Dvorani dorzon kreun e KED, drejtimin e merr zv/kryetari

369
Sigal

Ngritja e Gjykatës së Lartë, ka bërë që pas 15 vitesh Ardian Dvorani të largohet nga Gjykata e Lartë dhe ligjërisht edhe nga KED. Ish ministri i Drejtësisë Eduart Halimi: Vendimet provizore të Super-Gjykatës Europiane dhe të Venecias 2020. Presidenti Meta letër Këshillit të Lartë të Gjyqsorit. Analisti Vasjari: Zëvendësimi i Dvoranit korrekt nga pikëpamja kushtetuese

Presidenti Meta i drejton letër Këshillit të Lartë të Gjyqësorit

 Dvorani të dorëzojë detyrën, drejtimin e KED ta marrë zv/kryetari

Presidenti Ilir Meta, nuk heq dorë nga beteja kundër Kryetarit të Këshillit të Emerimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Përmes një letre, Presidenti Ilir Meta njofton Këshillin e Lartë Gjyqësor se Ardian Dvorani ka humbur çdo lloj të drejte, apo justifikimi për të vijuar funksionin edhe si Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përgjatë pjesës së mbetur të vitit 2020. Kreu i shtetit i kërkon Dvoranit të dorëzojë detyrën dhe në vijim e sipër, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të duhet të vijojë të funksionojë rregullisht nën drejtimin e Zëvendëskryetarit.

Presidenti në këtë letër zyrtare, citon se:

