Drejtësia e qokave / “Harron” të prangos ish- ministrin Beqaj, firmëtarin e PPP në shëndetësi që rriti çmimin e sterilizimit 83 herë

31
Sigal

Beqaj rrezikon deri në 7 vite burg, SPAK-u i bëri qokë me masën e sigurisë

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj rrezikon nga 6 muaj deri në 7 vite burg për veprën penale për të cilën akuzohet në lidhje me aferën e sterilizimit. Por SPAK-u duket se i ka bërë një qokë Beqajt duke mos vendosur për të masën “arrest me burg” sikurse ka ndodhur me zyrtarë të tjerë. “Mund të them me plot gojë që z.Beqaj nga sot rrezikon nga 6 muaj deri në 7 vjet burg për veprën penale që ai akuzohet. Ne kemi një raport, kërkesa e vlerësimit për masë sigurimi, z.Beqaj pritet të revokojë kërkesën e Prokurorisë për vlerësimin e masën. Unë mendoj që SPAK-u i ka bërë një qokë Beqajt, me vendimin për kushtet e masës së sigurisë, në të cilat Beqaj duhet të qëndrojë. Për të njëjtën skemë shumë zyrtarë, ish-zyrtarë, vuajnë masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Në kërkesën që kemi përpara thuhet që z.Beqaj në cilësinë e ish-ministrit nuk rezulton që të ketë pezulluar vazhdimin e procedurës së prokurimit.” -tha Anduena Llabani gjatë një dalje televizive. Ajo tha më tej se: “Nuk ka ngritur asnjë komision, të përbërë nga tre persona, që duhet të përbëhet nga tre persona, që nuk duhet të kenë marrë pjesë në marrjen e vendimit, për të cilën është paraqitur ankesa. Kemi një ankesë të paraqitur në kohën kur është ngritur komisioni për prokurimin që i është dhënë mikut të tij. Z.Beqaj në procedurën që është bërë për sterilizimin, në të gjitha ambientet e krijuara brenda spitaleve në të gjithë Shqipërinë, Prokuroria e Posaçme dhe oficerët e BKH, kanë konstatuar se janë ngritur disa kioska brenda objekteve të spitaleve, ku kryhej sterilizimi i mjeteve, me ujin dhe dritat e spitaleve. Nuk kemi kurrsesi një ambient më steril sa kishim më përpara. Kemi abuzim deri aty sa një pjesë e sterilizimit bëheshin nëpër rrethe, duke minimizuar kostot, dhe këto para futeshin në xhep. Shkelja më e madhe flet për kalimin e çdo kompetence ligjore, që mund të kishte një ministër Shëndetësie.

Gjykata e Posaçme lë në fuqi masën për ish-ministrin Ilir Beqajn

Ilir Beqaj është nën hetim prej tre vitesh nga prokurorët e SPAK, të cilët akuzojnë ish-ministrin socialist të Shëndetësisë për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, “Shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tendera, apo ankande publike” në bashkëpunim,  si dhe “Korrupsioni pasiv”.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për ish-ministrin Ilir Beqaj. Në njoftimin e GJKKO thuhet ndër të tjera se ndaj Beqaj do të ketë: “Vazhdimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, caktuar ndaj personit nën hetim Ilir Beqaj, me vendimin Nr. 119, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, -thuhet në njoftim. Gjykata vendosi ta shqyrtoi në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenin 244 pika 3 të Kodit të Procedurave Penale, ku thuhet se: “Gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori.”, me vendimin Nr. 119 Akti, datë 16.11.2023 vendosi: Caktimin ndaj personit nën hetim Ilir Beqaj, të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurave Penale, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 248 e 25 i Kodit Penal. Urdhërohet personi nën hetim Ilir Beqaj që të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore z. Besnk Mesi pranë Byros Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë e premte, ora 15: 30. Urdhërohet personi nën hetim Ilir Beqaj të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika1 të Kodit të Procedurave Penale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjerë identifikues të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim Ilir Beqaj”,- thuhet nga GJKKO. Ilir Beqaj u morr në pyetje mesditën e së hënës rreth koncesionit të sterilizimit të pajisjeve mjekësore, por ish-ministri refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të gjyqtarit Erjon Bani, duke theksuar se do të flasë në një moment tjetër. Në daljen nga GJKKO ai tha për mediat të hënën: “Faleminderit për interesimin. Kam vetëm dy mesazhe. Siç e kam bërë publike jam në dispozicion dhe kam vendosur që, përtej rezervave, të mos e kundërshtoj atë vendim. Vijoj të besoj në çfarë kemi bërë në shëndetësi për çështjen në fjalë. Në janar bëhen 8 vite që hetohet, janë 400 kirurgë që operojnë në kushte bashkëkohore”- u shpreh ndër të tjera Beqaj. Me vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme, Beqaj do duhet të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15:30. Prokurorët e SPAK prej tre vitesh e kishin nën hetim ish-ministrin socialist të Shëndetësisë për veprat penale  të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrje në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim,  si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”.

