Drejtësia, Buquicchio: Shumica nuk duhet të shfrytëzojë pozitat

424
Sigal

TIRANE –  Reforma në Drejtësi ka mbledhur sot në një tryezë të përbashkët diskutimi krerët e lartë të Shtetit, mes të cilëve Presidenti Bujar Nishani, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, deputeti i PD Eduard Halimi, ambasadorë si dhe Presidenti i Komisionit të Venecias, Giani Buquicchio.

Në fjalën e tij Presidenti i Komisionit të Venecias, kërkoi nga të gjitha palët poltike konsensus lidhur me reformat në vend, ndërsa i bëri thirrje mazhorancës që të mos shfrytëzojë shumicën parlamentare që ka, por t’i japë hapësira edhe pakicës, për të ekuilibruar të drejtat e shumicës dhe pakicës.

Buquicchio nënvizoi që të rritet kultura kombëtare si një kontribut i rëndësishëm në procesin demokratik të vendit. Dhe kjo pasi siç u shpreh ai një Parlament i ndarë ngadalëson reformat, ndërsa shtoi se i rëndësishëm është edhe dekriminalizimi i parlamentit.

“Funksionimi demokratik është penguar nga konfilkt politik. Mbajtësit e funksioneve publike duhet t’i shërbejnë interesit të vendit, shumica sundon vendin gjatë një ligjislature por s’duhet të nënshtroje pakicën. Ajo duhet të tregojë vetëpërmbajtje dhe të respektojë pakicën. Shumica s’duhet të përfitojë nga ajo çfarë ka. Duhet arritur kultura kombëtare që synon të kontribojë në procesin demokratik. Parlamenti i ndarë, ngadalëson reformat.” theksoi Buquicchio

Nga ana e tij kreu i shtetit Bujar Nishani, teksa e vlerësoi si një domosdoshmëri reformën në drejtësi, theksoi se ajo kërkon jo vetëm dëshirë, por edhe vullnet nga të gjithë aktorët, përfshirë këtu edhe partitë politike.

Nishani nënvizoi se reforma nuk duhet bërë në funksion të militantizmit politik, por pikërisht për ta larguar drejtësinë nga politika.

“Shqipëria nuk ka alternativë tjetër veçse të angazhohet në rrugën e reformës në drejtësi. Kjo reformë mbetet prioritet se garanton mundësitë reale në fushat e tjera të jetës. Reforma ka nevojë jo vetëm për dëshirë por edhe për vullnet. Reforma në drejtësi nuk mund të bëhet në funksion të militantizmit partiak, por përkundrazi për ta shkëputur militantizmin partiak nga drejtësia.” u shpreh Nishani


Buquicchio: Konsensus mes palëve, Parlamenti i ndarë ngadalëson reformat
Presidenti i Komisionit të Venecias, i bëri thirrje mazhorancës që të mos shfrytëzojë shumicën parlamentare që ka, por t’i japë hapësira edhe pakicës, për të ekuilibruar të drejtat e shumicës dhe pakicës.

Sipas Buquicchio shumica zgjidhet që të sundojë vendin gjatë një legjislature në shërbim të interesit të vendit, por pa nënshtruar pakicën. Nga ana tjetër, Buquicchio i bëri apel edhe opozitës, që përpos kërkesës së saj për të bërë ndryshime në ligj, por deri në atë moment ato duhet të respektojnë ligjet në fuqi.

Në këtë drejtim, Presidenti i Komisionit të Venecias nënvizoi që të rritet kultura kombëtare si një kontribut i rëndësishëm në procesin demokratik të vendit. Kjo pasi siç u shpreh ai një Parlament i ndarë ngadalëson reformat, ndërsa shtoi se i rëndësishëm është edhe dekriminalizimi i parlamentit.

