Dr. Suela Dinellari: Rënia ekonomike-papunësia prodhon dhunë dhe destabilitet social

255
Në kuadër të 25 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës ndaj Grave, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara; është e rëndësishme të shohim si paraqitet situata në kontekstin shqiptar.
Sipas te dhënave nga INSTAT dhe OJF- të e ndryshme që veprojnë në Shqipëri në mbrojtje të të drejtave të gruas, konstatohet se dhuna ndaj saj është rritur në raste, forma dhe intesitet.
Ende ka një konfuzion për zbatueshmërinë dhe efektet e ashpërsimit të ligjit penal për këtë çështje; ashpërsim që në gjykimin personal nuk e edukon një shoqëri dhe nuk e motivon për ta denoncuar por e stimulon për ta fshehur e për ta bërë më agresive, sepse dëmton psikologjikisht dhe ekonomikisht të dhunuarën kur në rastet më të këqija dhunues është babai, bashkëshorti, kolegu, eprori etj…
Kjo situatë degraduese është e prekshme jo vetëm brenda në familje, por në komunitet dhe institucione. Në rajone si qyteti i Korçës dhe zonat rurale e periferike përreth; ka një nivel me të lartë të kësaj prevalence.
Shkaqet janë nga më të ndryshmet por kryesoret veçohen ato ekonomike-arsimore dhe psiko-sociale.
Të dhënat e publikuara nga Gjykata e Rrethit të Korçës; faktojnë se shkak primar për rritjen e numrit të divorceve është dhuna në familje si rezultat i papunësisë dhe gjendjes së mjerueshme ekonomike, sidomos për familjet e reja. Nga ana tjetër, pranimi i një bashkëjetese të detyruar, në pamundësi për pavarësi ekonomike ka krijuar probleme psiko-sociale brenda familjeve duke filluar nga bullimi i gruas si ” gjini e dobët apo e pa aftë” e deri tek ushtrimi i dhunës fizike.
Gruaja në komunitet, është e pasigurtë në të gjitha marrëdhëniet sociale që krijon. E pa mbrojtur dhe e sfidueshme në çdo kohe dhe pozicion bëhet objekt bullimi, dhune psikologjike, seksuale e fizike, sepse ende në legjislacionin shqiptar lihet vend për teksturë të hapur dhe diskrecion.
E si të mos mjaftonte kjo, njësoj vlerësohet pozicioni i saj edhe në marrëdhëniet institucionale në punë; në pozicionet hierarkike të vartësve apo edhe drejtuesëve…
Gjendja e paraqitur, nuk duhet të na bëjë pesimistë, por përmes konkretizmit faktik duhet të na nxitë për të reflektuar dhe propozuar rrugët, mënyrat, format e modelet më të mira që duhet të ndjekim; për t’i dhënë gruas një vend më paqedashës, të merituar dhe vleror!
Dr. Suela Dinellari
Lektore pranë Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë
Nënkryetare e LSI-Korçë
Sigal