Drafti/ Mazhoranca hetim fjalës së lirë nën petkun e dezinfomimit

18
Sigal

Komisioni do të ketë 13 anëtarë, por analistët e shohin me rezerva nismën e shtatë deputetëve socialistë

Kërkesa mbi dezinformimin, mazhoranca kërkon hetim dhe mbylljen e disa portaleve

Të mërkurën në konferencën e kryetarëve do të diskutohet kërkesa e shtatë deputetëve të Partisë Socialiste për të ngritur një komisionin parlamentar për dezinformimin e huaj në vendin tonë. Në kërkesën e depozituar në Kuvend, mes të tjerash thuhet se do të kërkohet që të bëhet hetim i pronësisë së portaleve në vendin tonë. Komisioni synon të ndalë përpjekjet e vendeve të huaja kryesisht si Rusia për të dezinformuar dhe kjo pengesë të mund të bëhet nëpërmjet ndryshimeve ligjore. Fokusi do të jenë ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike që bëhen në vendin tonë. Në kërkesën e zbardhur, mazhoranca synon, që nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore të mbyllë disa media, portale, apo llogari në rrjete sociale në rast se manipulojnë publikun. Më herët, një raport i ekspertes britanike, Olivia Griffiths në vitin 2019 , “Dezinformimi anti-NATO në Ballkanin Perëndimor” tregonte se si Rusia mundohej të përhapte lajme të rreme dhe shtrirë influencën e saj në Shqipëri kryesisht përmes portaleve online. Komisioni i Posaçëm pritet të kryejë një analizë të situatës, fokusuar te financimet e fushatave zgjedhore si dhe platformave mediatike. “Në drejtim të rritjes së përgjegjshmërisë së platformave dhe mediave sociale për të klasifikuar përmbajtjet e lajmeve, informacioneve që shpërndahen nga robotët, duke rishikuar algoritmet, si dhe pa cënuar lirinë e shprehjes, për të mbyllur llogaritë e personave apo subjekteve që përfshihen në sjellje të koordinuara jo-autentike në internet ose aktivitete të paligjshme që synojnë minimin sistematik të proceseve demokratike ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes”. Kjo nismë për të luftuar dezinformimin dhe ndërhyrjet nga aktorë të tretë, që kërkojnë destabilitet po ndërmerret nga të gjitha vendet e NATO-s. Nisma vjen edhe si një rekomandim i Progresraportit të Komisionit Europian. Sipas kërkesës së PS-së, Komisioni i Posaçëm nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, duhet të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike përmes një seri formash, duke përfshirë, fushatat e dezinformimit nëpërmjet mediave tradicionale dhe atyre sociale për formësimin e opinionit publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publike dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile. Sipas propozimit të socialistëve komisioni i posaçëm do të ketë 13 anëtarë, ndërsa do të drejtohet nga një deputet i tyre, ndërsa parashikohen jo vetëm masa administrative, por edhe ligjore.

Fokusi do të jenë ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike, që bëhen në vendin tonë. Në kërkesën e depozituar në Kuvend, mes të tjerash thuhet se do të kërkohet që të bëhet hetim i pronësisë së portaleve në vendin tonë.

Analistët shohin me rezerva komisionin për dezinformim

Një nismë e drejtuar ndaj kuvendit të Shqipërisë nga një grup i deputetëve të Partisë Socialiste synon që përmes ngritjes së një Komisioni të Posaçëm në Kuvend të pengohet dezinformimi në Shqipëri duket se është parë me rezerva nga analistët e njohur në Shqipëri. Për analistin Ben Andoni mekanizmat për të frenuar këtë ndërhyrje janë të paqarta ndonëse ai për oraneës e vlerësoi si të mirë nismën.“Mendoj se është e arsyeshme, por në morinë e problematikave mendoj se janë institucionet që mund ta ndalojnë dezinformimin. E para nuk dimë personat që do ta përbëjnë këtë komision. Nëse instrumentet e këtij komisioni dhe metodologjia do të jetë e drejtë, atëherë ngelet për t’u përshëndetur, por nëse është thjeshtë për t’u ngritur, duhet t’i trembemi” Ndërsa gazetari Gjergj Erebara i tha oraneës se sheh me rezervë ngritjen e këtij komisioni. “PS-ja për shkak të historikut që ka lirinë e shprehjes, çdo nismë e saj konsiderohet fajtore deri në fund të procesit, prandaj duhet parë se çfarë do të bëjnë. PS gjithmonë ka marrë nisma për gjëra të tilla që kanë përfunduar kundër lirisë së shprehjes së qytetarëve, për të sharë qeverinë. Në të gjithë Evropën janë marrë masa vetërregullimi.” tha ai.