“Kushtetuta juaj është produkt ndërkombetar ndonëse është përgatitur me ndihmën e Komisionit të Venecias. Funksionimi demokratik është penguar nga konfilkt politik. Mbajtësit e funksioneve publike duhet t’i shërbejnë interesit të vendit, shumica sundon vendin gjatë një ligjislature por s’duhet të nënshtroje pakicën. Ajo duhet të tregojë vetëpërmbajtje dhe të respektojë pakicën. Shumica s’duhet të përfitojë nga ajo çfarë ka. Partitë opozitare mund të kërkojnë ndryshime në ligj por deri sa të bëhen ato duhet të respetkojnë ligjin aktual. Duhet arritur kultura kombëtare që synon të kontribojë në procesin demokratik. Parlamenti i ndarë, ngadalëson reformat. Duhet ndërtimi i një uniteti kombëtar rreth institucioneve dhe dekriminalizimit të parlamentit.” tha Buquicchio

Nishani: Reforma në drejtësi kërkon vullnet dhe jo vetëm dëshirë
Presidenti i i Republikës duke folur për reformën në drejtësi theksoi se ajo është një domosdoshmëri ër vendin tonë, në funksion të rritjes dhe stabilitetit demokratik. Por për të kryer këtë reformë sipas Nishanit është i nevojshëm një vullnet i të gjitha palëve dhe jo vetëm dëshira.

Kjo pasi sipas tij, vendi ynë nuk ka rrugë tjetër veç asaj të integrimit evropian, dhe në këtë kuadër, reforma në drejtësi është një garanci që do t’i shërbejë interesave të vendit dhe shoqërisë në funksion të së ardhmes.

“Askush nuk ka dyshim edhe në Shqipëri, se fondamenti, baza mbi të cilën ngrihet e tërë funksionimi normal është drejtësia. Askush dhe asnjë mekanizëm tjetër nuk mund të garantojë institucione funksionale pa pasur një bazë që garanton të drejtat themelore të njeriut, pa pasur këtë fondament që është shteti i së drejtës. Sot kemi një angazhim publik për reformën në drejtësi. Nuk e di nëse ka individ që neglizhon nevojën e kësaj reforme. Shqipëria nuk ka alternativë tjetër veçse të angazhohet në rrugën e reformës në drejtësi. Kjo reformë mbetet prioritet se garanton mundësitë reale në fushat e tjera të jetës. Reforma ka nevojë jo vetëm për dëshirë por edhe për vullnet. Të bëjmë një diferencim, ekzistenca dhe vënia në lëvizje e vullnetit nis dhe gjeneron tek mentaliteti i individit dhe shoqërisë. Unë jam nga ata njerëz, që besoj fort se shoqëria shqiptare ka kapacitete për të realizuar edhe reformën në sistemin e drejtësisë. Parimet bazë të kësaj reforme nuk ka nevojë ti kërkojmë apo ti shpikim ne. Ato janë në shpirtin evropian. praktikat më të mira nuk ka nevojë ti kërkojmë thellë, por i kemi mjaft afër në hapësirën evropiane gjatë partneritetit me BE dhe KE. Unë jam mirënjohës Buquicchio për njohjen perfekte që ju keni realitetit shqiptar dhe fushës së drejtësisë. Ky është inkurajim i madh për të realizuar këto angazhime, drejt piketave që Evropa i ka kaq të konsoliduara, dhe është plotësisht e mundshme.” U shpreh Nishani


Nishani: Reforma për të larguar militantizmin politik dhe korrupsionin në drejtësi
Kreu i Shtetit nënvizoi se realizimi i kësaj reforme nuk duhet bërëpër militantizëm politik, por pikërisht për të kundërtën: për të larguar sistemin e drejtësisë nga politika. Po ashtu Nishani tha se kjo reformë as nuk duhet bërë për të mbrojtur individët e korruptuar në drejtësi, por për ta larguar korrupsionin nga drejtësia.

“Por krahas parimeve bazë, ne kemi nevojë edhe për kritere të tjera që do ta përshpejtojnë procesin në Shqipëri, dhe do ta orientojnë në kahun e duhur. Realizimi korrekt i reformës do ta çojë Shqipërinë në një garanci për të ardhmen. Reforma në drejtësi nuk mund të bëhet në funksion të militantizmit partiak, por përkundrazi për ta shkëputur militantizmin partiak nga drejtësia. Reforma nuk mund të bëhet duke marrë në mbrojtje individë të korruptuar në drejtësi, por për t’i ndarë një herë e mirë. Reforma nuk mund të bëhet duke u përqendruar në një dorë të vetme por duke garantuar balancën ndërmjet pushteteve. Nuk është e vështirë për të identifikuar hapat konkrete për reformën në drejtësi. Kemi një eksperiencë 20 vjeçare pluralizmi partiak. Angazhimi dhe jo largimi është elementi i duhur i kontributit për këtë reformë. Qytetarët shqiptarë kërkojnë ti shohin institucionet shqiptare në funksion të tyre, për të përfituar dhe konsoliduar garancinë e sigurisë. Reforma nuk mund të bëhet për të krijuar kufizime për kurajën personale të gjyqtarëve, por për ta zgjeruar dhe konsoliduar lirinë profesionale të gjyqtarëve.” nënvizoi Nishani

