Edhe Komisioni i Venecias i zhytur në abuzim? Raporti sekret, me datë të manipuluar!

581
Sigal

Raporti i Komisionit të Venecias, i publikuar sot nga mediat shqiptare, marrë nga zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, mban datën 29 shtator 2019 (!).

Dhe për më tepër, ky dokument është i klasifikuar si sekret deri ditën e publikimit zyrtar.

Megjithatë, ky raport u publikua në media.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi, i pyetur mbi këtë dokument të Komisionit të Venecias që mban datën 29 shtator 2019, tha se nuk donte që Presidenca të përfshihej në komente.

Megjithatë ai shtoi: “Nuk komentojmë asnjë dokument të klasifikuar që na vjen nga institucione të ndryshme, përfshi edhe Komisionin e Venecias.

Aq më tepër që sot është data 27 shtator 2019, ndërsa ky dokument mban datën 29 shtator 2019”.

Në këtë pikë edhe Presidenca e Republikës shtron pyetjen:

“Jemi të paqartë: është “ngatërresë” nga nxitimi, apo në datën 29 shtator 2019 do vijë një dokument tjetër?”

Sa i takon çështjes në fjalë, qëndrimi i Presidencës, thotë Blushi, është shumë i qartë:

“zero shkelje të Kushtetutës!

Më herët sot u publikua një raport që sugjeron se është konkluzioni i Komisionit të Venecias mbi ligjshmërinë ose jo të dekreteve të Presidentit Ilir Meta për dekretimin e 30 qershorit dhe caktimin e 13 tetorit për zgjedhjet lokale.

Duke komentuar këtë, Presidenca reagoi mbrëmjen e sotme duke shprehur bindje se ka “Zero shkelje të Kushtetutës!” dhe duke apeluar: “Harrojini traktet e porositura ngado që të vijnë!”.

Më tej Presidenca thekson: “E dinë të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët me integritet se Presidenti i Republikës ka mbrojtur Kushtetutën, rendin demokratik dhe pluralizmin politik, dhe ka shmangur gjakderdhjen dhe Rajshtagun!”, duke iu referuar dyshimit për djegien e Parlamentit në kuadrin e protestave opozitare, paralajmërim i bërë nga SHISH.

Presidenti Meta i sugjeron palëve politike që të dëgjojnë atë çka tha Bundestagu gjerman, i cili i vuri 9 kushte Shqipërisë për procesin e negociatave për anëtarësim.

Në fund, z.Meta apelon: “Uluni urgjent dhe zgjidhni krizën e rëndë politike para se t’i shtoni kushte të tjera Shqipërisë!”. /noa.al/