Dr. Koço Danaj/ Në Europë,  “celulat” e ISIS  ndodhen në Beograd, Shkup, Podgoricë dhe Athinë

572
Sigal

Kryetari i “Shqipërisë Natyrale” Dr. Koço Danaj në intervistën për “Telegraf”, duke iu referuar aktit terrorist në Paris, thotë se tashmë Europa do të ndryshojë. Europa po kthehet te idealet e shoqërisë të së ardhmes, po i vendos balancat më të mira të një Europe të re. Dr. Danaj, pohon se shumë gjerave u vënë maskën e fesë për të përligjur shovinizmin, racizmin, dhe se liderët nuk e kanë kuptuar që kjo botë vërtet nuk është e integruar e tëra me njëra-tjetrën, por kjo botë është e ndërvarur e tëra me njëra-tjetrën. Koço Danaj e vë gishtin te shovinizmi ndaj shqiptarëve, që ka origjinën këtu e 100 vjet, ndaj BE-ja le të kërkojë “celulat” e ISIS-it në Beograd, Athinë, Shkup e Podgoricë. Dr. Danaj hedh poshtë akuzën e Vuçiç, se Rama provokoi në Beograd, pasi të gjithë udhëheqësit e Botës, ia kanë bërë të qartë Vuçiçit që Kosova është shtet i pavarur. Dhe sipas Danaj, është Vuçiç që provokon me vizitën e tij në Kosovë, derisa nuk denjon të takojë të “zotin e shtëpisë”, kryeministrin Mustafa. Danaj kritikon edhe politikanët shqiptarë në të gjitha trevat e Ballkanit, pasi “Politikanët shqiptarë janë të përçarë, sepse mjerisht dhe fatkeqësisht ne kemi akoma një shtresë politikanësh në të gjithë kombin shqiptar, të cilët edhe këta, kostumet i kanë dhe i veshin si ato që u porosit Brukseli, por mendësinë e mentalitetin e kanë akoma në vitin 1908, në kohën e xhonturqve”.

 -Zoti Danaj, a do të jetë Europa, pas ngjarjeve terroriste në Paris?

– Duke analizuar, tashmë me gjak të ftohtë atë që ndodhi në Paris, duke analizuar manifestimin e Paqes, të paparë ndonjëherë në Europë, duke analizuar atë që ndodhi në parlamentin francez, ku për herë të dytë, (për herë të parë ndodhi në 1918), që kur foli kryeministri francez gjithë deputetët u çuan në këmbë instinktivisht dhe kënduan Marsejezën, himnin kombëtar të Francës, pra, duke bërë këtë rezyme, më duhet të them që Europa do jetë ndryshe. Nuk do jetë më ajo Europë që ka qenë para 10 ditësh. Mesazhi i marshimit të Parisit nuk ishte urrejtja ndaj francezëve me origjinë myslimane, por ishte Franca e bashkuar, idealet përparimtarëve, myslimanë, të krishterë, hebrenjtë, etj. Europa po kthehet te idealet e shoqërisë të së ardhmes, po i vendos balancat më të mira të një Europe të re që po lind, që në thelb do ketë shpirtin e cila është formëzuar në shprehjen “ Po ekonomisë së tregut, jo shoqërisë së tregut”.

– Në ç’ kuptim do të jetë ndryshe tashmë Europa?

– Para 10 ditësh kishim një Europë të tregut, të pasurimit të një pjese, dhe të varfërimit të të shumtëve. Kishim një Europë të pashpirt, kishim një Europë që u kërkonte borxhe atyre që nuk kishin asnjë mundësi të lanin borxhe. Kishim një Europë pa ideale. Manifestimi i Paqes në Paris dhe pjesëmarrja e shumicës të liderëve të Europës, tregoi që brenda Europës kanë filluar të rilindin idealet e së ardhmes. Që do të thotë se brenda Europës ka akoma fuqi t’i themi “po” ekonomisë së tregut, por ama, t’i themi “jo” shoqërisë së tregut.  Kjo është Europa sociale, por në kushtet e reja të fillimshekullit të 21.

