Dritëro Agolli: Shqipëria nuk është çliruar endé!

538
Sigal

INTERVISTA/ Shkrimtari Dritëro Agolli: “Në fakt, shqiponja jonë është njëkrenare”

Zoti Agolli, si intelektual, shkrimtar dhe politikan, si i keni përjetuar ngjarjet tragjike që po kalon populli i Kosovës nën dhunën dhe represionin serb?

– Ngjarjet në Kosovë janë dramatike si në çdo luftë të gjatë që herë zbutet dhe herë bëhet e ashpër dhe e përgjakur. Unë këtë dramë luftarake e kam përjetuar si shqiptar, apo më mirë si intelektual shqiptar realist, i veshur me rrobat e luftës dhe jo me petkat romantike të salloneve sentimentale. Domethënë i kam përjetuar ngjarjet me një dhimbje krenare si të atij luftëtarit që lufta e ka gjetur në udhë e sipër. Dhe ky luftëtar mundohet t’i mbajë lotët duke shtrënguar dhëmbët, i bie kokës me grushte dhe bërtet: “Si nuk u ndodha në fushën e betejës”! Ulërin për fëmijët, gratë dhe nënat e vrara dhe rend si një i maratonomak me një zemërim të tmerrshëm ndaj pushtuesve barbarë serbë. Mua tash më ka ikur përjetimi romantik, më ka ikur edhe dëshira abstrakte romantiko-patriotike, e stisur dhe artificiale për pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e popullit shqiptar. Nga kjo dhimbjen e kam konkrete, realiste, krenarinë për luftën popullore e kam konkrete dhe realiste dhe qëllimin final të kësaj beteje e kam gjithashtu konkret dhe realist. Mjaft me romantizma patriotike dhe politike, se u çmendëm!…

Shqipëria është dhemb dinamiti

– Si e paramendoni zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve dhe a shikoni dritë jeshile në zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare?

– Tash zjarri është ndezur. Ky është një zjarr i shumëpritur. U shty dhe u shty me ankth dhe me frikë nga diplomatët shqiptarë dhe të huaj: “obo-bo-bo, mos na shpërthejë flaka!” Por drutë aq ishin tharë, sa zjarri buçiti dhe erërat frynë nga grykat e Shqipërisë andej Drinit dhe këtej Drinit. Prandaj, zor se shuhet ky zjarr. Dhe nëse Evropa do të përpiqet ta shuajë duke premtuar ndonjë gjë të vogël, thëngjijtë do të mbeten të ndezur. Një gjë është kryesore: shqiptarët janë vënë në lëvizje për çështjen e tyre shqiptare dhe diplomacia evropiane dhe amerikane, gjithashtu, është vënë në lëvizje, madje është trembur, se zjarri në Kosovë mos përfshijë gjithë Ballkanin. Dhe neve kjo frikë e Evropës na bën mirë! Ne duhet të mos e qetësojmë Evropën me fjalët: “shqiptarët edhe këtej e tutje janë paqësorë dhe ndjekin rrugën paqësore për çështjen e tyre”. Ne duhet ta bëjmë Evropën të kuptojë se Shqipëria është një shkëmb dinamiti dhe po nuk u zgjidh çështja e saj, zjarri i këtij dinamiti del në Karadak e në Olimp, në Malet Ballkan dhe në Siçili. Atëherë me të vërtetë hapet drita jeshile për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Dhe për këtë unë jam një optimist, realist i përmbajtur dhe jo një optimist i çarmatosur romantik.

– Sa optimist jeni në zgjidhjen e problemit të Kosovës me dialog dhe a mendoni se tashmë faktori ndërkombëtar do ta shohë me sy tjetër këtë problem dhe do të ushtrojë gjithë autoritetin e vet në dobi të një zgjidhjeje përfundimtare?

– Për t’ia arritur një qëllimi kombëtar nuk përdoret vetëm një lloj arme, vetëm arma e dialogut. Kjo është një valium për të të vënë në gjumë. Popujt e tjerë nuk janë çliruar vetëm me dialog. Vietnami me dialog u çlirua? Çeçenia me dialog u çlirua? Bosnja me dialog u çlirua? Irlanda e Veriut kishte dialogun, por kishte edhe IRA-n. Kosova do të ketë dialogun, por do të ketë UÇK-në. Përsa i përket asaj se si do ta shohë faktori ndërkombëtar problemin shqiptar, unë e thashë, Evropa duhet të bindet se shqiptarët nuk do ta shuajnë zjarrin derisa të çlirohen. Evropa duhet jo vetëm të bindet, por edhe të frikësohet nga rrebeshi shqiptar.

Çlirimi final i Shqipërisë

– Si e vlerësoni politikën e shtetit shqiptar në këtë drejtim dhe a mendoni se ai ka bërë gjithçka të mundur për çështjen e Kosovës?

