’kritere zgjedhja?

Keni informacion të gabuar, shumë shpejt rezultatet do të tregojnë vlerën e përzgjedhjes së bërë.

Jam oficer i nivelit të lartë në Gardën e Republikës. Ndalojeni ristrukturimin e tipit “hiq tropojanë dhe vendos tepelenas”…

Garda e Republikës është strukturë që s’e ka shoqen në botën bashkëkohore. Shkrirja e saj, nevojë strukturore e shtetit.

 A do të ketë kallëzim penal për ish-pushtetarët “në qoftë se” do të perceptohen afera korruptive?

Padyshim, që po.

Sot isha në spitalin onkologjik Tiranë “Nënë Tereza”. Doktorët janë kasapë. Të shohin nga duart…

Spitali “Nënë Tereza” po ndryshon dhe do të ndryshojë përditë pa ndalim, deri sa të bëhet një spital normal.

Deri kur do të vazhdojë vjedhja që çdo muaj na bën CEZ-i dhe ujësjellës në faturat?

Normalizimi i sistemit të energjisë është prioritet shumë i rëndësishëm.