– A ekziston rreziku që tashmë fanatizmi fetar të bëhet shkak për përplasje sociale, sepse dikush mund t’i manipulojë ndjenjat dhe t’i kanalizojë për qëllime të caktuara?

–  Do të thosha që fanatizmi fetar, që nga koha kur krishtërimi u kthye doktrinë politike, pra ajo që quhet Mesjetë, dhe deri më sot, gjithnjë ka qenë jo thelbi, por ka qenë maska e atyre ngjarjeve që kanë ndodhur. Edhe në rastin konkret, jo vetëm vrasjet në Paris, jo vetëm atentatet e tjera që bëhen në qytetet e tjera të Perëndimit, jo vetëm ato që bën Boko Harami në Nigerinë e Veriut, jo vetëm ato që bën ISIS-i, jo vetëm shovinizmi ndaj shqiptarëve në rajonin e Ballkanit, por edhe shumë të tjera që shpeshherë mbulohen, u vihet një maskë fetare, në fakt fshehin faktin që akoma Europa, bota, liderët botërorë, analiza politike se kanë kuptuar, që kjo botë vërtet nuk është e integruar e tëra me njëra-tjetrën, por kjo botë është e ndërvarur e tëra me njëra-tjetrën. E duke qenë se është e ndërvarur, e duke qenë se brenda kësaj ndërvarësie interesat ekonomiko-financiare zënë vendin kryesor, atëherë kjo fshihet gjithmonë mbas asaj që quhet fanatizëm fetar, qoftë në rastin konkret, myslimanizëm fetar, qoftë të mos harrojmë se kemi edhe raste të tjera, siç është p.sh, aktualisht, Pegida në Gjermani, që është një lëvizje kundër islamizmit të Gjermanisë, e cila po të lihet e të radikalizohet, do të shndërrohet në një ISIS, por këtë herë në zemër të Gjermanisë. Mos të harrojmë që kjo lëvizje, jo rastësisht, lindi në Drezden, në një pjesë të ish-Gjermanisë Lindore, e të mos harrojmë që parulla e tyre kryesore është fasada kundër islamizimit të Gjermanisë, por nëqoftëse  kjo lihet e lirë, kush na siguron që kjo nesër nuk kthehet në një lëvizje me karakter të krishterë e të drejtohet kundër myslimanëve?

– Ku është problem sot?

– Problemi nuk është te fanatizmi fetar. Problemi është te BE-ja, deri tani harroi idealet e së ardhmes, idealet e një shoqërie humane e sociale dhe u dha përparësi vetëm tregjeve. Europa u  shndërrua  në BE të pashpirt. E sa kohë BE-ja është e pashpirt, pashpirtësia i ka të gjitha brenda, edhe fanatizmin, edhe urrejtjen, edhe racizmin, edhe ksenofobinë.

– Nëse fokusohemi te Ballkani, këtu jo vetëm ndasitë fetare, por përse ndodh që ndasitë etnike të na ndajnë kaq shumë, kur ndërkohë, po të gjithë pohojnë se kanë prioritet integrimin e përbashkët në BE?