– Shteti shqiptar, ç’është e vërteta, e ka intensifikuar luftën politike dhe diplomatike për çështjen e Kosovës dhe këtë e ka parë si çështje të përgjithshme shqiptare. Por ky shtet ka një lëkundje në strategjinë e tij për çështjen kombëtare. Drejtuesit e tij një herë janë të mendimit se Kosova duhet të bëhet autonome, një herë republikë minus një, një herë republikë e pavarur e me radhë. Kjo lëkundje varet nga disponimi i forcave politike në Shqipëri dhe nga lëvizja diplomatike në Evropë dhe në Amerikë. Për mendimin tim, shteti shqiptar duhet të jetë më i qartë dhe më konsekuent në strategjinë e çështjes shqiptare dhe të mos kthehet nga të fryjë era. Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar, edhe përfaqësuesit e qeverisë në Kosovë duhet ta heqin nga fjalori i tyre termin “terrorizmi shqiptar” apo shprehjen qerpiç: “dënojmë terrorizmin ngado që të vijë”. Ka vetëm një terrorizëm: Ai është terrorizmi serb. Gjithashtu, përfaqësuesit e shtetit shqiptar dhe ata të qeverisë së Kosovës duhet të mos ngatërrojnë UÇK-në me terrorizmin.

Por shteti shqiptar duhet të bëjë një politikë të mençme për zhvillimin e Shqipërisë, një politikë të drejtë ekonomike, shoqërore dhe kulturore, një politikë pajtimi e bashkimi jashtë përzierjeve përçarëse, korruptuese dhe bizantine. Edhe problemin e Kosovës shteti dhe partitë të mos e përdorin artificialisht për interesat e tyre politike, duke u betuar se kush e do më shumë Kosovën! Kosova nuk ka nevojë për betime dhe lot mallëngjimi, për “ta marrça” e “t’u bëfsha”. Kosova ka nevojë për dashuri të ndërgjegjshme patriotike, për luftë konsekuente të gjithanshme për çlirimin e saj, se çlirimi i Kosovës është çlirimi final i Shqipërisë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se Shqipëria nuk është ende e çliruar dhe e pavarur, megjithëse ne festojmë 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit me shqiponjën dykrenare. Në fakt, shqiponja jonë është një krenare. Ju thoni si të doni!

“ZËRI”, Prishtinë, 25 prill 1998

 ___________________________________________________________________________________

Xhevdet Shehu/ DRITËROI NË NJË HAP ME KOHËN

Në prag të ngjarjeve të mëdha, sikurse është ky 100-vjetor I shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, fjala e njerëzve të mençur merr një peshë të veçantë. Shqiptarët janë të etur të dëgjojnë se ç’mendojnë dhe ç’thonë burrat e mençur të këtij vendi. Por të mençurit nuk flasin ditë për ditë. Ata e dinë vetë kur flasin dhe çfarë të thonë. I tillë është dhe Dritëroi. Ai matet shumë kur flet, pasi e di që fjala e tij ngjit. Ai është konsekuent në mendimet e tij dhe u ka paraprirë zhvillimeve që kanë ndodhur, sidomos gjatë njëzet viteve të fundit. Kam folur shumë, na tha dje Dritëroi. Le të flasin të tjerët. Ju do më pyesni për 100-vjetorin. Unë nuk kam ç’tu shtoj atyre që kam thënë 15 vjet më parë në një intervistë që e kam botuar në shtypin e Kosovës. E dini ju se ditët e fundit ka ndalë një libër interesant i gazetarit Mehill Tanushi, në të cilin janë përfshirë dhe disa intervista të mijat. Këto intervista janë bërë rreth 15 vjet më parë, kur Shqipëria ishte ndezur flakë nga kur Kosova ishte ende e paçliruar. Ja, merrini dhe botojini po të doni. Unë atëherë kam thënë se Shqipëria nuk është çliruar akoma dhe se shqiponja jonë është njëkrenare. Nuk shtoj dot asgjë. Përderisa ne do të vazhdojmë të jemi të ndarë e të për dot asgjë. Përderisa ne do të vazhdojmë të jemi të ndarë e të përçarë, do të thotë se nuk e kemi realizuar aspiratën tonë kombëtare. Pra vazhdojmë ta kemi shqiponjën me një kokë. Botojeni atë intervistë ashtu siç është, edhe me datën kur është botuar në Kosovë, pasi në shtypin e Tiranës nuk është botuar. Do të më pyesni për aktualitetin politik? Ja merrni këtë fragmentin nga intervista që kam botuar në gazetën “Zëri” të Prishtinës më 1 shkurt 1997. Aty do të gjeni përgjigjen që doni”. Ja, kështu na tha Dritëroi. Pavarësisht se kanë kaluar shumë vite, ato interviste ruajnë një aktualitet të habitshëm. Sepse Dritëroi ecën me kohën, me ngjarjet, i nuhat, i parashikon dhe u paraprin atyre. Kjo ndodh vetëm me të mençurit.