Dritan Leli: Bashkia e re e Vlorës ka nevojë për ndërhyrje urgjente

667
Kandidati i ASHE për Bashkinë e Vlorës Dritan Leli ka zhvilluar një takim me banorët e Rajonit Nr. 2 të qytetit të Vlorës tek lulishtja Aulona në breg të detit. Dritan Leli ka folur për impenjimin e tij maksimal për të ndryshuar gjendjen e infrastrukturës në qytetin e Vlorës pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Leli preku disa nga pikat më nevralgjike të infrastrukturës së Vlorës, të cilat kërkojnë ndërhyrje urgjente. Ai ftoi qytetarët e pranishëm që të shprehnin shqetësimet e tyre për qytetin, lagjet dhe rrugët e rajonit 2 ku ai i ka shkelur vet me këmbë dhe ka parë nga afër problematikën. 
Ai tha se ka lindur në Vlorë në lagjen “Lirim” dhe shkollën fillore e ka kryer tek Shkolla 9 vjeçare “Rilindja” (dikur 8 vjeçare “8 Nëntori). Lidhja e tij me qytetin e Vlorën ka qenë e pandërprerë dhe ai tha se, kudo ku ka qenë dhe ka punuar, është ndjerë gjithmonë si vlonjatë. Banorët ngritën shumë probleme në lidhje me kanalizimet e ujërave të zeza, djegien e plehrave, shërbimin urban, infrastrukturën rrugore, pluhurin dhe baltën, mungesën e ndriçimit, hapësirat e gjelbërta, parkimin e automjeteve etj. Kandidati Dritan Leli u angazhua që brenda 100 ditëve të para në krye të Bashkisë së Vlorës do t’i jap fund djegies së plehrave që shkatërrojnë jetën e banorëve të qytetit.
Duke u ndalur tek sezoni turistik kandidati Dritan Leli tha se do të bëjë përpjekje që sezoni turistik në Vlorë të jetë më i gjatë në kohë. Ai iu përgjigj edhe disa pyetjeve të bëra nga një banor i Orikumit lidhur me infrastrukturën, duke thënë se pas 21 qershorit Orikumi do të jetë një rajon apo një lagje e Vlorës dhe do ketë vëmendjen e tij në çdo aspekt. Ai tha se është shumë punëtor dhe ka punuar gjithmonë 12 orë në ditë duke u shërbyer qytetarëve në profesionin e tij, çka i bindi ata në seriozitetin e tij dhe të angazhimeve që ka marrë duke fituar respektin, mbështetjen dhe duartrokitjet e tyre. 
Sigal