– Edhe kjo një shpjegim që është më i thjeshtë në rastin e Ballkanit, sepse, të mos harrojmë në Ballkan, përgjatë një shekulli, kemi një shovinizëm konstant që ka ndryshuar vetëm kostumet, por ka mbetur në thelb i njëjti shovinizëm, i cili është drejtuar dhe vazhdon të drejtohet kundër shqiptarëve. E njëjta gjë ndodh aktualisht në Serbi, shovinizëm me kostum të ri, por përsëri shovinizëm kundër shqiptarëve. Ju jap një shembull. Vuçiç, si kryeministër i Serbisë, i cili përpiqet që të shkëputet nga e kaluara e tij ultrashoviniste, për t’u hequr si dashamirës i BE-së, për t’u dukur si demokrat, shkon në Kosovë dhe bën një nga provokacionet më të mëdha. E para, shkon dhe pritet nga ministrat serbë  të qeverisë së shtetit të pavarur të Kosovës dhe e quan këtë normale dhe u jep atyre ministrave porosi edhe të dalin nga qeveria, që është qeveria e Isa Mustafës. E dyta, Vuçiç përgjigjet se : “Ç’ janë këto ëndrra?, kur e pyesin a do ta njihni ju Kosovën?”. E treta, Vuçiç vjen në shtetin e  Kosovës dhe nuk takon kryeministrin e shtetit, por thotë që “Unë Mustafën nuk do ta takoj në Prishtinë, por në Bruksel”. E, megjithëkëtë, media e politika shqiptare heshtin, natyrisht hesht edhe Brukseli, sepse Serbinë e ka kandidat për në BE. E njëjta gjë ndodh edhe në Shkup. Gruevski sillet edhe sot me shqiptarët, sikur ata janë qytetarë të dorës së dytë dhe nuk pranon t’u japë asnjë gjë nga ato që quhen simbole nacionale.

– Po tani që ka më shumë shqiptarë të përfaqësuar në politikë, në qeveri dhe në administratën e shtetit maqedonas, a është ky tregues përfaqësimi?

– Po a nuk kishte shqiptarë të punësuar në perandorinë turke, por nuk lejohej që ata të quheshin shqiptarë, por “arnaut”?  Një komb që të dallohet që është komb ose jo, më shumë se sa ka të punësuar në një administratë, duhet të dish a i lejohen të përdorë simbolet nacionale?! Shqiptarëve në Maqedoni, a i lejohet gjuha? Nuk ka ligj! A i lejohet flamuri? Nuk ka ligj! A i lejohet kultura? Nuk ka ligj! Atëherë, vetëm me të punësuarit në shtet, shqiptarët trajtohen në Maqedoni, sikurse edhe në perandorinë otomane. Përsëri politika shqiptare hesht, Brukseli përsëri hesht dhe i quan këto nëpërkëmbje të të drejtave të shqiptarëve problem të dorës së dytë apo të tretë. Kjo ndodh edhe në Malin e Zi, dhe kështu ndodh edhe në Greqi, e cila vazhdon që akoma të mohojë gjenocidin ndaj Çamërisë, por nxit herë pas here, që paska rivendikime akoma brenda territorit shqiptar. Pyes unë tani. Çfarë është në thelb ISIS? ISIS në thelb do të thotë, të kthehet regjimi që kemi njohur i Mulla Omarit, që ishte në Afganistan, një regjim i errësirës. Kjo do të thotë, kthim mbrapa. Çfarë është shovinizmi grek, serb maqedonas, malazez ndaj shqiptarëve? Është kthim mbrapa, te doktrina e Janis Koletis e megaloidesë, kthim te doktrina e Ilia Galashaninit. Atëherë, a nuk kemi të drejtë të themi në mënyrë figurative që ka 4 celulat kryesore të ISIS në Europë  dhe ato ndodhen  në Beograd, në Athinë, në Shkup dhe në Podgoricë? Po, për ne shqiptarët, po! Po ne shqiptarët, a jemi pjesë e Europës, si kulturë, si e sotme, si e ardhme? Natyrisht, që po! A ishim ne shqiptarët që morëm pjesë në Marshimin e Paqes me elementin më të ri, më bashkëkohor, me atë harmoni dhe bashkëjetesë fetare!!! Ne shqiptarët i dhamë Europës që ne jemi si mendësi, si spiritualitet, si ide shumë herë më përpara, por që jemi të rrethuar nga 4 celulat e ISIS-it  europian, brenda gjirit të Europës.

–  A provokoi ndjenjën nacionale të serbëve Rama në Beograd, kur në konferencën e përbashkët të shtypit me kryeministrin Vuçiç, përmendi Kosovën si shtet i pavarur?

