E premtja e shenjtë para Pashkëve, Basha: T’i lutemi Zotit të na e lehtësojë këtë sprovë të madhe që po kalojmë si komb

324
Sigal

Vetëm dy ditë na ndajnë nga Pashkët, kryetari i Opozitës Lulzim Basha, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, uron dhe lut Zotin që të dalim sa më të fortë nga kjo periudhë e vështirë e pandemisë.

Sipas Bashës, duhet të lutemi në këtë të premte që mëshira e Perëndisë të zbusë zemrat tona dhe të na udhëzojë e mbushë me dashuri e besim në rrugën e sprovës drejt normalitetit dhe lirisë.

Postimi i plotë i Bashës:

“Dy ditë përpara të dielës së Pashkëve, në këtë të premte të veçantë të sakrificës dhe dhimbjes, le të bashkohemi në një lutje të përbashkët: t’i lutemi Zotit të na e lehtësojë këtë sprovë të madhe që po kalojmë si familje, si vend dhe si komb, dhe të na japë durim dhe fuqi për të dalë më të fortë prej saj.

Sjelltë heshtja e kësaj të premte ndriçim dhe meditim për secilin prej nesh, për atë çfarë mund të bëjmë më mirë. Të lutemi në këtë të premte që mëshira e Perëndisë të zbusë zemrat tona dhe të na udhëzojë e mbushë me dashuri e besim në rrugën e sprovës drejt normalitetit dhe lirisë”, shkruan kryedemokrati në urimin e tij.