Durrës, rindërtohet ura tip “Bejli” që lidh dy fshatrat Jubë dhe Rrushkull

647
Rindërtohet ura që lidh dy fshatra në Durrës, kryebashkiaku Vangjush Dako dhe drejtori i SDC Manuel Sager në inaugurim

Investimet e bashkive nuk do të përqendrohen vetëm brenda në qytet. Tashmë përparësi ka marr edhe ngritja e infrastrukturës së nevojshme në fshat. Ndërtimi i një ure që u vjen në ndihmë banorëve të dy fshatrave në qytetin Durrësit, është përuruar gjatë ditës së djeshme nga Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Manuel Sager. Është një urë tip “Bejli” që lidh fshatin Jubë me Rrushkull, e cila është e rëndësishme për të gjithë zonën dhe që tashmë është në funksion të plotë e po kështu është përuruar edhe rruga e re që lidh urën “Bejli” me qendrën e fshatit Rrushkull rreth 500 metra e gjatë. Në ceremoninë e rastit merrte pjesë edhe ambasadori zviceran në Shqipëri, Christoph Graf, zyrtarë të tjerë zviceranë dhe dhjetëra banorë të kësaj zone. 

Rindërtimi i urës që lidh fshatin Jubë dhe Rrushkull si dhe rruga e re u zbatua nga Bashkia Durrës me mbështetjen e Programit për Zhvillimin Lokal dhe Decentralizimin (dldp/HELVETAS SWISS INTERCOOPERATION Shqipëri), investim që kontribuon në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të fshatrave Jubë dhe Rrushkull të Njësive Administrative, Katundi i Ri dhe Sukth. Vlera totale e projektit të zbatuar është 16 646 904 lekë me tvsh, nga të cilat 80 % janë dhuratë e qeverisë zvicerane si kontribut i dldp dhe dhe 20 % janë fond i dhënë nga Bashkia e Durrësit. Në fjalën e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi, se kjo urë ishte degraduar dhe ishte kthyer në një problem shqetësues për banorët, ndaj u vendos rindërtimi i saj dhe vënia në funksion të plotë për të lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe të mjeteve: “Kjo nuk është një urë e re, por një urë e rindërtuar dhe tashmë në funksion të plotë duke lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe të mjeteve të tyre. Unë falënderoj Qeverinë Zvicerane si mbështetëse financiare në rindërtimin e urës që lidh dy fshatrat: Jubë dhe Rrushkull. Ky projekt ishte një ide e përbashkët e dldp dhe Bashkisë Durrës, si një mundësi që afron dhe intensifikon ruralen me urbanen. Përkatësisht projekti KIS (Katund i Ri-sukth) i vjen ne shërbim 18 mijë banorëve të të dy fshatrave dhe 30 mijë banorëve të 2 komunave. Pas rindërtimit të urës do të vazhdojmë investimet në infrastrukturë, zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe atë të kanalizimeve të ujërave të zeza. Ne do të vazhdojmë me investimet tona që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të bashkisë së Durrësit kudo ku ata ndodhen.” Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Manuel Sager deklaroi: “Zvicra ka qenë gjithmonë partner i besueshëm i qeverisjes qendrore dhe asaj lokale ku kjo e fundit është me afër popullit. Prioriteti jonë kryesor ka qenë gjithmonë ndihma në fushën e edukimit profesional, sistemin shëndetësor dhe vijon në atë të qeverisjes vendore ku Zvicra dha një ndihmesë mjaft të madhe për reformën territoriale që rezultoi e suksesshme. Banorëve iu propozuan një sëre investimesh për këtë zonë dhe përzgjodhën këtë projekt si më të nevojshëm për ta. Ura është simbol i një miqësie e partneriteti mes Shqipërisë dhe Zvicrës.” Rindërtimi i kësaj ure 115 metra të gjatë dhe 4 metra të gjerë, është në zbatim planeve të Bashkisë Durrës, për zhvillimin e zonave periferike për t’i afruar ato me qendrën. Kjo urë ku kalojnë çdo ditë rreth 400 autovetura dhe më shumë se 30 kamionë rrit ndjeshëm nivelin e shkëmbimit dhe komunikimit ndërmjet fshatrave, ka përmirësuar shërbimet publike në dy njësitë administrative, lehtësohet kalimi i mjeteve me karakter bujqësor me tonazh deri në 15 ton e të gjitha këto do të rrisin zhvillimin ekonomik të zonës si dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve. 18,000 banorë të fshatrave Jubë dhe Rrushkull, si dhe 30 mijë banorë të njësive administrative Katundi i Ri dhe Sukth janë përfitues nga ky investim pasi ata e përdorin urën për realizimin e veprimtarive të përditshme. Po kështu nga ndërtimi i kësaj ure kanë përfituar bizneset dhe fermerët e këtyre fshatrave. Nga ndërtimi i kësaj ure u është lehtësuar jetesa edhe e grave, fëmijëve, të moshuarve, shtresave vulnerabël etj. Ata do të kenë një mundësi më të mirë për të përdorur urën pa rrezikuar jetën e tyre. Gjithashtu, nxënësit dhe fëmijët do të harxhojnë më pak kohë për të shkuar në shkolla e kopshte. Lehtësimi i qarkullimit të banorëve dhe mjeteve që ka sjellë ndërtimi i kësaj ure do të bëjë të mundur zhvillimin agro-bujqësor të këtij rajoni. Tashmë mundësohet lidhja e vijës bregdetare në të gjithë gjatësinë e saj, në pjesën veriore të Bashkisë Durrës. Gjithashtu, rindërtimi i urës ka krijuar terren të përshtatshëm për përmirësimin e infrastrukturës në këtë vijë, e cila mund të marrë dhe karakterin e një zone turistike bujqësore. Në projektet e saj Bashkia Durrës do të rikonstruktojë dhe do të zgjerojë edhe disa ura të tjera në këto zona si dhe do të vazhdojë me rikonstruksionin e disa rrugëve.
Sigal