Drejt dështimit hetimet për audio-përgjimin Biba – Bianku

631
Sigal

Hetimi i Prokurorisë së Tiranës për audio-përgjimin mes nënkryetarit të KQZ-së Denar Biba dhe gjyqtarit shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku, mund të rezultojë një tjetër dështim i organit të akuzës. Burime nga akuza e kryeqytetit konfirmojnë se në dispozicion të prokurorisë është venë vetëm materiali i publikuar në portale dhe nuk është mundur të gjendet deri tani biseda e plotë e zhvilluar mes tyre në Strasburg, në vitin 2014. Në bisedën e bërë publike hetuesit thonë se ka ndërhyrje. Pjesë të komunikimit mes nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjyqtarit shqiptar në Strasburg janë hequr, apo janë afruar me njëra-tjetrën. Ky fakt, sipas tyre, ngre dyshime se ndërhyrjet mund të jenë bërë për ta nxjerre bisedën jashtë kontekstit. Por për të verifikuar qëllimin e bisedës, hetuesit thonë se do të duhet të ekzaminojnë të gjithë bashkëbisedimin e zhvilluar mes tyre. Është e paqartë se cili do të jetë hapi tjetër i prokurorisë për këtë rast, nëse do të thirren për t’u pyetur Biba, Bianku dhe personat e tjerë, që përmenden në bisedë, pasi audio e plotë duket e pamundur për t’u gjetur. Opozita i kërkoi prokurorisë të hetojë edhe për korrupsion Denar Bibën dhe sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë, Engjëll Agaçin, për shantazh ndaj gjyqtarit Bianku, nën pretendimin se Biba e ka shantazhuar gjyqtarin duke i kërkuar qe te mbështesë qeverinë në kërkesën drejtuar gjykatës së Strasburgut për të shtyrë ekzekutimin e vendimeve për çështjet e kthimit dhe kompensimit të pronave. Vetë Denar Biba e ka pranuar, se e ka zhvilluar bisedën, por ajo ishte “punë kafenesh” dhe nuk e ka mohuar përmbajtjen, as fjalët që dëgjohen, ku i kërkoi “kompromisin”.