Sigal

Pozita dhe opozita përplasen për kushtetuesen. Rama: Më mirë djepi bosh se shejtani brenda. Basha: Djepi bosh i duhet kryeshejtanit. Reagon Sokol Hazizi: Po tepsia e ka shejtanin brenda apo është bosh, Zamira Çavo: Problemet me Drejtësinë janë politike, Zaçe Islami: Jemi 250 vjet prapa si në kohën e Luigjit të XIV

Jakup B. GJOÇA

Shqipëria është i vetmi vend në Botë, që ka disa muaj që nuk funksionon Gjykata Kushtetuese. Dhe, ndoshta do të kalojnë edhe muaj, mbase edhe 2 vite të tjera, derisa Gjykata Kushtetuese të funksionojë. Pa Gjykatë Kushtetuese nuk ka rend kushtetues, asnjë qytetari nuk i garantohen të drejtat kushtetuese, të Drejtat themelore të Njeriut. Qeveria dhe parlamenti, mund të nxjerrin vendime, mund të miratojnë ligje, të cilat nuk mund të gjykohen dot nga nga Gjykata Kushtetuese. Sa kohë që nuk funksionon Gjykata Kushtetuese, nuk duhet edhe parlamenti të votojë asnjë ligj, nuk duhet edhe qeveria të nxjerrë asnjë VKM, sepse nuk ka më asnjë institucion kushtetues që të kontrollojë parlamentin dhe qeverinë.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese: Kryeministri Rama tha se ai është …edhe Kushtetuta

Kësisoj, mund të themi, që pa Gjykatë Kushtetuese Shqipëria është pa rend kushtetues, ku qeveria dhe parlamenti mund të abuzojë me pushtetet, nëpërmjet ligjeve dhe vendimeve që mund të marrin dhe Gjykata Kushtetuese, si institucioni më i lartë kushtetues, nuk mund të gjykojë dot, derisa nuk funksionon. Ky është abuzimi më i drejtpërdrejtë i pushteteve nga qeveria dhe parlamenti, të cilat sot janë në duart e kryeministrit Rama. Siç u shpreh për “Telegraf” një ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, të pranosh, idenë që u shpreh kryeministri Rama, se “ më mirë djepi bosh, sesa shejtani brenda”, është teoria, që të shkatërrosh gjithçka që nuk i pëlqen kryeministrit. Sepse nuk është kryeministri ai që vendos se duhet të shkatërrohen institucionet kushtetuese, apo si dhe kur duhet të rilindin institucionet kushtetuese. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese u shpreh për “Telegraf” se kryeministri Rama me këtë teori, do t’u thotë shqiptarëve, që ai është edhe kryeministër, edhe Kushtetuta njëkohësisht.

Basha replikon ‘flakë për flakë’ Ramës: Djepi bosh i duhet kryeshejtanit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Rama, në lidhje me situatën në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Ndërsa e quan kreun e qeverisë si ‘kryeshejtan’ Basha shkruan se djepi bosh i Gjykatës Kushtetuese i duhet “kryeshejtanit” për të mbrojtur mega aferën 200 milionë euro me grabitjen e Teatrit Kombëtar. Në reagimin e tij, kryedemokrati Basha nuk kursen akuzat as ndaj institucionit të Prokurorisë. “Ndërsa shejtanët në djepin e Prokurorisë ju duhen për të mbrojtur lidhjet me krimin dhe aferat korruptive, nga Tahiri te Xhafaj, nga Dako te Veliaj, nga Gjiknuri te Ahmetaj, nga Sejdini te Roshi me shokë’, – shprehet Basha.

Kryeministri e pranon: Qeveria bistunon drejtësinë dhe do ndërtojë institucionet e drejtësisë

