Edhe 17 ditë fushatë, Xhixho: LSI kujdeset për njerëzit, mban fjalën

191
Sigal

Erisa Xhixho, kandidatja për deputete e LSI në Tiranë, e cila renditet e dyta në listë, ishte e ftuar në Ditari në A2, nga ku foli për fushatën zgjedhore dhe pritshmëritë nga 25 prilli.

“Ka rënie të besimit të qytetarëve te politika. Këtë vit votohet edhe individi dhe kjo i jep mundësi qytetarëve të votojnë jo thjesht një logo. Kjo ndikon edhe në rritjen e pjesëmarrjes, e cila besoj se do të jetë shumë e lartë më 25 prill. Qytetarët kërkojnë premtime të drejtpërdrejta që të rifitojnë besimin dhe kjo është një sfidë shumë e madhe për të nesërmen.

Mendoja se kjo fushatë do të ishte një moment llogaridhënie nga qeveria për ato që kanë bërë apo jo, aq më tepër në këtë moment kritik që ndodhet vendi. Njerëzit kërkojnë një rimëkëmbje ekonomike, një shtet normal”.

Më tej, kandidatja e LSI në Tiranë theksoi se 5 prioritetet e kësaj partie janë pritur mirë në Tiranë, ndërsa edhe lista e kandidatëve është dinjitoze jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë Shqipërinë.

“LSI është forca që kujdeset për njerëzit dhe mban fjalën për premtimet që jep. Lista është dinjitoze jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. 5 prioritetet e LSI janë pritur shumë mirë nga qytetarët. Unë jam angazhuar që të mos jem një nga deputetet klasike që kanë parë qytetarët, që mbyllin zyrën në datë 26 dhe nuk duken aty për 4 vite me radhë. Unë kam pasur fatin të studioj në Mbretërinë e Bashkuar dhe të jem pjesë e fushatës laburiste atje. Deputeti ka një zyrë që siguron kontaktin me qytetarët dhe që është në kontakt të vazhdueshëm me ata. Ky është një angazhim i imi për të qenë pranë qytetarëve dhe për të krijuar një model të ri të deputetit”, u shpreh Xhixho.