E ardhmja e koalicionit, Rama e Meta darkojnë tek “Pazari i Ri”

778
Kryeministri Edi Rama dhe aleati kryesor në qeverisje, kreu i Kuvendit Ilir Meta këtë mbrëmje kanë zgjedhur të darkojnë me njëri-tjetrin në një restorant peshku në zonën e Pazarit të Ri në Tiranë.
Kjo darkë vjen 4 vjet pas marrëveshjes së 1 Prillit. Bashkë me Edi Ramën dhe Ilir Metën, në darkën janë edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili. 
Gjatë ditës së sotme por edhe më herët në mënyrë të përsëritur, ka pasur deklarata të forta që nxjerrin në pah një përplasje brenda koalicionit të majtë mes dy forcave kryesore PS dhe LSI. 
Ajo që pritet prej kohësh të mësohet dhe që ende nuk është vendosur, është nëse Rama dhe Meta do të “rinovojnë” kontratën për të shkuar bashkë në koalicion edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 18 qershorit 2017.
Ditët e fundit ka pasur replika dhe kundër-replika në distancë mes figurave kryesore të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku kjo e fundit ka shprehur kritikat e saj për mënyrën e qeverisjes në disa sektorë, e veçanërisht reformës në arsim. 
Nga ana tjetër, vendi është në krizë politike pasi opozita shqiptare ka deklaruar se do të bojkotojë këto zgjedhje. Opozita kërkon qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira, me argumentet sipas saj se kryeministri Rama do të përdorë instrumentet e krimit dhe drogës për t’i vjedhur zgjedhjet më 18 qershor.
Sigal