Dyndje ankesash, “dorëzohen” njerëzit e vetingut

524
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është gjendur përballë një numri të madh ankesash nga publiku mbi vendimet gjyqësore. Vetëm pak ditë pas thirrjes së Komisioneve të Vetingut, që qytetarët të denoncojnë rastet e abuzimeve në gjykatë, një bum i madh ankesash është depozituar tashmë. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjatë pritjes së qytetarëve për plotësimin e Formularit të Denoncimit, është vënë re pritshmëria që ka publiku, lidhur me veprimtarinë e komisionit dhe besimi se kjo strukturë do të rishqyrtojë vendimet gjyqësore. “Në disa raste të tjera, publiku ka pritshmërinë se Komisioni do të hetojë veprimtarinë dhe shkeljen e disa funksionarëve të administratës publike apo se mund të ndërhyjë për të zgjidhur një situatë emergjente familjare të ankuesit dhe të vendosë dorëzimin e shkelësve në organet e policisë”, thuhet në deklaratë. Komisioni bëri të ditur se nuk do të trajtojë çështjet gjyqësore në themel, pra nuk do të kryejë funksionet e gjykatës, por mbi të gjitha provat dhe faktet, që qytetarët do të bashkëngjisin në Formularin e Denoncimit, do të konsiderohen gjatë procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve apo prokurorëve dhe në dhënien e vendimit vetëm për këta subjekte. “Çdo denoncim i publikut për akte korruptive apo fshehje të pasurisë, çdo provë që vërteton se subjekti i rivlerësimit ka lidhje me grupe kriminale apo kontakte të papërshtatshme, është një formë pjesëmarrjeje dhe bashkëpunimi me drejtësinë”, thuhet në deklaratën e KPK-së.
Sigal