Drejtorët mashtrojnë me “VKM” të rreme

429
Në vazhdën e garës dhe thellimit të aferave korruptive dhe skandaleve të tjera që lidhen me tenderat dhe shpërdorimet e tjera financiare, drejtorët e disa institucioneve dhe ndërmarrjeve shtetërore në Elbasan janë angazhuar ethshëm edhe në mashtrimin më të ri. Bëhet fjalë për gjoja “VKM mbi reformimin e sektorëve, strukturave, zyrave, dhe deri punëtorëve të thjeshtë”, duke u bërë atyre presione të vazhdueshme e duke u zhvatur para çdo tre apo katër muaj. 

Terrori i drejtorit ndaj punëtorëve
Një punonjës i një institucioni shtetëror në Elbasan, që mbahet nën presion dhe tension për vendin e punësi tha për “Telegraf” se “kam 18 vjet që punoj dhe prej 2 vitesh jetoj nën presione dhe tensione personale dhe familjare, çdo 3-4 muaj na thuhet do t’ju lëvizin, do t’ju heqin nga puna, do t’ju caktojnë në ndonjë vend tjetër, erdhi VKM, shkoni kapni “mikun”, dhe miku kuptohet është sekseri që gjithë ditën rri tek kafenetë e institucionit tonë, apo shoferi, sipas rastit”. Sipas të njëjtit burim ,por dhe dy kolegëve të tij, ky marifet po përdoret rëndom sa herë drejtuesit duan të mbushin me para xhepat e tyre, sa herë drejtuesit duan të japin pjesën e caktuar nga shefat e tyre lart në Tiranë, apo sa herë drejtuesit duan para për të blerë makinat e shtrenjta, madje direkt nga fabrika. Dhe kjo gjë ngjet në qytetin që numëron me mijëra të papunë, me qindra e mijëra biznese të falimentuara nga rritja e taksave, në qytetin që ka rritje mbi 25 % të numrit të familjeve, të cilat jetojnë nën minimumin jetik, në qytetin që prej 23 qershorit 2013 ka të punësuar vetëm 3.7 % të armatës së personave të papunë, në qytetin ku zhgënjimi nga mosmbajtja e premtimeve është dukshëm më i madh. Por, duke u kthyer tek fenomeni, “reforma sipas VKM”, faktet janë sa flagrante, aq edhe të trishtueshme. Vetëm në muajt gusht- shtator-tetor 2015, në tre prej institucioneve më kryesore të Elbasan, nga gjoja “reformat, sipas VKM”, janë marrë nga sekserët miliona lekë, duke u zgjidhur “hallin” e pakta 114 personave, pasi u ishte bërë presion atyre se “do t’ju heqin nga puna, nuk keni arsimimin e duhur, nuk keni votuar për të majtën, keni sharë deputetin, deputeten, apo drejtorin në kafe dhe zyra lart e poshtë”. 

Frika që mbyll gojët dhe denoncimet
Kjo situatë skandaloze, e cila të kujton pjesë nga filmat me çakej, është realiteti në disa prej institucioneve të shtetit në Elbasan. Askush nuk flet, askush nuk të përgjigjet, askush nuk të jep shpjegime për shkelet ligjore të drejtorit, shefave, askush nuk të flet hapur konformë ligjeve të shtetit për ecurinë e zgjidhjen e problemit që kanë qytetarët, të gjithë në zyrat e shtetit të flasin me shenja, sikur t’i ruheshin përgjuesve dhe veshit pas dere. Madje, një zyrtare fliste me pa zë në zyrën e një institucioni të shtetit dhe duke ja bërë me shenjë hallexhiut e nxori jashtë në korridor dhe i tha me zë të ulët “nuk flasim dot një fjalë, na përgjojnë, na deformojnë fjalët dhe na flakin në rrugë, dhe hajde jep lekë të tjera pastaj, situatë e keqe jemi si të ishim të burgosura”. Drejtuesit mburren dhe abuzojnë me “VKM të rreme”, me gjoja “udhëzime nga Ministria”, apo me “porosi të ministrit”, ndërkohë, që ndërmarrjet i kanë kthyer sikur t’i kishin burgje private për të zhvatur vetëm para. Askush nuk jep detaje për qytetarët, punonjësit, hallexhinjtë, askush nuk shpjegon se “kush e fitoi tenderin, kush dhe mbi çfarë ligjesh ka vendosur largimin apo punësimin e dhjetëra personave mbi normativën e lejuar, apo blerjet e pajustifikuara për qëllime përfitimi dhe aspak për t’i shërbyer mbarëvajtjes së proceseve të punës”. 

Denoncimet të dëgjohen, jo të shpërfillen
Kryeministri Rama patjetër (nuk) e di se në Elbasan, ka drejtorë, që nën emrin e tij, apo VKM e tij, kanë bërë goxha para, duke pasur si partner, madje edhe ministrin e linjës. Dhe nuk ka se si ta dijë, kur edhe pse në media bëhen denoncime dhe jepen fakte që akuzojnë ndërmarrjet dhe institucionet e shtetit, zoti Rama i quan vazhdimisht si “sulme nga SHQUPI”, apo “media jo serioze”. Jo ato janë “sulmet”, apo edhe denoncimet, që vijnë nga qytetarët që punojnë dhe jetojnë me frikën e VKM-ve të rreme, pushimit nga puna, largimit nga vendi punës dhe denigrimit, deri tek roja e objektit ,pavarësisht se mund të mbash në xhep edhe diploma, janë sulmet e qytetarëve që kanë frikën se një ditë, edhe po të flasin, do të thirren edhe nga policia për “shpifje ndaj eprorit”, ndaj atyre që prej kohësh janë kthyer në vampirë të parave të investimeve, që janë para të taksapaguesve dhe jo para të rëna nga qielli. Një zonjë, e cila veç faktit se është e shkolluar me master dhe specializime të tjera, ka edhe nja 22 vjet eksperiencë pune, tha se “ne jetojmë dhe punojmë nën presion, nën diktat, dhe me kokën të ulur, sikur të ishim skllevër dhe jo rrogëtarë të shtetit, jemi kthyer në kukulla të drejtuesve, na paralajmërojnë çdo 3-4 muaj për largime nga puna, dhe kur kjo ndodh na marrin edhe lekë me dhunë verbale dhe ne thjesht mendojmë, ky është realiteti, me të cilën Shqipëria kërkon hyrjen në BE, mjerë ne ku u katandisëm”. 
Sigal