Edi Rama do të na fusë në karantinë, që të prishë Teatrin dhe të fitojë zgjedhjet!

326
Sigal

Nga Enkel Demi

Zonja ministre doli dora vetë të në thoshte që e kemi prishur punën me masat, prandaj do të na kthehet karantina.

Qysh dje u mor vesh kjo punë, madje nuk është çudi që nesër të kemi nja 50 të infektuar. Këta i rrisin dhe i ulin si të duan. Po pse? Sepse, shefit të zonjës ministre, karikaturës së diktatorit, Edi Ramës i duhet karantina si buka që ha.

Dje, shkarkoi një shef policie, se kishte lënë gjindjen të shëtiste nga liqeni. Shefi i gjindshëm i policisë nuk e kuptoi i gjori që beteja kundër mafies dhe krimit të organizuar fitohet, vetëm nëse nuk lejon gratë të shtyjnë karron e foshnjes nga Gjiri i Kurvave.

Prandaj, u kuptua qartë se Edi Rama do të shtonte numrin e të infektuarëve, në mënyrë që të rikthejë karantinën. Është bërë kaq i lexueshëm kryeministri ynë sa fëmijët e oficerëve dikur që na vinin në shkollë me pantallona terital të gjelbër.

Por, përse i duhet karantina pikërisht tani “sundimtarit” të Shqipërisë.

E para, të prishë Teatrin.

E dyta, të na mësojë me lojën ngri-shkri deri për zgjedhje.

I marrim me radhë.

Teatri

I fut njerëzit në shtëpi, se për fajin e tyre meqë u hargalisën nga liqeni u infektuan. Në Teatër mbetet vetëm Neritan Liçaj me Lul Bashën. Një operacion i beftë mesnate dhe prishet. Neritanin e rrahin. Të nesërmen na vjen në shtëpi prej televizorit me projektin e Teatrit të ri dhe na mbush kokën me broçkulla se sa mirë do bëhet. Nxjerr dhe ca artistë që e duan Teatrin e ri dhe fillon punën fadroma e firmës që të hapë gropën.

Për çudi kryetarja e Komitetit të Ekspertëve që e rrit dhe e ul numrin e të infektuarëve sipas qejfit të të sëmurit për mend është Mira Rakacolli, e cila na qëlllon të jetë anëtare e Këshillit Bashkiak dhe na ka votuar pro prishjes së Teatrit.

Zgjedhjet

Valën e dytë a të tretë të infektimit po e uron vetëm qeveria dhe rilindasit. Karantina të mbyll brenda. Në fushatë, veç ai del sa lart e poshtë nëpër Shqipëri; diku blen, diku kërcënon, diku jep një çapë bukë atij që do vuajë nga uria dhe e tërheq për hunde, diku ndëshkon, ashtu si i mori Lulit patentën në Durrës. Përfundimi? Fiton Edi Rama, i vetëm, në aleancë me popullin si në kohën e Frontit Demokratik të Nexhmije Hoxhës.