Reforma në drejtësi nuk mund të bëhet nga një palë politike, as nga qeveria. Reforma në Drejtësi, pa konsensusin e plotë të opozitës është nul, është e papranueshme, e pabesueshme, është e njëanshme, është e politizuar. Reforma në drejtësi, u quajt e suksesshme, vetëm e vetëm se në 22 korrik 2016 u votua në parlament unanimisht me 140 vota. Pardje dështoi në parlament projektligji për Magjistraturën, një projektligj i cili faktikisht rrëzoi gjithë konsensusin e 22 korrikut 2016 të Reformës në Drejtësi. Opozita e ka akuzuar kryeministrin Rama se ka shkatërruar qëllimisht Gjykatën Kushtetuese, që të ketë mundësi të nxjerrë ligje sipas interesit të vet. Shembulli më flagrant, është ligji për Teatrin, i cili edhe pse akuzohet se ka shkelur një sërë ligjesh të tjera dhe është antikushtetues, asnjë palë e interesuar nuk ka ku të ankimohet, derisa nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Kryeministri Rama akuzohet nga opozita se nuk ndërton sipas konsensusit të korrikut 2016 as institucionet e reja të Drejtësisë, por, nëpërmjet 6 ligjeve të reformës në drejtësi, që ka votuar pa konsensusin e opozitës, me emërimin e kryeprokurores së Përkohshme pa konsensusin e opozitës, por edhe me projektligjin më të fundit për Magjistraturën, kërkon, që të rrëzojë gjithë platformën e reformës në drejtësi, duke u dhënë kompetenca kushtetuese, në kundërshtim me reformën, kryeprokurores së Përkohshme dhe KLD për emërime. Reagimi i kryeministrit Rama, ndaj këtyre akuzave të forta të opozitës, është (çuditërisht) pohues. Kryeministri Rama e pranon që Qeveria (sepse nuk e ka konsensusin e opozitës) “Po operojmë organizma të kancerizuar, që e degraduan deri në kockë drejtësinë”. Domethënë, ndërtimin e gjithë sistemit të drejtësisë, do ta bëjë …maxhoranca, qeveria e drejtuar nga ai. Jo vetëm kaq, por kryeministri Rama pranon, që “Rilindja e këtyre gjykatave është vetëm çështje e më pak se një viti”. Me fjalë të tjera, që edhe institucionet e reja të drejtësisë, do të rilindin nga …qeveria, nga maxhoranca, madje në një ndërkohë të stërzgjatur, 1 vjeçar, derisa e përjashton konsensusin me opozitën. Pyetja është: A mund të jetë e pranueshme pohimi i kryeministrit Rama, që Shqipërinë ai do ta qeverisë edhe 1 vit tjetër, pa Gjykatë Kushtetuese, pa rend kushtetues? Pyetja tjetër: Përse qeveria nuk u përkujdes që vettingu, të ishte edhe përjashtues, edhe pranues njëkohësisht? Domethënë, përveç procesit të shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të ishte edhe proces i plotësimit të çdo vendi vakant në të njëjtën kohë, pa krujuar asnjë boshllëk dhe kolaps në Gjyqësor?

Gjykata Kushtetuese, kur PS-ja ishte në Opozitë pranoi 17 ankimime të saj

Kryeministri Rama sot e pranon, që nuk ka asnjë rëndësi, pse Gjykata Kushtetuese është dhe do të jetë akoma në koma, e paralizuar, për më shumë se një vit tjetër, për shkak të operacionit që i bën qeveria e drejtuar nga ai drejtësisë, por kryeministri Rama harron, apo qëllimisht e shpërfill faktin, që në vitet 2005-2013, kur PS-ja e drejtuar nga Rama ishte në opozitë, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi 21 ankimime të opozitës socialiste kundër ligjeve dhe marrëveshjeve të qeverisë “Berisha” dhe rrëzoi 17 nga këto ligje. Ndër më kryesoret, kjo Gjykatë Kushtetuese (thuajse po nga këta anëtarë, që Vettingu i shkarkoi dhe kryeministri Rama sot i quajti ata “sëmundje kanceroze”) rrëzoi edhe marrëveshjen e qeverisë Shqiptare me atë greke për Detin.

Milo: Nuk duhet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë marrëveshjen e qeverisë tonë me Greqinë

Para 2013-s Prof. Dr. Paskal Milo ishte një nga zërat më kundërshtarë të marrëveshjes të qeverisë “Berisha” me qeverinë greke për Detin. Mirëpo, çuditërisht, pushteti i tjetërson njerëzit kaq shumë, saqë për ca interesa të çastit, për ndonjë privilegj, për ndonjë ofertë, apo projekt, për ndonjë ofiq zyrtar, njerëzit ndryshojnë 180 gradë jo vetëm mendimet, qëndrimet politike, por edhe moralin dhe shpirtin e tyre. Çuditërisht, dje, Paskal Milo, në një intervistë televizive, qetësisht deklaroi se jo vetëm që ai nuk shqetësohet aspak, që vendi dhe shqiptarët janë pa Gjykatë Kushtetuese, por Gjykata Kushtetuese “nuk duhet të shqyrtojë aspak një marrëveshje të mirë të qeverisë, që mund të bëjë me qeverinë greke. Sepse garantuesit janë negociatorët, që janë specialistë shumë të aftë”. Prof. Milo, gjykon tani (që në qeverisje është kryeministri Rama), se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të gjykojë marrëveshjen e qeverisë së Ramës, sepse negociatorët e përzgjedhur nga kryeministri Rama janë kaq të aftë, sa e zëvendësojnë ….Gjykatën Kushtetuese. Pra, Prof. Milo shpreh mendimin se Kryeministri Rama është edhe garancia e rendit kushtetues, prandaj, (sipas Prof. Milos) nuk na duhet më as Gjykata Kushtetuese.

Flasin për “Telegraf”

Sokol Hazizaj, konstitucionalist: Po tepsia e ka shejtanin brenda apo është bosh?