Nishani: Reformim dhe pavarësi edhe për Prokurorinë
Megjithatë sipas Nishanit reforma në drejtësi nuk mund të konceptohet pa një reformim edhe të organit të akuzës, me qëllim që Prokuroria të jetë një institucion gjithnjë e më tepër i pavarur. Në këtë drejtim, Nishani kërkoi angazhimin e të gjithë aktorëve për të kryer këtë reformë kaq të rëndësishme, ku krahas politikës duhet të angazhohen avokatët, noteria apo edhe sistemi i burgjeve.

“Unë besoj se nuk mund të kemi reformë efiçente nëse fokusohemi vetëm tek gjyqësori, i cili kërkon reforma të thella dhe afatgjata. Por nuk do të isha optimist për të parë një gjyqësor funksional, pa pasur gjithashtu një sistem të akuzës të reformuar dhe konsoliduar brenda hapësirës dhe lirisë personale të tij. Pa pasur aktorët paralelë, avokatinë, sistemin e burgjeve, dhe të mjaft aktorëve të tjerë që bëjnë shpirtin e së drejtës. Kjo ka qenë arsyeja që në mënyrë të vijueshme kam kërkuar dhe mbetem i angazhuar për një platformë të gjerë të angazhimit të gjitha institucioneve në reformë. Është e vërtetë se Shqipëria nuk ka alternativë tjetër veç integrimit në BE, dhe kjo kërkon reforma. Nuk ka alternativë shoqëria shqiptare pa bërë reformën në drejtësi. Askush nuk mund të ndryshojë kontekstin si një mundësi për ti shpëtuar përgjegjësisë.” tha Kreu i Shtetit

Nishani: Gjykata e Lartë të kthehet në model i shkëputur nga politika
Por sipas Nishanit, reforma duhet të nisë nga Gjykata e Lartë, ku sipas tij, një gjykatë e tillë e kthyer në model dhe të shkëputur nga politika, do t’u shërbente si pikë orientimi gjykatave të tjera, si dhe do të përmirësonte sistemin e drejtësisë në vend.

Duke vijuar më tej Nishani bëri thirrje edhe një herë për rritje të rrogës së gjyqtarëve si një element mjaft i rëndësishëm për motivimin e togave të zeza.

“Gjithkush bie dakord se drejtësia funksionon në mënyrë kapilar, por jo nga poshtë lart, por duhet orientuar të funksionuar nga lart poshtë. Nëse ne konsolidojmë një Gjykatë të Lartë të shkëputur nga politika, të jeni të sigurt se kjo gjykatë do të jetë modeli i detyrueshëm për tu zbatuar nga çdo gjykatë. Nuk ka asnjë argument që Gjykata e Lartë të ketë anëtarë që vijnë vetëm nga karriera gjyqësore, që sjellin eksperiencën, formimin e tyre profesional, dhe për të iu përkushtuar gjyqtarit. Mund të shikohet koha e shërbimit në Gjykatën e Lartë, që ata të mos mendojnë në ditën e parë të punës së çfarë do të bëhet me ta. Unë jam nga ata njerëz që në gjithë eksperiencën time e kam nënvizuar që duhet rritur niveli i pagave për gjyqtarët, pasi ky nuk është i vetmi mekanizëm për të luftuar korrupsionin, por është element i rëndësishëm për të motivuar gjyqtarët, për t’i vënë përpara një modeli se ka edhe kujdes për ta, mirënjohje për punën. Të dashur miq, koha që pa e injoruar mesazhet dhe shqetësimet.” tha Nishani