Z. Ardian Dvorani është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Lartë nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 4481, datë 17.02.2005. Kuvendi ka dhënë pëlqimin për këtë dekret me vendimin nr. 175, datë 24.02.2005. Duhet theksuar se emërimi i zotit Ardian Dvorani në këtë detyrë ka ardhur nga radhët e jogjyqtarëve. Sipas rregullit kushtetues të kohës, mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë ishte 9 vjet. Sipas nenit 4, të ligjit të kohës, nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Kryetari i Gjykatës së Lartë, përmes shkresës me nr. prot. 39, datë 16.01.2014, administruar në Institucionin e Presidentit me shkresën me nr. prot. 89, datë 17.01.2014, ka njoftuar mbi përfundimin e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, zotit Ardian Dvorani. Si pasojë e mbarimit të mandatit të z. Dvorani dhe njoftimit respektiv të bërë nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë në atë kohë, Presidenti i Republikës me dekretin nr. 8515, datë 10 mars 2014 ka emëruar si anëtar të Gjykatës së Lartë zotin Alaudin Malaj. Ky dekret nuk mori pëlqimin e Kuvendit, i cili me vendimin nr. 35, datë 22.05.2014, ka vendosur mosdhënien e pëlqimit për emërimin e zotit Alaudin Malaj si anëtar i Gjykatës së Lartë. Kësisoj këto zhtvillime sollën de facto që zoti Dvorani të ketë mbetur në detyrë jashtë mandatit, e kështu të ketë hyrë në vitin e 16-të ushtrimit të detyrës si anëtar i Gjykatës së Lartë, në shkelje të çdo parashikimi kushtetues. Pra ndonëse mandati i anëtarit në detyrë Ardian Dvorani, ka përfunduar në shkurt 2014 dhe përfundimi i këtij mandati është njoftuar sipas ligjit të kohës, ai ka vazhduar të mbetet në këtë detyrë. Në datë 5 mars 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka propozuar Presidentit të Republikës emërimin gjyqtar të Gjykatës së Lartë të zotit Sokol Sadushaj, zotit Ervin Pupe dhe zotit Ilir Panda, nga radhët e juristëve të spikatur. Në datën 10 mars 2020, Presidenti i Republikës emëroi zotin Sadushaj, zotin Pupe dhe zotin Panda si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Pas kryerjes së betimit para Presidentit të Republikës në datën 13 mars 2020, tre gjyqtarët e rinj kanë nisur punën zyrtarisht, duke bërë që të ndryshojë situata juridike dhe faktike e Gjykatës së Lartë. Në kuptim të dispozitave të sipërcituara dhe fakteve të parashtruara, është e qartë se mandati i zotit Ardian Dvorani si gjyqtar i Gjykatës së Lartë ka përfunduar në shkurt 2014, pasi ka mbaruar mandatin e tij 9-vjeçar. Zoti Dvorani ka vazhduar të mbajë detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë me pretendimin se anëtari i Gjykatës së Lartë, qëndron në detyrë derisa të zëvendësohet nga pasardhësi. Ai ka qëndruar në detyrë si anëtari i fundit dhe i vetëm i kësaj Gjykate në kushtet e deri pak kohëve më parë. Duke qenë se ishte i vetmi anëar i mbetur i Gjykatës së Lartë, që qëndronte në detyrë me pretendimin “[…] deri në emërimin e pasardhësit […]” (neni 136/5 i Kushtetutës), atëherë ngjarja e vetme, e pritshme që Kushtetuta parashikon e që i jep fund qëndrimit të mëtejshëm në detyrë, është pikërisht emërimi i anëtarit të parë të ri të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve të spikatur. Ky rregull i ri kushtetues është pretenduar nga zoti Dvorani si justifikim për të vazhduar e mbajtur detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Por ndryshimet kushtetutese, në rregullat e veta tranzitore, janë tepër të qarta dhe janë përkujdesur për të trajtuar çështjen e mandateve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët e kishin fituar mandatin me regjimin e mëparshëm kushtetues (siç është rasti i zotit Dvorani). KLGJ-ja ka konsideruar dhe ka informuar Presidentin e Republikës se posti që mbante zoti Dvorani, ishte një nga pozicionet e lira, të cilat duhet të plotësoheshin me prurjet nga jashtë sistemit gjyqësor (edhe për faktin se zoti Dvorani, kur është emëruar në vitin 2005, ka qenë jashtë sistemit gjyqësor). KLGJ, në korrik të vitit 2019,  nga 4 pozicione për t`u plotësuar nga radhët e juristëve të spikatur (jo gjyqtarë), fillimisht ka shpallur për aplikim 3 (tre) vende vakante, një prej të cilëve i përkiste pikërisht pozicionit vakant të krijuar nga përfundimi i mandatit të z. Ardian Dvorani. Ndërsa vendi i katërt vakant i përkiste pozicionit që e mbante ish gjyqtari Xhezair Zaganjori, i cili u shkarkua nga vettingu 2 muaj më pas, në shtator 2019. Procedura e plotësimit të kësaj vakance të katërt që i përkiste pozicionit që mbante zoti Zaganjori, ende nuk ka përfunduar nga ana e KLGJ-së.Kjo është edhe vakanca e fundit (e katërta) që i përket grupit prej 4 anëtarësh të Gjykatës së Lartë që plotësohen nga jashtë sistemit gjyqësor. Faktet e mësipërme e bëjnë të qartë se nga ana e KLGJ-së, janë depozituar pranë Presidentit të Republikës 3 propozime, për 3 vakancat e para të shpallura nga KLGJ-ja, njëra prej të cilave i përket vakancës për pozicionin e lirë që mbante zoti Dvorani. Presidenti Meta, në letër, konstaton se: Me emërimin e çcdonjërit prej anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, automatikisht posti vakant që mbante zoti Dvorani është plotësuar tashmë. […] Kjo do të thotë se me plotësimin e tre vakancave të shpallura, përkatësisht me emërimin e zotit Sadushaj, zotit Pupe dhe zotit Panda, atëherë qëndrimi në detyrë i zotit Dvorani ka përfunduar de jure dhe de facto, në kuptim të neneve 136 dhe 139 të Kushtetutës dhe nenit 161 të ligjit nr. 96/2016. Presidenti i Republikës në letrën e tij vlerëson se:adresimi i problematikës së mësipërme ka rëndësi thelbësore për të siguruar organizimin, funksionimin e plotë dhe të qartë të Gjykatës së Lartë, me qëllim që në këtë fazë të ripërtëritjes së saj të mos lihet asnjë mundësi, që jo vetëm funksionimi i saj, por edhe korrektësia e proceseve gjyqësore, të mos cenohen dhe të mos shfaqin defekte të rënda në kuptim të procesit të rregullt ligjor, që mund të sjellë pasoja të rënda e të parikuperueshme për to në të ardhmen, që vijnë përmes shqyrtimit të ankimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Çdo lloj vendimmarrjeje e zotit Dvorani, në cilësinë e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë apo e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, përbën cenim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, dhe eventualisht i bën këto vendime të kontestueshme, me rrezik pavlefshmërinë e tyre. Sipas parashikimeve ligjore, të përsëritura me kujdes në letrën e Presidentit, është më se i qartë qëndrimi që edhe ky institucion ka mbajtur: me emërimin dhe fillimin e ushtrimit të mandatit të rregullt të anëtarit të parë në Gjykatën e Lartë, që përkon me fillimin e ushtrimit të mandatit të zotit Sokol Sadushaj, zotit Ardian Dvorani i ka përfunduar tashmë dhe “detyrimi” për vijimin e ushtrimit të detyrës, detyrim ky që sipas tij, e ka mbajtur atë të lidhur me pozicionin si anëtar i Gjykatës së Lartë për thuajse 7 vjet pas përfundimit të mandatit të rregullt. Sipas Presidentit, tashmë lind nevoja që zoti Dvorani të përmbushë si detyrim të fundit ligjor dorëzimin e detyrës sipas ligjit. Ky proces i dorëzimit të detyrës nga ana e z. Dvorani, që lidhet direkt me fatin e mijëra dosjeve gjyqësore të qytetarëve që presin mbi tavolinën e tij, duhet të mbikëqyret dhe të udhëhiqet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që sipas Kushtetuës, është organi që duhet të sigurojë pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë. Pas kësaj letre të Presidentit, rezulton se Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka organizuar dy mbledhje me qëllim diskutimin e kësaj çështjeje. Në mbledhjen e fundit të datës 27 prill, Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas një debati dhe polemike mbi këtë çështje, ka vendosur me diferencë të vogël votash, që t`i kërkojë ish gjyqtarit Dvorani një opinion mbi qëndrimin e tij të mëtejshëm në detyrë. Është e pakuptimtë kjo vendimmarrje e Këshillit të Lartë Gjyqësor, që t`i kërkojë ish gjyqtarit një mendim nëse ai do, ose jo të qëndrojë në detyrë, duke shpërfillur çdo lloj parashikimi kushtetues që nuk ka më nevojë për interpretime apo opinione, e aq më pak nga personi që është subjekt i këtij diskutimi. Kjo do të jetë një nga çështjet që do të tregojë nëse kemi vërtet një Këshill të Lartë Gjyqësor të pavarur politikisht, me integritet për të marrë vendime sipas detyrës që i ngarkon Kushtetuta. Për shkak se KLGJ nuk ka zbardhur procesverbalet e mbledhjeve, nuk arrihet të kuptohet se cilët janë ata anëtarë që kanë votuar pro marrjes së opinionit nga Dvorani për vijimin e qëndrimit të tij në detyrë. Rasti i ish gjyqtarit Dvorani, është përfolur kaq shumë, pasi është unik në sistemet e drejtësisë të të gjithë vendeve të Bashkimit Europian, pasi është duke konsumuar vitin e 16-të të mandatit, ndërkohë që Kushtetuta lejon vetëm 9 vjet pa të drejtë ripërsëritjeje.