– E para, kryeministri Rama nuk bëri asnjë provokim në Beograd. Rama atje tha një të vërtetë, që Vuçiçit ia kanë thënë me dhjetëra burra shteti, ambasadorë të të gjithë botës që kanë njohur Kosovën, “Ju e keni të humbur, dhe do bënit mirë që ta njihni Kosovën”. Të njëjtën gjë i tha edhe kryeministri Rama në Beograd. Por nëqoftëse taktikisht, Rama duhet t’ia kishte thënë në takimin tet a tet, apo duhet t’ia kishte thënë me një formulim ndryshe, kjo s’ka të bëjë me thelbin. Ky nuk ishte provokacion. Përkundrazi, provokacion, arrogancë dhe rikthim në radikalizmin e viteve ’90-të, ishte qëndrimi i Vuçiç, që u largua nga konferenca e përbashkët e shtypit me Ramën në mënyrë më primitive dhe më megalomane, duke dëshmuar që vërtetë ka vetëm kostumin Brukseli, po shpirtin e ka te Ilia Karashani.

– Politika e kryeministrit serb Vuçiç në vizitën e tij në Kosovë, a është një kundër reagim i asaj që ai vetë e cilësoi “Provokacion të Ramës në Beograd”?

– Personalisht, nëse do isha në vendin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës, pardje Vuçiç do ta kisha konsideruar “persona non grata” dhe me policinë e Kosovës do ta kisha shoqëruar jashtë kufijve të Kosovës, pasi Kosova është një shtet i pavarur dhe ka ligjet e saj. Nëqoftëse kërkon të vish si mik, të rrish si mik. Fatkeqësisht ne akoma nuk kemi krijuar burra shteti, sepse besojmë shumë te një, dy, pesë europarlamentarë, ambasadorë, apo ministër që na vjen nga Brukseli.

– Mendoni se vizita e Ramës në Beograd e përmirësoi klimën e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi dhe a hodhi ura të mirëbesimit reciprok?

– Akoma është herët të flasim për mirëbesim reciprok në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Vizita e Vuçiç në Kosovë dëshmoi që akoma jemi larg mirëbesimit reciprok, por është një gjë shumë pozitive, që ne filluam të vemi dhe të vijmë te njëri-tjetri dhe duke vajtur e ardhur sa më shpesh, edhe Vuçiç dhe ata që do vijnë pas tij, do mësohen që të ndryshojnë edhe sjelljen, duke mos harruar një gjë. Që kyçi i paqes dhe i stabilitetit të Ballkanit, edhe kyçi i paqes dhe i stabilitetit të Serbisë nuk ndodhet në Beograd, por ndodhet në Prishtinë, ndodhet në Tiranë, ndodhet në Shkup.

– A mund të bashkohemi si komb, kur të integrohemi në BE, të gjitha shtetet ku jetojnë sot shqiptarët?

– Në Europë nuk bashkohen kombet. Në Europë bashkohen shtetet, sepse ka një sentencë universal popullore, që thotë: Në mos qofsha për vete, për kë jam? Po në qofsha për vete, përse jam? Në këtë situatë që janë, këta politikanë shqiptarë të sotëm janë për vete, por nuk janë në tërësi për kombin shqiptarë. Sepse, të jesh për Kombin shqiptar, do të thotë që mbas asaj që ndodhi në Paris, ti t’i thuash BE-së, që  nëse ju e keni seriozisht këtë luftë kundër forcave të errësirës, pavarësisht se nga vinë, sot vijnë nga ISIS, nesër vijnë nga një ISIS tjetër, me një fe tjetër, atëherë ju duhet të lejoni shqiptarët të bashkohen në një shtet, sepse vetëm duke lejuar shqiptarët të bashkohen në një shtet, 4 celulat e ISIS që sot i keni në Athinë, Beograd, Shkup e Podgoricë, do të eliminohen, e në vend të tyre do krijohen 4 qendra të qytetërimit perëndimor, europian. Sa kohë që shqiptarët do jenë në këtë derexhe që janë sot, sa kohë që çdo europarlamentar na thotë që ju shqiptarët do bashkoheni në BE, unë kam të drejtë, t’u them këtyre europarlamentarëve, që ju as më shumë, dhe as më pak, jeni përkrahës të ISIS dhe keni vetëm një maskë, atë të BE-së, që masakra e Parisit ua çori përfundimisht.