Berisha: Amnistia që po i bëhet Beqaj për konfliktin e interesit, do të thotë ta shpallësh të pafajshëm.

Ilir Beqaj është fajtor direkt, pasi ka firmosur studimin-mashtrim, sipas të cilit dhënia me koncesion do të ulte 3 herë çmimin, ndërkohë që kjo dhënie e rriti çmimin e sterilizimit 83 herë.

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha të hënën se të akuzosh Beqaj se nuk ka diktuar konfliktin e interesit, do të thotë ta shpallësh të pafajshëm. “Të akuzosh Ilir Beqajn për shpërdorim detyre, se nuk ka diktuar konfliktin e interesit Rrapaj-Rrjepaj, është de facto, në bazë të ligjit e shpall atë të pafajshëm. Dhe këtu qëndron i gjithë thelbi i amnistisë së dytë në katër muaj të Ilir Beqjës. E shpall të pafajshëm, sepse ligji i konfliktit të interesit, nuk ngarkon titullarin Beqaj për të diktuar se cili është apo nuk është në konflikt interesi. Këtë detyrë, ligjërisht dhe përgjegjës para ligjit, janë ata të cilët aplikojnë për një projekt, një tender, një kërkesë financiare në konflikt interesi. Pra, Rama dërgon Beqajn me akuzën se nuk diktoi konfliktin e interesit, me qëllimin e vetëm që gjykatësi të thotë se Beqaj është i pafajshëm. Ligji nuk ia kërkon Beqajt këtë. Ligji ia kërkon Rrjepës dhe Rrapajt. Me amnistinë e dytë de facto të Ilir Beqaj nga SKAP i tij, Edi Rama, njeriu që bridhte studio më studio me një gërshërë me një krah dhe një pincë të thyer, për të mbuluar vjedhjen e tij të dytë të shekullit, vetëm sa fakton para shqiptarëve, fajësinë e tij të plotë për këtë aferë. Kështu që me këtë rast, dënoj para të gjithë shqiptarëve, këtë akt të shëmtuar, të paimagjinueshëm, Ilir Beqaj është përgjegjës direkt para ligjit, sepse ai ka firmosur kalimin me koncesion të sterilizimit, i cili bëhej nga sektori publik, në sektorin privat. Ilir Beqaj është përgjegjës para ligjit, sepse jo vetëm ka firmosur, por ai ka caktuar kushëririn e tij të parë, dhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë lidhjen Rrjepaj-Rrapaj, por me lidhjet Byrazeri-Beqaj për fizibilitetin. Ilir Beqaj është fajtor direkt, pasi ka firmosur studimin-mashtrim, sipas të cilit dhënia me koncesion do të ulte 3 herë çmimin, ndërkohë që kjo dhënie e rriti çmimin e sterilizimit 83 herë. Ilir Beqaj është përgjegjës direkt para ligjit, prandaj e shpëton Edi Rama, sepse me firmën e tij në kundërshtim me çdo praktikë ligjore, ka firmosur pikët që i ka dhënë Investalit të Ramës, kompanisë Rama-Rrapaj, në një kohë kur kjo nuk ishte kurrë detyrë e ministrit. Ilir Beqaj është përgjegjës direkt para ligjit, sepse i ka dhuruar Investalit të Rama-Rrepajt, megasterilizatorin e blerë 1.7 milionë euro ultramodern dhe një kat të spitalit të ri të ndërtuar pikërisht për sterilizimet. Ilir Beqaj është përgjegjës para ligjit, apo njeriu që amnistoi Edi Rama është përgjegjës para ligjit, pasi me firmën e tij, ai i ka dhuruar kompanisë falas, shpenzimet për energjinë elektrike, shpenzimet për ujin. Në gjysmën e afatit të përcaktuar, kjo kompani ka grabitur 79 milionë euro, ndërkohë që në 10 vite, fitimi i saj ishte parashikuar 99 milionë. Pra, kemi të bëjmë me një amnisti ndër nga më kriminalet në historinë e këtij vendi, e dyta në katër muaj, nga SKAP i partisë, i shndërruar në një vegël të verbër, i shndërruar totalisht në një organizatë kriminale në duart e Edi Ramës”, u shpreh Berisha.