Drejtori i “Magjistraturës”, Arben Rakipi, në konflikt interesi. Shkel “Reformën në Drejtësi”

618
Sigal

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, një prej Ekspertëve të Lartë të Reformës në Drejtësi, ka vendosur të sfidojë hapur paketën kushtetuese e ligjore të miratuar duke filluar nga Korriku 2016 e në vijim.

Ai është në kushtet flagrante të konfliktit të interesave, pasi paralelisht me funksionin zyrtar, vijon të ushtrojë edhe profesionin e Avokatit.

Rakipi u emërua zyrtarisht Drejtor i Magjistraturës në 28 Korrik 2020, duke plotësuar vendin vakant të krijuar nga largimi i Sokol Sadushit në Gjykatën e Lartë.

Image

Njëkohësisht, Rakipi ka aktive licensën dhe ushtron funksionin e Avokatit, në kundërshtim me parashikimet ligjore, që ia ndalojnë dy-punësimin.

Shkelja ligjore

Në fund të Korrikut 2020, Bordi i Shkollës së Magjistraturës zgjodhi drejtor Arben Rakipin, ish-Prokuror i Përgjithshëm dhe prej kohësh pedagog i brendshëm në atë institucion.

Me paketën e re ligjore të Reformës në Drejtësi, Shkolla e Magjistraturës është përfshirë në listën e institucioneve që konsiderohej pjesë e qeverisjes së gjyqësorit.

Krahas të drejtave dhe privilegjeve, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës ka edhe disa ndalime specifike, të ngjashme me ato të zyrtarëve të drejtësisë, si edhe gjyqtarët e prokurorët.

Në nenin 150 të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikohet ndër të tjera se;

“Gjatë kohës së qëndrimit në funksion, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës gëzon pagën dhe përfitimet e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Funksioni i Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër publik, anëtarësimin në partitë politike apo pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre, ose kryerjen e çdo veprimtarie tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies dhe veprimtarive me natyrë shkencore”.

Image

Ky parashikim eksplicit ligjor nuk rezulton të jetë zbatuar nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.

“Boldnews.al” verifikoi të dhënat zyrtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

Ai ka qenë i regjistruar edhe si person fizik “Avokat” nën emrin e tij, Arben Rakipi, të cilën e ka ç’regjistruar në 9 Shtator 2020, mesa duket një veprim për të shmangur konfliktin e interesave, por që është i paplotë

Nga hulumtimi rezultoi se Arben Rakipi është aksioner i shumicës (55 përqind të aksioneve) në studion ligjore “Rakipi & Partners”.

Image

Pikërisht, pjesëmarrja aktive në këtë shoqëri e shndërron Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës në subjekt të shkeljes së ligjit.

Ligji nr. 9367, dt. 07.04.2005, i ndryshuar “Për parandalimin e konfliktit të interesave”, në nenin 38 të tij parashikon se zyrtarët që gjenden në kushtet e konfiktit të interesave të vazhdueshëm (siç është rasti i Arben Rakipit), “….të ndërpresë, brenda 30 ditëve, ushtrimin e veprimtarive të ndaluara, …. dhe brenda këtij afati, por sa më parë, t’u kërkojë organeve kompetente çregjistrimin sipas ligjit të këtyre veprimtarive…”.

Image