Konstuticionalisti Sokol Hazizaj, duke e parë me humor, sepse me seriozitet nuk mund të konceptohet që një kryeministër të shprehet publikisht se “është më mirë pa Gjykata të sipërme”, pa u interesuar kurrë, që njëkohësisht me dëbimin, të funksionojë edhe pranimi, pra për asnjë çast të mos mbetej vendi pa Gjykatë Kushtetuese, pyet: Po tepsia e ka shejtanin brenda, apo është bosh?

Prof. Dr. Zamira Çavo: Problemet me Drejtësinë janë probleme politike

“Po të mungojë drejtësia, shteti do të ishte thjesht një tufë hajdutësh e kriminelësh”, – thotë Shën Agostini. Dhe realisht ky është thelbi i shtetit! Por Drejtësinë e bëjnë njerëzit e ndershëm, e bëjnë ata që e kanë në mëndje dhe shpirt drejtësinë e nuk mund ta bëjnë ata që kanë në mëndje fitimin. Sikur po e tregon Vettingu Drejtësinë në Shqipëri e paskan bërë këta të fundit, mendje vegjël, por zhvatës të paturp të parave. Kjo do të thotë se Drejtësia, nuk mund të jetë Drejtësi për aq kohë sa hajduti apo vrasësi mjafton të paguajë e të lihen të lirë dhe kush nuk mund të paguajë duhet dënuar! Ndaj jam me kryeministrin, kur thotë, më mirë djepi bosh. Por, nga ana tjetër, duhet ta kemi fort të qartë se është kjo politikë, maxhoranca e djeshme dhe maxhoranca e sotme që e kanë konfiguruar këtë Drejtësi për interesat e tyre dhe jo për interesat e shtetit. Pra, kjo klasë politike nuk do të vendosë Drejtësinë në themel të shtetit dhe këtë e dëshmon me Vettingun. Opozita e BMB (Berisha-Monika- Basha) nuk pranojnë të ngrihen institucionet e as të zgjidhin ngërçin e krijuar. Maxhoranca nuk është në gjendje të bëjë shtetin, përderisa kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve për të bërë Vettingun! Dhe e dini përse? Fare thjeshtë: Sepse Drejtësia vendoset e funksionon me institucionet e saj vetëm aty ku Ligji vepron e respektohet nga të gjithë. Tek ne, pasi u votua me 100% të votave Reforma në Drejtësi, tashmë kërkohet të zhbëhet! Në mendimin tim, problemet me Drejtësinë nuk janë problem, as institucionale e as proceduriale. Janë probleme politike! Ndaj shprehja e kryeministrit “më mirë djepi bosh se sa djalli brenda” është një gjysmë e vërtetë. Gjysma tjetër është vullneti i politikës për të bërë Drejtësinë të funksionojë!

Zaçe Islami, jurist: Kryeministri Rama, duke kapur drejtësinë na thotë “Shteti jam unë!”

Kjo deklaratë e kryeministrit është një përsëritje mbas 250 vjetësh e thënies së famshme të mbretit të Francës Luigjit të 14-të: “shteti jam unë”. Tregues më të qartë dhe më flagrant të rivendosjes së diktaturës hoxhiste në Shqipëri, nuk mund të ketë. PS-ja praktikisht ka 2 vjet që ka punuar sistematikisht për të eliminuar edhe atë formalizëm që kishte drejtësia shqiptare duke pushuar 2 shkallët e larta të gjyqësorit: Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Ishte një taktikë e njohur komuniste për të realizuar objektivin strategjik të marrjes së pushtetit gjyqësor dhe zëvendësimin e tij me ligje tipike të diktaturës që do të thotë drejtësinë e vendos parlamenti. Kjo çon në atë shprehjen popullore: “Vetë shkruan vetë vulos” Skandaloz është qëndrimi i opozitës, e cila ankohet me deklarata pa ndërmarrë asnjë veprim politik. Si pranon ajo opozitë të hyjë në parlament e të diskutojë, apo debatojë, kur praktikisht shteti ka rënë? A nuk e shikon opozita se këtu kemi të bëjmë me GRUSHT SHTETI? Si mund të quhet parlament demokratik pluralist një institucion ligjet e, të cilit nuk ka instrument ligjor, pra Gjykatë Kushtetuese që t’i gjykojë? Ndaj kryeministri ka pranuar me cinizëm atë krim kushtetues që ka kryer duke eliminuar dy gjykatat supreme të shtetit që praktikisht në këtë moment që ne flasim NUK EKZISTON MË SHTETI. Urgjentisht duhet të ushtrojë të gjitha kompetencat e tij Presidenti i Republikës . Opozita duhet të bojkotojë totalisht parlamentin dhe të kërkojë zgjidhje politike. Njëkohësisht kërkohet ndërhyrja urgjente e partnerëve perëndimorë, heshtja e të cilëve për këtë situatë është e mbarsur, nëse duan që të mos kemi trazira, përfundimi i të cilave nuk dihet.