Ndërgjegjja dhe përgjegjësia kombëtare a është pjekur tek politika shqiptare, në të gjitha trevat e shqiptarëve në Ballkan? Mos vallë politika shqiptare ndikohet dhe udhëhiqet nga qendra të huaja për qëllime të caktuara?

– Në Kombin shqiptar, aktualisht, sa vjen dhe po bëhet e mprehtë dhe e thellë kontradikta midis pjekurisë etnike të kombit shqiptar, që është tërësisht i pjekur për t’u bashkuar dhe interesave ekonomike, financiare të politikanëve shqiptarë në të gjithë rajonin e Ballkanit, nga Tirana, Prishtina, Presheva, Ulqini, Shkupi, të cilat, interesa ekonomiko-financiare, duke qenë se janë parësore për ata, i kanë kaluar në plan të dytë atë ndërgjegje etnike, që shkon deri në atje, sa edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila në preambulën e saj thotë që e drejta e bashkimit të shqiptarëve në një komb është e ligjshme, edhe kjo nuk zbatohet. Atëherë, unë kam të drejtë t’i pyes të gjithë politikanët shqiptarë. A jeni për këtë patriotizëm kushtetues? Po, do më thonë fillimisht. Bukur, zbatoni Kushtetutën. Ose, nëse jua mban, hiqeni nga Kushtetuta dhe dilni pa maska përballë Brukselit, përballë kombit shqiptar.

–  Shqiptarizmi, sa parësore është në politikat që ndjekin qeveritë shqiptare të Kosovës dhe Tiranës, por edhe partitë politike në Maqedoni dhe në Mal të Zi?

– Shumë pak. Shqiptarizmi modern është shumë pak parësor.

Politikanët shqiptarë, me kostum Brukseli, me mendësi e sjellje veziri

– Zoti Danaj, përse ndodh përçarja e shqiptarëve në politikë dhe nuk kanë një qëllim të përbashkët kombëtar në Maqedoni, në Mal të Zi, në Kosovë?

– Politikanët shqiptarë janë të përçarë, sepse mjerisht dhe fatkeqësisht ne kemi akoma një shtresë politikanësh në të gjithë kombin shqiptar, të cilët edhe këta, kostumet i kanë dhe i veshin si ato që u porosit Brukseli, por mendësinë e mentalitetin e kanë akoma në vitin 1908, në kohën e xhonturqve. Pra, politikanët shqiptarë nuk janë as më shumë dhe as më pak, por disa vezirë, disa vali, të cilët preferojnë më shumë që të jenë vali në një vilajet neo otoman, duke e mbajtur mirë me qendrën e perandorisë, se sa të bashkohen për të krijuar një shtet, ku natyrisht, nuk do jenë të gjithë të parë. Domethënë, Hasim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Ali Ahmeti, Mendur Thaçi, Genc Nimanbegu, Ferat Dinosha, e me radhë të tjerë, vijmë edhe në Tiranë, Bujar Nishani, Atifete Jahjaga, Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha, preferojnë jo të konkurrojnë për të fituar zgjedhjet që nga Presheva në Prevezë, që nga Durrësi në Shkup, sepse thonë: Po sikur të mos fitojmë? Atëherë, rrimë më mirë kështu siç jemi, këtu ku jemi, në vendin, ku bota i quan bastione, e këta i quajnë çifligje. Dhe këtë e mbulojnë, se natyrisht nuk dalin hapur, me atë që thonë:  “Do bashkohemi në Europë”.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA