Drejtësia/ PD jep votat për SPAK, maxhoranca voton 5 ligjet me Prengën

444
Sigal

 

Parlamenti ka
votuar 6 projektligjet e paketës së Reformës në sistemin e Drejtësisë.
Maxhoranca dhe opozita bashkuan votat vetëm për një prej projektligjeve që
cilësohet si më kryesori për luftën kundër korrupsionit. Bëhet fjalë për
projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve në luftën
kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ose siç njihet ndryshe, ligji i
SPAK-ut, që u miratua me 122 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pas votimit
të këtij ligji, opozita u largua nga salla e Parlamentit. Ndërkohë, pesë ligjet
e mbetura, si ai për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ai për
funksionimin e Prokurorisë, për organizmin e pushtetit gjyqësor dhe
funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, u miratuan me 86 vota pro dhe një votë
abstenim. Për këto ligje nuk mungoi as vota e Armando Prengës. Në parashikimet
ligjore është vendosur që 2 vjet pasi të jenë ngritur strukturat
antikorrupsion, kontrolli i pasurive dhe figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve
dhe anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit të bëhet nga një komision i
përbërë nga dy prokurorë të Njësisë Antikorrupsion dhe një gjyqtar i po kësaj
strukture, që do të zgjidhen me short.