Presidenti Meta thirrje qeverisë: Përkrahni sektorin fason, garantoni masat mbrojtëse për bluzat e bardha

Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë të garantojë masat mbrojtëse për mjekët dhe infermierët, që po rrezikojnë jetën për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve në këtë kohë pandemi. Presidenti  Meta shprehet se qeveria duhet  të mbështesë në veçanti sektorin e fasonerisë, ku janë shfaqur mjaft probleme kohët e fundit.  Kreu i shtetit thekson më tej se garantimi i kushteve të sigurta dhe të shëndetshme të punës në çdo sektor, janë të domosdoshme për menaxhimin e pandemisë dhe rikthimin sa më shpejt në normalitet. Presidenti Ilir Meta: Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin e tyre mbështetës, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne. Me shqetësim kam ndjekur këto ditë edhe situatën në sektorin fason, ku janë shfaqur një sërë problematikash, që mund të ishin shmangur nëse masat kufizuese, higjena dhe distancimi social në ambientet e punës do të ishin respektuar. Ndërkohë që ky sektor kryesor punëdhënës ka nevojë për një përkrahje më konkrete për të mbijetuar. Garantimi i kushteve të sigurta dhe të shëndetshme të punës në çdo sektor, veçanërisht të kujtdo që është në vijën e parë kundër COVID-19, janë të domosdoshme për menaxhimin e pandemisë dhe rikthimin sa më shpejt në normalitet. Jeta, shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve janë të parat!