Durrës, Dako: Dallëndyshet e Shqipërisë në Gjermani. I pranishëm edhe Hoffman

441
Shkëmbimi kulturor midis dy vendeve është mjaft i rëndësishëm për integrimin e dy kulturave mes dy popujve tanë, shqiptar dhe gjerman, kështu ka deklaruar kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako në koncertin e orkestrës simfonike të të rinjve gjermanë në bashkëpunim me orkestrën rinore të harqeve Tirana, zhvilluar në arenën e amfitetarit antik të qytetit të Durrësit.

“Ky aktivitet është shumë i rëndësishëm për integrimin e dy kulturave, asaj shqiptare dhe gjermane dhe ne do të vazhdojmë me aktivitete të tilla. Unë i uroj mirëseardhjen të rinjve gjermanë dhe sot ata shohin një ambient modern, një Durrës ndryshe dhe besoj se do të jenë dallëndyshet e Shqipërisë në Gjermani”.
I pranishëm, ambasadori gjerman Helmut Hofman vlerësoi idenë e këtij koncerti dhe mikpritjen durrsake.
“Është kënaqësi që jam i pranishëm në një qytet si Durrësi. Dua të komplimentoj kryetarin e bashkisë së Durrësit për punën e mirë që ka bërë në këtë qytet.Për ne është një kënaqësi që të vijmë ketu. Ishte një ide shumë e mirë që në këtë amfiteatër të dëgjohej një muzikë shumë e bukur. Gjithashtu doja të falenderoja edhe këta të rinj, ata janë 83 vetë që kanë ardhur nga Gjermania dhe janë shumë të kënaqur me mikpritjen këtu”.
Orkestra sinfonike e të rinjve gjermanë nga Berlini me dirigjent Knut Andreas ka interpretuar pjesë nga kompozitorë të njohur si George Bizet, Enio Morricone, Carl Nielsen dhe Dmitri Schosttakoësitsch.
Sigal